SHPËRNDAJE

Të rrethuar nga natyra e mrekullueshme e alpeve franceze, alpinistët që i kanë kaluar këto ditët e fundit mes formacioneve shkëmbore dhe shtresave të akullit qëi mbulojnë, kanë arritur në një përfundim të zymtë: malet, praktikisht, po bien rreth e rrotull tyre.

Në luginën e Chamonix, në hijen e Mont-Blanc. Në mendjet e të gjithëve janë ngulitur paralajmërimet nga ngrohja globale pasi shumë shtigje që ngjiten lart apo zgjaten rrotull majave, janë bërë tepër të rrezikshme.

Pjesë të tyre shkëputen, duke bërë që të gjithë t`i shohin tani me frikë. Loic Thivierge dëshiron të bëhet guidë për ecje malore si i ati dhe që në moshë të vogël, ka mësuar çdo pëllëmbë të pjesës së mbuluar nga akulli, por peizazhi po ndryshon dita-ditës përpara syve të tij.

“Nuk e mendonim kurrë se këtu do të binin pjesë nga mali siç ndodhi shtatorin e kaluar. Ka qenë një rrugë klasike, e pastër, por tani është bërë mjaft e rrezikshme. Tani rrimë e mendojmë se kur mund të bjerë diçka më e madhe, e ndoshta, të shembet i gjithë shpati”, thotë Loic Thivierge.

Sa më shumë shkrihet akulli, aq më shumë shemben pjesë shkëmbore të malit, që nuk duket i qëndrueshëm si më parë. Guidave tani i duhet të përshtaten, sepse turizmi është në rritje dhe për këto shtigje po interesohen gjithmonë më shumë njerëz pa eksperiencë.

“Dikur bënim ngjitje edhe në kulmin e verës, por tani jo, tani mund të shkojmë vetëm në dimër, ka shumë shkëmbinj”, shton Loic Thivierge.

Shtresa mijëvjeçare e akullit vepron si çimento mes pjesëve shkëmbore. Nga 100 shtigje të shënuara në një listë të vitit 1973 në zonë, 26 janë prekur rëndë nga ky fenomen, ndërsa tre të tjera janë zhdukur krejtësisht.