SHPËRNDAJE

Partitë politike shqiptare në Maqedoni me rastin e 22 nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip kanë uruar qytetarët për këtë ditë të madhe, duke bërë thirrje që të ruhet gjuha dhe alfabeti. Telegrafi Maqedoni më poshtë ju sjell komunikatat nga partitë të cilat kanë uruar Ditën e Alfabetit.

PDSH: Sot përkujtojmë 110 vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Manastirit, një datë e kaluarës sonë të lavdishme ku u themelua Alfabeti i përbashkët shqip. Prej vitit 2007 shqiptarët e Maqedonisë e festojnë këtë festë të rëndësishme kombëtare si festë shtetërore, me meritë të Partisë Demokratike Shqiptare. Është obligim i secilit prej nesh që të vazhdojmë misionin tonë kombëtar duke kultivuar vlerat mbi të cilat është ndërtuar kombi ynë, me çka do të forcojmë bashkëpunimin shpirtëror të shqiptarëve. Kam kënaqësinë që në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare t’iu uroj gjithë shqiptarëve Ditën e Alfabetit Shqip.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi RDK: Të nderuar bashkëkombës, 22.11.2018 – Kongresi i Manastirit përfaqëson kulminacionin e organizimit kulturorë, shpirtërorë dhe politik të kombit shqiptar ku u bë njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe, ashtu si e njohim ne sot. Rruga e shkronjave tona të arta nuk ka qenë e lehtë, por ne si popull në momentet më të vështira ia kemi dalë gjithmonë, njashtu si në rastin konkret duke mbajtur drejtimin e duhur, që sot të qëndisim me këto shkronja urimet për këtë ditë. Me këtë akt shqiptarët edhe njëherë dëshmuan pjekuri kulturore dhe politike, diçka që sot u mungon elitave politike. Le të shërbej ky forum mbarëkombëtarë i Manastirit një dëshmi se edhe sot jemi një komb, një histori, një gjuhë dhe një alfabet.

Ta ruajmë dhe ta kultivojmë këtë gjuhë të bukur amtare sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ruajmë identitetin tonë kombëtarë. Në emër të Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe në emrin tim personal, urime dita e alfabetit shqip. Vesel Memedi, Kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare Aleanca për Shqiptarët: Të nderuar dashamirë të gjuhës së bukur shqipe dhe shkrimit të saj me alfabetin që doli nga Kongresi i Manastirit 110 vite më parë, Të dashur bashkëkombësit e mi, Sot është një ditë e ndritur e gjuhës shqipe që na bën krenarë të gjithëve, dita kur Manastiri historik i tuboi figurat më të ndritura të kombit, që në këtë qytet erdhën në Kuvendin historik për ta zgjidhur përgjithmonë çështjen e alfabetit tonë. Kongresi i Alfabetit që u mbajt në Qytetin e konsujve ishte ngjarja më e ndritur për gjuhën dhe kulturën tonë, e organizuar nga bijtë mendjendritur të Kombit, që erdhën nga të gjitha trojet e katër vilajeteve me shumicë shqiptare.

Orientimi evropian i intelektualëve tanë, të afirmuar me kohë për veprimtari atdhetare, u reflektua edhe në përcaktimin e një alfabeti me bazë latine, të vetëdijshëm se vetëm orientimi pro perëndimor është ardhmëria e sigurtë e kombit. Sot, edhe pas aq shumë vitesh të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së alfabetit, pikërisht në Manastir, shqiptarët e këtij shteti po ballafaqohen me përbuzje dhe nënçmim, të shndërruar në përqindje, bashkë me gjuhën e tyre, shkrimi i të cilës lindi pikërisht në këto hapësira. Do ishte shumë më mirë që kujtimin për këtë ngjarje historike për shqiptarët, ta festonim me fitoren për përdorim të plotë të gjuhës shqipe dhe shkrimit të saj, kërkesë kjo e vazhdueshme e jona si parti politike. Vetëm me barazi të plotë të përdorimit dhe shkrimit të gjuhës shqipe, të garantuar edhe me Kushtetutën e Maqedonisë, që është edhe pikësynimi ynë programor, do realizohej dëshira e pjesëmarrësve të këtij Kongresi historik dhe amaneti i tyre që ua lanë brezave.

Gëzuar dhe urime për këtë Festë të madhe të gjuhës dhe kulturës sonë, me shpresë se do vijë edhe ajo ditë kur gjuha jonë do jetë plotësisht e barabartë në këtë shtet të përbashkët që ende nuk gjen forcë ta njohë realitetin e ri, për t’u ndarë përgjithmonë nga e kaluara që e pengonte orientimin perëndimor, që pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit me kohë e kishin pikësynim! I juaji Ziadin Sela, Lëvizja Besa: Në emrin tim dhe në emër të Lëvizjes BESA iu uroj festën e madhe mbarëshqiptare të 22 Nëntorit, ditës së alfabetit shqip. Gjuha shqipe dhe shkronjat e saj kanë një peshë shumë të madhe për gjithë shqiptarët dhe kjo festë reflekton kulturën shqiptare në Maqedoni dhe përkujton sakrificën e të parëve për të gëzuar sot ne këtë gjuhë dhe alfabet që kemi. Manastiri është vend i pa harruar për ne, sepse në atë vatër u shkruan shkronjat e para dhe nga aty shqiptarët fituan alfabetin e tyre.

Kjo datë neve na përkujton përkushtimin e shumë intelektualëve tanë të asaj kohe të cilët vazhdimisht punuan për shqiptarët dhe mundësuan ngritjen e vetëdijes kolektive, duke na radhitur në mesin e popujve që kanë kulturë të lartë dhe të pasur kombëtare e fetare. Sot, fatkeqësisht shqiptarët e Manastirit janë të anashkaluar nga politikat destrukrive të shumë udhëheqësive, duke lënë në harresë dhe duke harruar vlerën e këtij qyteti. Ne shpresojmë që përvjetorët tjera, muzeu i alfabetit të shndërrohet në një muze siç i ka hije dhe të mos vazhdoi të jetë në gjendje të mjerueshme. Në këtë festë të alfabetit, Lëvizja BESA uron edhe gjithë Besatarët për katër vjetorin e themelimit të saj, duke i falënderuar të gjithë për kontributin që japin për të ngritur dhe lartësuar Lëvizjen dhe afirmimin e saj.