SHPËRNDAJE

Ai mëngjes ishte i këndshëm si gusha e pëllumbit. I butë, i vakët dhe i përsosur si vargu i një poezie të bukur. Hija ku po i priste pajtonxhiu i gjatë kundërmonte fort nga aroma e dorëzonjave të spërkatura me diell dhe frymëmarrjes të aguliceve që rriteshin rreth e përqark. Pak më tutje, përtej pyllit që e ndante çiflikun nga lagjet më të largëta të Tri Thanës, vezullonte hasra e artë e grunajave që piqeshin në diell, si dhe muri i trashë, ngjyrë dafine, i shelgjeve të lumit Kratis, pëtej të cilit duhej t’ ishte Irinopoli, ai qytet i bardhë e helenëve të lashtë. Ndonëse ai mëngjes nuk dallonte nga mëngjeset tjerë, nën mjegullën që i kishte hipur Tri Thanës sogjonte një heshtje që iu përngjante zvarranikëve të epokës parahistorike, të cilët Mjeshtri i kishte parë në Boston, New York e Washington, deri sa shërbente si ambasador i vendit të tij.

Deri sa po zbrisnin shpatit teposhtë, ai e ndjeu veten të varfër dhe tmerrsisht të hutuar. Ata dy tjerët, Edi dhe Shkëlqesia, zoti Markez, kuvendonin për ato që kishin ndodhur apo do të ndodhnin në të ardhmen, ndërsa Mjeshtri s’ ishte i prirur të mësonte më. Ai ishte ngopur me mësime. Udhëtimi i tij kish qenë definitivisht i gjatë dhe ai, pa marrë parasysh sa kishte nxënë, do të përfundonte atje ku ishte lindur. Emri i tij do të harrohej njësoj si emrat e mijëra njerëzve të tjerë që kishin ardhur dhe kishin ikur nga Rruzulli. I mbështetur në supet e trishtimit dhe i  përcjellë nga vargu i fjalëve që s’ mernin fund, ai bënte provat e para për t’ u shkrirë me ecjen e funtme.

Tani ata e kishin lënë Tri Thanën pas shpine. Gjatë qëndrimit të tij në periferinë e atij qyteti, Mjeshtri kishte përjetuar gjëra të çuditshme. Kishte njohur turq, që natë e ditë dërmisnin nëpër divane. Kishte njohur grekë, që natë e ditë mprehnin thika për të therur shqiptarë. Kishte njohur italianë, që natë e ditë ëndërronin për t’ u bashkdyzuar me femra të bukura. Kishte njohur çifutë, që natë e ditë e shanin njëri tjetrin po, para se të ndaheshin, putheshin prapë me njëri tjetrin. Dhe kishte njohur shqiptarë që as ishin grekë, as ishin bullgarë, por më shumë i donin grekët e bullgarët, se njëri tjetrin. Kjo, që shqiptarët e urrenin njëri tjetrin, edhe pse kishin dalë nga i njëjti bark dhe flisnintë njejtën gjuhë, dëshmonte se ishin hemhem. Edhe trima, edhe frikacakë. Dhe kjo ishte e llahtarshme. Cilido udhëtar që i thonte vetes trim dhe merte një rrugë duhej ta mbaronte udhëtimin e tij.

Tani që pajtoni kishte marrë vrapin dhe, herë pas here, kërcente si ndonjë atlet i moshuar, Mjeshtrit iu kujtua se ai kishte kaluar edhe një herë nëpër atë rrugë që gjarpëronte midis arave, lëndinave e manaferrave. Atëbotë ai ngjitej përpjetë, drejt qiellit të veshur me yje, ndërsa tani po ndodhte e kundërta. Tani ai rendte teposhtë, edhe ate, për pa vënë re qëe s’ i kishte mbetur gjë pos  – emrit. Emrin e tij do ta mbanin mend ata që prore s’ ishin lindur dhe kurrë s’ e kishin ndërruar një fjalë me të. Ngushllim shumë i vogël për ca përpjekje aq të mëdha.

Ata e ndoqën xhadenë deri sa mbërritën te çezmja e një fshati kodrinor, ku duhej t’ i lutnin kuajt për ujë. Pastaj, pasi kaluan nja dy a tri lagje tjera, konstatuan me pikëllim se ullishta që gjendej mbi fshat ishte përcëlluar nga zjarri. E tërë faqja e shpatit, e cila, fillonte nga çezmja me ujë të tharrët e deri te plisi i malit, kishte veshur një vello të zi.

Shkëlqesia, zoti Markez, s’ e tha asnjë fjalë. Tek pastaj, pasi e lanë atë fshat të djegur, ai i njoftoi se partizanët e zotit Iliç, që kishin hyrë nga territori i Elin Zadesë, para se ta sulmonin Tri Thanën, e kishin shfrytëzuar rastin t’ i digjnin të gjitha shtëpitë e rrethuara me stogje, bleta e bagëti, sepse ato ishin prona të kulakëve. Ata s’ e dinin që ullinjëve iu duhen shekuj për t’ u bërë ashtu si kishin qenë dhe iu kishin premtuar fshatarve se një ditë, kur ta qëronin vendin nga kulakët, do ta ndërtonin një fshat të ri dhe ta bënin kopsht të vërtetë proletar. Po pse? Sepse kryevepra e tyre duhej të shihej edhe përtej kufirit, nga fshatrat e proletarve helenë. Ata duhej ta kuptonin që proletaret arbilonas, në krye me shokun Selver ed Din  Abdalli, ishin në gjendje të kultivonin edhe ullinj që kullonin një vaj të kuq.   

S’ ishte kush e di sa mirë. Ashtu i ligësh dhe pa qejf, ai e ndiqte vrapin e pajtonit me shpresa se, sapo t’ i kalonin ato fshatra të përcëlluara nga zjarri, do të mbërrinin atje ku duhej të shkonin. Pas atyre që kishte parë e përjetuar në Kishën e Shën Palit, njerëzit i shkonin në nerva. S’ e duronte as Edi Gjilpërën, që e kishte si djalë dhe shok dhe këshilltar. Mjerisht, shi n’ atë çast kur i kujtonte ato gjëra, karrocieri njoftoi se xhadeja dukej e bllokuar.

” Çfarë njerëzish, more torollak,” e pyeti Markezi.

” Njerëz, zotëri. Fshatarë që shkojnë xhadesë dhe më duken të vrarë e të lënduar.”

” Janë nga ai fshati që e kanë djegur iliqarët,” tha markezi. ” Po ti bjeri borisë dhe ndiqe krahun tënd, deri sa të vijmë te Ura e zotit Ziki, ku mund t’ i shmangesh turmës dhe ta ndjekësh rrugën që kalon nga Vau.”

” Jawol, ashtu do bëj,” tha pajtonxhiu.

Ndërkohë, deri sa Edi po dëftonte një anegdotë mbi udhëtimin e Iliçit nëpër Suedi, pajtoni i zuri viktimat e para të ikanakëve që shkonin drejt lumit Kratis.

O i Madhi Zot, mendoi Mjeshtri. Ç’ janë këto të liga që ia ke nisur popullit tim? Sado që s’ donte të shihte mjerime, sytë e tij, krejt  papandehur, e mbërthyen kaltrinë e synepërkave që rriteshin pranë cepit të rrugës, pastaj ca fëmij që i ndiqnin nënat e tyre, pastaj nja gjashtë gra, pastaj një varg grash e vajzash me veshë të prerë e koka të lidhura, pastaj ca djem që ecnin anash gomerve të ngarkuar me plaçka dhe në fund, shumë pleq, plaka e fëmij të hipur nëpër makina e rikorkio. Dhe sa më shumë që ecnin, numri i tyre vinte e shtohej.

Më në fund ai e kuptoi se gjithë ato gra e ata burra e ata fëmij s’ ishin veçse bishti i një karavani të gjatë, që fillonte diku përtej vrapit të kuajve dhe shkonte deri në kufirin e vendit fqinj për të shpëtuar nga ata që ia kishin vënë flakën fshatit të tyre. Edhe pse vetë Perëndiu ua kishte falë atë copë vendi, ata s’ kishin mundësi ta gëzonin me djem e me nipër sepse vendimi i të Madhit Zot binte ndesh me botëkuptimet e atyre që e mohonin.

” Po ku veni, o vëllezër” e pyeti një plak që atë çast e ndiqte kalin e ngarkuar me plaçka.

Plaku e pa me inatë.

” Ku tjetër pos në Elin Zade,” tha. ” Atej është rruga më e shkurtër për në Parajsë.”

” Kush evlija ta ka thënë ate gënjeshtër? nguli këmbë ky.

” Kush tjetër, pos këtyre tonëve,” ia ktheu plaku, këtë herë dukshëm i mllefosur me ate që ishte ulur në pajton dhe i shiste dëngla. ” Se mos dimë të lexojmë? Se mos dimë të shkruajmë? Janë ata që dijnë të lexojnë. Pyete Papa Jorgon, Selman Agën, Xhevat beun. Ne s’ jemi veçse sherbëtorë të tyre. Ama kjo rrugë shpie në Parajsë. Ate e dimë të gjithë.”

” Ashtu qoftë,” tha Mjeshtri.

Gjatë kohës që Mjeshtri po kuvendonte me fshatarin, zoti Markez s’ e tha asnjë fjalë. Tani që e lanë fshatarin prapa, ai u kyç në bisedë.      

“ E pash që u pikëlluat,” tha. “ Këto i ka jeta. Ai ishte një viktimë. Aq dinte, aq nxori nga goja.”  

“ Si të mos pikëllohesh, kur vjen vëllau yt e ta rrëzon shtëpinë, ta ndez stogun e sanës, ta bën shkrum ullishtën dhe t’ i pret veshët,” tha Mjeshtri. “ E drejtë ju duket?”

Shkëlqesia, që tërë kohën po shikonte përjashta, kishte mendim të kundërt.

“ Jo, s’ është e drejtë,” tha. Ai po e ndiqte vrapin e pajtonit dhe s’ ishte i përqëndruar. “ Keqardhja është virtyt i lartë, por ju po harroni se Gjithësia është ndërtuar nga kundërthëniet. Edhe zotat, njësoj si ne, s’ janë të sjellshëm me njëri tjetrin. Urani ishte pak më i butë… Ai s’ i hëngri fëmijët e vet, por i fërfëlloi në një kontinent tjetër. Kroni, djali i tij, që duhej t’ ishte më i arsyeshëm, ia preu veglat dhe donte t’ i hante fëmijët e vet. Shumë më të ndjeshëm ishin zotat tuaj pelazgë, por edhe ata duhej të rrinin urtë, se Zeusi do t’ ua këpuste kokat. Pastaj erdhën edhe shumë zota tjerë, rusë, izrealitë, afrikanë, hindus, e ku di unë, por vetëm Allahu ishte mëshirues. Ishte ai, që e ndau Parajsën pjesë pjesë dhe secilit popull ia dha copën e vet. Mjerisht, shqiptarët i la këtu sepse e kuptoi që këta janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Kainit.”

Me sa duket, ata s’ ishin larg Vaut, sepse pajtoni ndaloi në vend dhe numri i atyre që ziheshin e shtyheshin rreth e përqark tyre ishte jashtzakonisht i madh.

” A po i shihni këta abdallët që kemi rrotull,” tha Markezi.

” Kuptohet që po i shoh,”, pohoi Mjeshtri.

” As këta s’ janë më të mirë se ata të Iliçit. T’ i shikosh prej sëlargu, duken të arsyeshëm, por sakot e mëndafshta, epoletat e qëndiura me fije ari dhe unazat e shtrenjta dëftojnë se janë zuzarë. Ju betohem se këta janë poaq kriminelë sa ata tjerët. Janë këta që e detyruan Zotin ta ndaj Parajsën pjesë pjesë. Ndryshe s’ bënte, se viktima s’ rron me vrasësin. Dikur, kur s’ kishte iliçarë, këta abdallë, për t’ i blerë këto komodinat që kanë marrë me vedi, shisnin gra e burra, pa marrë para sysh se ishin shqiptarë, turq, armenë apo çifutë.”

“ I kam parë në Stamboll, Paris e Londër,” tha Mjeshtri.

Shkëlqesia e preku parzmin me dorë.

“ Edhe një shkas për të ju respektuar. S’ di nëse më besoni, po prania e këtyre më ka nxitur ta kritikoj edhe të Madhin Zot,” tha ai. “ Nëse Zoti na bëri si veten, ne duhet të bëjmë si ai dhe ta themi – të vërtetën. Unë, sikur t’ isha në vendin e tij, kurrë s’ do t’ i lëshoja në Arbijon. Por Ai është mëshirues dhe s’ ka zot përpos Tij. Ai është i  mençur si Gjithësia dhe ne jemi tepër injorantë për ta kuptuar.”

Ai do thonte edhe diçka tjetër, diçka që ishte më e rëndësishme, por e ndërpreu vrapi i pajtonit, që papandehur u shkëput nga llafet e turmës dhe u rras në shtratin e një lumi të cekët. Kuajt, të djersitur nga vapa, ngecën në vend dhe, tek pasi e shuajtën etjen e tyre me ujë, ecën drejt një shelgjishte që shquante përtej lumit.

“ Ky është Krati,” tha Markezi. ” Që nga bregu tjetër i këtij lumi, gjegjësisht nga ato shelgjet që po duken mbi çatinë e mullirit, fillon Elin Zadeja, vendi që Zoti e pat rezervuar për shqiptarët, por ata s’ e bën kabull.”

“Janë mendjemëdhenj, shqiptarët.”

” Janë, për Zotin,” tha Markezi.

Ishte ditë më drekë, dielli piqte si saç dhe ata, të përcjellë nga troku i kuajve dhe zhurma e rrotave të pajtonit, dolën në një plazh të bardhë, qind për qind të boshatisur, dhe e ndoqën rrjedhën e një lumi tjetër që derdhej në Kratis. Në të dy krahët e atij lumi, që dukej i pasur me ujë, njerëzit kishin mbjellë presh, lakra, qepë, patlixhana dhe kunguj. Pak më tutje, nëpër degët e shpeshta të një ullishte, thekej kënga e gjinkallave.

Pajtoni kaloi pranë oborrit të një kishte dhe rishtaz mori më të majtë, nëpër kalldrëmin e një rruge të gjërë. Shkëlqesia, që tani i kishte harruar ikanakët, shikoi përpara dhe e vuri buzën në gaz. Atje diku, përtej një oborri të mbjellë me tulipane të bardhë e të kuq, shkëlqenin dritaret e një pallati trekatësh. Rreth e përqark pallatit gjelbronte një kopsht tjetër, i mbjellë me pjeshka e hardhi rrushi.

Thuaj ça të duash, por ai vend ishte shumë më e pastër e më i begatë se Arbijoni. Në të dyja anët e xhadesë shquanin katrorët e arave të mbjella me grurë, vreshtat, kopshtijet, si dhe ullishtat e punuara me dorë.

” Si po ju duket kjo anë,” pyeti zoti Markez.

” E bukur,” tha Mjeshtri. “ Thua do të vijë një ditë që dhe ne ta kalojmë Largalargun e të rehatohemi si këta?”

Markezi s’ dukej i sigurtë.

“ Kam frikë që jo, Monsieur. Shqiptarët më duken tepër të kotë për ta bërë një hap të këtillë.”

“ Pse gjithë ai pesimizëm?” pyeti Mjeshtri. “  As këta s’ kanë qenë më të aftë se ne. Më lejoni t’ ua kujtoj se njëqind e sa vjet më parë këta s’ kishin as brekë në bythë, jo më ta qeverisnin veten. Të mos ishte kushëriri im këta do ngordhnin për bukë.”

Markezi qeshi me të madhe. Ai ushqente një respekt të veçantë për ish diplomatin plak dhe kishte qejf ta pickonte.

“ Kërkoj ndjesë, mein Lieber, po kushëriri juaj është kapitull më vete,” tha markezi. ” Nëse s’ gabohem, turqit, pasi ia këputën kokën dhe e lanë në Janinë, në bodrumet e Kështjellës gjetën dyqind thasë me arë, argjend e antika tjera. Nga i mori gjithë ato gjëra, nëse jo nga shqiptarët, grekët, maqedonasit apo vllehët e pasur?!. As ai, as mercenarët e tij, s’ mendonin që ka vdekje. Pak para se ta degdisnin m’ atë anë detit, kam zhvilluar një intervistë me të, dhe të gjitha i ka pranuar. Pashai s’ gaboi që e mori Vasiliqinë, ishte femër e bukur ajo, e mençur, besnike, por duhej të ishte i kujdesshëm me vëllezërit e saj. Ju keni të drejtë që i përbuzni elinët, por ata janë më të shkathët dhe – para së gjithash – kanë më shumë aleatë se ju.”

” As ate s’ e mohoj,” tha Mjeshtri. ” Ç’ mund të bënte Ali Pasha i ngratë, që s’ kishte aleatë tjerë pos tyre? Ata, përpos tjerash, kishin përvojën që ua pat lënë ajka e diturive. Emrat e tyre flasin për vete… Herodoti, Sokrati, Platoni, Aristoteli, Talesi, Ksenofoni e dhjetra të tjerë. Por as ata s’ ishin helenë dhe i takonin një epoke kur bota ishte e ndarë në ate pelazge dhe jopelazge. Helenët e asaj kohe ishin argivë, danaj, akej, lydas, dardanë e ku di unë.”

” Edhe ajo qëndron,” tha Markezi, duke iu drejtuar Edi Gjilpërës. “Mua, zoti Doktor, më pëlqejnë njerëzit që i donë reformat. Si po ju duken këta të Elin Zadesë?”

” Këtu paska refoma,” tha Edi.

Dhe ai  ishte i hutuar. Ai kurrë, edhe pse kishte bërë disa orvatje që ta kuptonte popullin e tij, s’ ia kishte dalë të njihej me të parët e të parëve. Përderisa zoti markez dhe Mjeshtri çanin dërrasa mbi pikëpamjet e tyre filozofike, ai e ndiqte ecjen e pajtonit me një kurreshtje të madhe dhe pak nga pak po vinte në përfundim se cilësia e rrezeve që binin aty ishte goxha e lartë. Pa marrë parasysh gjenet e atyre që jetonin n’ atë vend, ato ndryshonin nga rasti në rast. Ajo botë ishte e mirëmbajtur dhe rrugët e shtruara me pllaka guri vezullonin si pllaka argjendi. Në të dyja anët e rrugëve shiheshin dyqane të vegjël, plot me mallëra, dhe njerëz që hanin e pinin me të ngutur.

Ata e kaluan një kishë tjetër dhe e ndoqën njërën nga rrugët që ishte e drejtë si rrezja e diellit. Ajo fillonte nga katrori i një kullote të përcëlluar dhe, pasi i ndiqte ujrat e një kanali, zhdukej bashk me faqen e pjekur të drithnajave para portës së qytetit. Sipas zotit Markez, Irinopoli ishte i bukur dhe përbëhej vetëm nga ndërtesat e kohrave të lashta.

” Mjerisht, atje s’ do vemi,” tha ai. ” Këtë rrugë do ta ndjekim deri sa t’ i afrohemi Kroit të Hestisë – ashtu quhet një pus i begatë me ujë – dhe pastaj do të marrim më të djathtë, drejt një pavijoni të cilin e ka ndërtuar njëri nga vëllezërit e Polifemit. Atë pavijon e ka blerë Xiki, një miku im, dhe e përdor për të pirë çaj, për të kuvenduar me gazetarët dhe për të pritur miq të largët. Përndryshe, pavijoni është i rrumbullakët si pallati i dikurshëm i një aristokrati anglez, dhe ka një kopsht të madh, të mbjellë me verra, vidha, krekëza e gështenja, një liqe artificial dhe një pyll të cilin kurrë s’ e ka prekur sëpata. Sikur kjo t’ ishte pak, n’ anën e kundërt të parkut Xiki ka ndërtuar një kompleks vilash dhe përpara çdo vile ka mbjellë nga një trëdafile të sjellë nga Parajsa.”

Edi s’ ishte i gatshëm t’ i besonte, por edukata që kishte trashguar nga  familja e tij borgjeze, s’ i jepte të drejtë të debatonte me burrat e moshuar.

” Dua të jem i sinqertë,” tha ai. “ Ndonëse s’ jam në gjendje t’ i interpretoj të gjitha shenjat e këtij udhëtimi, ato që pashë deri tani më duken pozitive. Shi për ate dua t’ u çfaq mirënjohjen time dhe mezi po pres të mbërrijmë atje ku jemi nisur.”

“ S’ ka përse, mik i dashur,” tha Markezi. “ Jeni akoma i ri dhe s’ i keni parë të gjitha. Mos harroni se njerëzit janë si fatkeqsitë. Ata hyjnë e dalin në jetë si trenat që shkojnë e vijnë dhe një ditë katandisen në shkritore. Më pëlqen që jeni racional se, përndryshe, edhe ju do përfundonit si shumë idealist të tjerë.”

“ S’ është e thënë të ndodhë,” tha Mjeshtri.

“ S’ është e thënë edhe të mos ndodhë,” tha Markezi dhe, për arsye të paqarta, hyri në një temë tjetër.

Ndërkohë, deri sa pleqët argumentonin mbi çeshtjen – çka është etike dhe më pak etike – kuajt e zotit markez, që pak më herët kishin qenë të lodhur, tani e hëngrën gjysmën e rrugës dhe, pasi  morën në krahun djathtë, iu turrën një kulle të rrumbullakët, e cila, më shumë i përngjante një siloje të drithit se sa kullës. Pleqët, që akoma s’ e kishin gjetur gjuhën e përbashkët, vazhduan të debatojnë, ndërsa Edi, që tërë kohën po e studionte relievin e asaj toke, tani ia kishte ngulur sytë një kryqi të rrethuar me gurë të bardhë, të cilin dikush e kishte ndërtuar mu në mes të rrugës. Pranë asaj embleme priste një burrë i gjatë, i veshur me rroba të bardha, dhe një armë automatike në krah.

Si ta shpjegonte, vallë, atë dukuri? Gjithëçka në rrobat e atij njeriu ishte e ngjashme me veshjen që kishte parë në fshatrat e Shqipërisë –  këmisha e gjatë,  me mëngë të gjëra, opingat e kuqe me maje, jeleku i ngushtë, guna, por jo dhe kapela që kishte në kokë.

” Oou!..” thirri pajtonxhiu dhe i zhguli udhëtarët e tij nga gjysëm gjumi.

Këmbësori, i veshur si evzon, priti të qetësohen kuajt dhe, me krenarinë që e kishte përsosur gjatë shërbimit ushtarak, iu afrua derës së pajtonit të hapur. Ai u mat t’ iu drejtohej mysafirëve me një ”mirëdita” të thjeshtë, por me ta parë qeleshen e kuqe të markezit, ndërroi mendje.

” Kalimera, pasalares,” tha në gjuhën e tij.

” Kalimera aksiomatikò,” ia ktheu markezi.

” Kalos irdhate sto Periptero,” vazhdoi tjetri në gjuhën e tij dhe deshi të dinte nëse ”pashallarët” ishin ftuar n’ atë takim.

” Gjithësesi,” tha markezi dhe, para se t’ ia dorëzonte një zarf që e kishte në xhep, ia futi ca funta në grusht.

Oficeri ia hodhi një shikim zarfit me shkronja të kuqe dhe, sapo e pa firmën e të zotit, urdhëroi të shmangej pengesa që e kishte prerë rrugën.

” Mos na merrni për të madhe, por masat që kemi marrë kanë të bëjë me rrëmujën e krijuar përtej kufirit,” tha. ” Me hyrjen e ileqarëve në Tri Thanë, është vërejtur një shqetësim edhe në disa treva të vendit tonë. Cave nga tifozët e Kapedan Ari Bithkuqit iu ka ngjallur morri dhe po kërkojnë reforma. Edhe këtu puna mund të bëhet tërkuzë.”

” S’ është e thënë,” tha markezi.”  Po ata tjerët kanë mbërritur?”  

” Qysh në mëngjes, Pasha efendi. ” Unë s’ jam në dijeni për listën e atyre që janë ftuar, por kam përshtypje se të gjithë kanë mbërritur. Gjatë kohës që jam këtu, pata nderin ta mirëpres zotin Benaqi, zotin Genadi, Mihal efendiun, Kristaq efendiun, zotin Duro, Abaz Pashën, baronin e Tivarit dhe nja dy gazetarë. Të gjithë këta do t’i gjeni në Pavijon, sepse akoma s’ ka filluar konsulta.”

Shkëlqesia e ndjeu veten të lehtësuar.

” Kisha përshtypje se jemi vonuar,” tha. ” Këta dy zotërinjtë janë kushërinj të Ali Pashës, një bëmirsi që tani prehet në Parajsë. Ai i zgjidhi kambanat greke nga mallkimi i Perandorisë Turke. Mos pritoni ta gjeni një vend të freskët për pajtonin tonë.”

” Rrini pa merak, zotëri,” tha oficeri. ” Do ta vendosim nën një verr të trashë, kurse pajtonxhiun do ta qerasim me uzo.”

” Shumë ju falemnderit.”

Shkëlqesia, zoti Markez, s’ kishte të ngutur. Ai e falenderoi kujdestarin dhe, duke ndjekur një shetitore që kalonte nën degët e krekzave, vidhave e gështenjave të egra, i nxori bashkudhëtarët e tij në bregun tjetër të Liqenit, përtej të cilit gufonte një pyll i begatë me lisa të trashë.

Të hyje n’ atë botë ishte si të shkilje në paradhomën e një ëndrre të ndërtuar nga zotat. Ata qëndruan pak, ia hodhën një sy shelgjeve që lëkundeshin mbi faqe të liqenit dhe, pasi bënë nja njëzet e ca hapa më tutje, u ballafaquan me dy gjymtyrët tjera të asaj ëndrre: kopshtin e tulipanëve, si dhe me pavijonin e rrumbullakët që nusëronte në midis të atij gjelbrimi.

Ata e ndoqën rrugicën që kalonte mes për mes tulipanëve dhe, pasi ngjitën shkallët e mermerta të godinës, hynë në një sallë që ishte e shtruar me një tavolinë të rrumbullakët dhe  anas së cilës ishin ulur nja shtatë a tetë pleq të veshur në kostume të zinj. Ata, me sa duket, njiheshin se, herë pas here, ndërronin ndonjë fjalë me njëri tjetrin, por me zë shumë të ulët, dhe micëronin nga ato që kishin përpara. Pronari, për ta ruajtur famën e atij pavijoni, kishte dhënë urdhër të vendoseshin edhe dymbdhjetë shtatoret e mirëfillta të zotave pelazgë dhe një lozhë e veçantë për përfaqsuesit e shtypit. Kamarierët, të veshur me këpucë e pantallona të zeza e sako të bardha, rrinin si mumje dhe s’ e artikullonin asnjë fjalë. Aty ku kishin folur zotat, njerëzit duhej të heshtnin.

Shkëlqesia, që ishte më i regjur në çeshte protokollare, i përshëndeti të tjerët me kokë dhe, pasi ia hodhi një vështrim sallës së rrumbullakët, propozoi të uleshin në krahun e djathtë të tryezës, jo shumë larg bankave ku do të uleshin përfaqësuesit e shtypit. Atje kishin mundësi edhe të flisnin nga pak. Si përfaqsues të fesë islame, ata e lutën kamarierin t’ ua sillte nga një sallatë djathi dhe nga një çaj me kamomila.

” Më falni, Shkëlqesi, po dua t’ ju pyes diçka,” pëshpëritit Edi. ”Cili nga zotërinjtë është  zot shtëpie këtu?”

Shkëlqesia, zoti Markez, ia hodhi një rivështrim sallës ku ishin ulur të tjerët, por s’ ishte i prirur të fliste me zë, se do ta prishte rendin që mbretëronte në sallë. Shi n’ atë çast, heshtja që e kishte mbarsur ajrin ishte poaq e ftohtë sa dhe virgjëia e një kishe katedrale.

” Asnjëri,” ia ktheu Markezi. ” Po ju mos u shqetësoni, se shumë shpejt do ta njihni. Ai është rritur në një fshat të Greqisë dhe zor që e di Tabelën e shumëzimit. Ndëkohë, kjo e metë s’e bën më pak hajdut se tjerët, se zemrën e ka të butë dhe është filantrop i madh. Falë rrëmujës që sot mbretëron përtej kufirit, besoj se Xiki sot do të çfaqet me ndonjë propozim për ata fatkëqinjt tuaj, që kanë mbetur pa kulm mbi koka. Kam dëgjuar se edhe Shkëlqesia, Ismail Qemali, para se të ikte nga Tri Thana, ka qëndruar këtu. Se ç’ ka thënë ai dhe ç’i kanë premtuar këta, s’ e di, por e di se gjatë kohës që do pimë çaj, do mësojmë diçka të re.”

Ndërkohë, deri sa Edi po fliste me Shkëlqesinë, lozhën e gazetarve e zaptuan dy mysafirë: një zonjë e thinjur, me syza të trasha e kapello ngjyrë pëllumbi, dhe një burrë i thatë e i zeshkët, me nofulla të gjëra e mustaqe të kthyera përpjetë. Ardhja e këtyre u bë shkas i një ringjalljeje të kuzhinës, ku zihej çaji, piqeshin simitet, thekeshin bukët dhe përziheshin sallatat. Tani uria e mysafirve u shtua dhe kamarierët e kishin për detyrë të sillnin pjata të mbushura me petulla, vazo me mjaltë dhe fruta të freskëta.

S’ u desht shumë, mbase nja dhjetë pesëmbëdhjetë minuta, kur m’ atë anë derës u dëgjuan ca britma që pasqyronin më shumë zemërim e irritacion, se sa pyetje që shtrohen nga gazetarët profesionalë.

Pastaj dera u hap papandehur dhe brenda u çfaq një burrë i shëndoshë, fytyrërrumbullakët, me shtat mesatar e mustaqe të trasha, i përcjellë nga një tufë njerëzish që i shkonin prapa si grerëza të inatosura. Ai kishte veshur një kostym të zi dhe dukej i lodhur. Si të gjithë ata që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut, edhe ai ishte djersitur pak dhe një tis i lehtë djerse shquante në ballin e rrudhosur. Me sa duket, biseda që duhej zhvilluar brenda, kishte filluar përjashta, sepse pyetjet e atyre që i shkonin prapa s’ kishin fund.

Me të hyrë brenda, fjalët morën fund dhe gazetarët, sipas një rregulli të pashkruar, u këputën prej tij dhe u ulën në vendet që ishte caktuar për ”shtypin”.

Tani Xiki u ul  pranë shokëve të tij dhe s’ e hapi gojën deri sa s’ pushoi edhe pëshpëritja e fundit. Pastaj e piu një gllënkë uji dhe i përshëndeti të gjithë me radhë, për pa i harruar as miqët e ardhur nga Tri Thana.

” Jam i zhgënjyer,” tha ai. ” Hala pa hyrë në sallë dhe pa i përshëndetur miqët e këtij klubi, doni të më copëtoni. Kjo dëshmon që s’ jeni zanatllinj të mirë se, pa marrë parasysh sakrificat e mia për të ju ndihmuar me bursa e udhëtime, keni mbetur mendjefyçka… Keni harruar që kjo sallë është poaq e shenjtë sa dhe Hagjia Sofia… Keni harruar që nesër a pasnesër mund të dalim qesharakë para botës. Mbane veten, ju lutem, e mos më pickoni si mizat e xhehnemit.”

” Akuzë e pavend, kirie. Ne po bëjmë detyrën tonë,” tha një kokëshinik i veshur në xhinsa. ” A s’ jemi ne helenë? A s’ kemi arsye të shqetësohemi?”

” Kuptohet që keni, por jo deri n’ atë gradë sa të gjunjëzoheni para panikut,” tha burri i veshur në frak, të cilin zoti Markez e kishte quajtur Xiki. ” O zotëri! Kjo sallë s’ është fusha e Trojës por një sallë e perëndive. Uluni ju lutem, hani ndonjë petull, pini ndonjë lëng, pastaj shtroni pyetjet që keni.”

” Ne jemi të shqetësuar, zoti Xiki,” tha mjekrroshi i veshur në xhinsa. ” Ju po harroni që tash, pikërisht në këtë orë të ditës, zona kufitare e  vendit është zaptuar nga qindëra refugjatë turko – albanezë. Nëse informatat janë të sakta, ata po thirren se s’ kanë pretendime tjera pos të qëdrojnë ca kohë dhe, me ndihmën tuaj, të dalin m’ atë anë Largalargut. S’ ju shqetëson ky pushtim ilegalë?”

Jo, zoti Xiki dukej i qetë.

” Përse të shqetësohem,”pyeti ai. “ Unë s’ jam arqipeshkv i Kishës Ortodokse apo anëtar i Këshillit të Profetëve  që ta vras mendjen për hallet e të Madhit Zot. Unë jam tregtar dhe, herë pas here, merrem me filantropi. Nëse ky virtyt s’ ju ka rënë në vesh, mund t’ ia bëni një shkresë atyre n’ Athinë dhe t’ i pyesni kush është filantropi më i madh i Greqisë Moderne?”

“ Greqia Moderne s’ ka qeveri, zoti Xiki,” thirri zonja e thinjur, me syza të trasha. “ Greqia Moderne është e pushtuar nga nazistët e Gjermanisë.”

“ Edhe ajo është e vërtetë,” tha Xiky. “Megjithate, janë bërë nja njëqind e pesëdhjetë vjet që unë i kam humbur të drejtat për t’ u përzjerë në punët e të gjallëve. E vetmja gjë që mundem të bëjë është t’ i bashkangjitem ndonjë projekti, ta ndihmoj ndonjë të varfër, ta sheroj ndonjë të sëmurë, por jo dhe të merrem me  korrigjimin e kufijve, sepse me atë punë merret i Madhi Zot… Të gjithë keni dëgjuar për letrën që Shën Pavli ua nisi romakëve dhe ku shkruante se rrugët e tij janë të pakapshme. Ajo që na duket neve e pamundur, për të Madhin Zot është e lehtë dhe e mundur. Mos harroni që jam i krishterë, por një jetë të tërë e kam shkuar me myslimanët. T’arsyetoja si ju, s’ duhej të merresha fare me tregti. Çuditërisht, me këtë mendje që kam, u bëra milioner dhe të gjitha pasuritë që kam fituar ia kam falur Greqisë.

Një tjetër burrë i thatë, i plakur, shikoi për anash dhe kur e pa se tjerët ranë në heshtje, sinjalizoi që do ta shtronte një pyetje.

” Urdhëroni,” i tha Tsiko efendiu.

” Po flitet nëpër popull, zotëri, se ish kryeministri i Shqipërisë, zoti Ismail Qemali, pas ikjes nga Tri Thana, ka qenë edhe këtu. A mund të na thoni çka donte?”

Ai tjetri u mentua pak dhe, pasi ua hodhi një sy tjerëve, e tha ate që duhej ta dëgjonin të gjithë.

” Shkëlqesia donte përkrahje. Ne jemi fqinj të vjetër dhe gjithëmonë e kemi ndihmuar njëri tjetrin.hallet. Ju s’ ia dini vlerat atij burri, por unë që jam rritur në Meçove dhe kam ngrënë shumë bukë me myslimanët, e di se ai është një diplomat i regjur. Them kështu sepse ai ka mendime të mira e të dobishme për të dyja palët. Ai është tregtarë si ne dhe ne e dimë që tregtia po e mbanë Elin Zadën në këmbë. A është kështu more Kristaqis?”

” As që bëhet fjalë,” tha ai që quhej Kristaq.

Por kjo deklaratë e plakut kishte mangësira.

” Tani po na dëftoni kash’ e lashe,” tha një gazetar tjetër. Për çfarë projektesh bëhet fjalë?”

” Si të them, o djalë,” tha plaku. ” Bëhet fjalë për një marrëveshje të re… Me levërdi të mëdha… Siç e dini, atje poshtë po merr fund një luftë e madhe dhe Shkëlqesia, Ismail Qemali, është i ndërgjegjshëm që shumë shpejt kësaj zone t’ ia mësyjnë jo verëm rusë e gjermanë, por lloj lloj malukatesh tjerë… Çifutë, kozakë, turkmenë, tatarë e hindusë… E keqja më e madhe është se në mesin e tyre do të ketë edhe iliqarë helenë të Ari Vithkuqit, të cilët mund ta bëjnë lëm Elin Zaden… Njësoj siç e bën Tri Thanën iliqarët shqiptarë… Kjo s’ ka nevojë të jetë e vërtetë, por njeriut i shkon mendja… Nëse kjo del e vërtetë, egizton mundësia që iliqarët helenë, me ndihmën e atyre arbilonas, të hyjnë edhe në Elin Zade. Ata s’ e vrasin kokën për Këshillin e Profetëve… Ka dhe një rrezik tjetër… Që ata sëbashku t’ ia mësyjnë Urës së  Parajsës dhe ta prishin krejt rregullin hyjnor… S’ di nëse isha i qartë?”

“ Jo dhe aq, zotëri,” tha zonja Mithriades, gazetarja e gjatë, me syza të errta. “ Ne, shyqyr Zotit, kemi të gjitha të mirat që s’ i kanë arbilonasit. Për të qenë e keqja edhe më e madhe, Hyqymet beu e ka braktisur postin dhe Tri Thanën e kanë pushtuar iliqarët. Po flitet nëpër popull se ata s’ e kanë të gjatë dhe Shkëlqesia, zoti Ismail Qemal, paska dalë me një propozim që vetë ta bëjnë urën e cila shpie në Parajsë. E vërtetë është apo dikush po tallet?”   

“ Si t’ ju them, zonjë,” ia ktheu Xiki efendiu. ” Secili popull e gjen rrugën e vet. Ne kemi qenë dhe mbetemi elinë. Gjithmonë, që nga koha kur Akili ishte fëmijë e deri tani, jemi marrë me tregti Aspirata ynë shekullore ka qenë vetë të rrojmë mirë, të tjerët pak më mirë. Herë here, kur kjo ka qenë e pamundur, kemi bërë edhe lëshime. I kemi ulur çmimet. Arbilonasit donë ta ngrehin një urë që do t’ i lidhë drejtpërdrejt me Parajsën. Mbase mirë e kanë menduar. Me pak para e shumë dinakëri, hisja ynë mundet të shndërrohet në pjesë kolosale. Kjo sa i përket prohjektit. Ka dhe aspekte tjera. Siç e dini, popullësia e këtushme po shtohet dhe ne, deshëm s’ deshëm, duhet të ndërtojme vendbanime të reja. Të mos ishin fenikasit, ne do s’ do ti kishim shkronjate albaetit. Për fatin tonë të mirë, arbilonasit i kemi fqinj dhe s’ kemi asnjë të keqe nga pasuritë që kanë ata. Para së gjithash, atje ka krah të lirë pune, burra të përshtatshëm për punë dhe gra të bukura për ca lojna që s’ duhen të merren nëpër gojë. Kësaj duhet t’ ia shtojmë edhe një argument që peshon më shumë se ato tjerat: ata janë helenë të islamizuar. Me pak dhrahmi e mirëkuptim, ne mund ta dyfishonim kombin tone. Me ndihmën e Zotit dhe me dëshirën e vetë arbilonasve, mund ta zaptojmë atë regjion të Pranëparajsës dhe ta krijojmë një principatë tjetër të krishterë. Hyqymet beu është plakur, zonjë, po vdes, ndërsa prapa tij po mbetet anarkia, kaosi.”

“ Kësaj po i vjen era kërmë, zotëri, dhe mua më duket se na paski shitur për pak dhrahmi. Ashtu siç na shitën ata të Luzanës, kur nënshkruan paqë me Ataturkun.”

“ Jazëk iu qoftë nëse kanë bërë diçka të tillë, tha njëri që quhej Mihal Tocitas.

Fjalët e këtij shkaktuan rrëmujë. Jo se Xiki efendiu tha diçka të paqenë, por sepse edhe zoti Mihal kishte jetuar midis myslimanëve dhe kishte mbaruar karrierën e tij si drejtor banke, filantrop e multimilioner. Si Mihal efendiu, që kishte veshur një kostum vija – vija, ashtu dhe Xiki efendiu ishin meçovarë e dallaverxhinj të mëdhenj.

“ Po përse jeni mbledhur atëherë,” pyeti gazetari i thatë, me nofulla të forta e mustaqe të dredhura përpjetë. “ Keni harruar që myslimanët janë armiq tonë? Keni harruar që pesqind vjet na kanë shqelmuar si kanë dashur vetë? Tani që ujku iu ka hyrë në shtëpi, ata donë të fshihen në Elin Zade. Mos donë, vallë, t’ i presim edhe me lule? Pse s’ ua lëshojmë edhe shtëpitë tona e të mbytemi në detë?”

Xiki efendiu e ndjeu veten keq. Kishte pritur ai gjithçka tjetër por jo dhe një revoltë kaq të hapur.

“ Po e teproni,” tha ai duke i fshirë djersët e ballit. ” Askush, ama askush, s’ ka kërkuar që t’ ua lëshojmë shtëpitë tona dhe të mbytemi në detë. Kjo s’ do të thotë se ajo që unë apo Kristaq efendiu ju kemi shitur vetënm e vetëm se kemi pirë një çaj me Shkëlqesinë, ish kryeministrin e një vendi të huaj. O vëllezër elinë! Dëgjoni këtë Xikin e çmendur, se s’ do na bie keq. Atje lart, në krahinën Kratis, po zhvillohet një tragjedi. Njëri po e quan  kryengritje, tjetri revolucion, por unë po e quaj me emrin e saj të vërtetë. Ajo është tragjedi. Me qindra njerëz të pafajshëm janë vrarë dhe me mijëra të tjerë e  kanë këcyer kufirin për ta shpëtuar kokën.  Ata i kanë vënë shpresat te i Madhi Zot, por Zoti i ka harruar arbilonasit. Kështu ndodhë me ata që janë të pabindur. Ky, pra, s’ është ndonjë ngushllim i madh sepse ata – duke mos mundur të kalojnë nëpër vendin tonë – do të qëndrojnë aty ku janë. A dini ç’ do të thotë kjo? Do të thotë se ata, duke mos patur çka të hanë e çka të pijnë, do të sëmuren vetë dhe do na infektojnë edhe neve. Kjo do të thotë se në trupin e Elin Zades do të rritet një kancer i rrezikshëm, planetor, që do na shfaros të gjithëve. Kjo është arsyeja pse duhet të arsyetojmë me kokë të ftohtë… Pse duhet të flasim me njëri tjetrin… Përderisa Hyqymet Pasha ka ikur nga Tri Thana dhe përderisa patriku Nikodemus po hesht, dikush duhet ta hap gojën.”

Ai akoma s ’ e kishte mbaruar fjalinë kur sallën e pushtoi një zukamë e përzjerë me çkaçka, kushtha, psetha, e të ngjashme, që e detyroi zonjën Mitriades të çohet në këmbë.

” Ani si e keni ndër mend të bëni?” pyeti ajo.

” Unë dhe këta miqët jemi filantropë,”tha zoti Xiki. ” Ne, në përpjekjet tona, jemi udhëhequr nga mësimet e Jezu Krishtit, që na mëson se të afërmin duhet ta duam më shumë se veten. Po kush janë të afërmit në këtë rast?..”

” Janë ata që na kanë vrarë dhe na kanë ndjekur si egërsira,” murmuroi dikush nëpër dhëmbë.

” Mos flisni nëpër dhëmbë, se do t’ ua jap të gjithëve fjalën,” tha Xiki efendiu. ” Unë jam lindur si i krishterë dhe do ta ndjek misionin tim. Kush janë, pra, të afërmit e mi në këtë rast?  Janë ata që s’ kanë bukë në sofër dhe kulm mbi kokë. Pas kërdisë që ka ndodhur në fshatrat e tyre, ata donë ta kalojnë Largalargun si çifutët që e kaluan Detin e Kuq, por kjo s’ është punë që bëhet. Se s’ duam ne? Jo. Ajo s’ është e mundur për arsye se bie ndesh me kufijt që ka caktuar i Madhi Zot. Pikërisht për këtë arsye jemi mbledhur sot si filantrop, elinzadas e të huaj, që bashkarisht t’ ia zgjatim dorën atij populli të ngratë. Unë e kuptoj shqetësimin tuaj, se i shqetësuar jam edhe vete. Megjithate, përderisa priftërinjtë e politikanët të merren  me plagët e tij, dikush duhet ta ndihmojë me bukë e me ujë, ashtu siç na kanë ndihmuar edhe ata dikur. Apo si thoni, Abas pasha? Ju keni më shumë përvojë nga këto punë.”

Ai që quhej Abas dhe kishte më shumë përvojë n’ ato punë ishte një burrë i zeshkët, i plotë e me mustaqe të thyera përpjetë. Ndonëse pinjoll i një dere të shquar dhe ish zëvendësmbret i një perandorie, ai kishte ardhur në kostum të përditshëm dhe pinte vetëm çaj.

” Unë s’ e kam dashur dhunën,” tha ai. Qetë – qetë. ” Dhuna s’është e mirë për t’ i zgjidhur konfliktet. Jam mysliman me fe, njësoj si të parët e mi, por kam jetuar edhe në vende të krishtera. Nëse më pyetni për kombësi,  unë, ndonëse tërë jetën e kam shkuar me arabë, do të thoshja se jam shqiptar. Ate e thonë edhe fëmijët e mi, sepse s’ është e natyrshme të jesh diçka që nuk të ka krijuar Zoti. Jam shumë shqiptar dhe pak arab. Do të kisha qenë edhe më i lumtur sikur t’ isha i pasur si Xiki efendiu dhe me gjithë qejf do ta ndihmoja në veprimtarinë e tij, por s’ kishte qenë dëshirë e të Plotfuqishmit që ta përfundoja karrierën as si mbret, as si filantrop. Përkundrazi, në vend se të vdisja atje ku jam lindur dhe pranë familjes time, ngela i varfër po dhe i nderuar. Si kediv dhe zëvendës sulltan i Perandorisë Osmane kam marrë sëpaku nja njëzet e pesë dekorata të urdhrave evropianë dhe po t’ ia shisja ato, do të fitoja aq sa t’ i ndihmoja ca njerëz të varfër. Mjerisht, falë Britanisë së Madhe, ngela pa kurrëfarë të ardhurash…”

Ai piu një gllënkë çaji dhe, pasi e ndezi një cigare, pyeti me modestinë e njeriut të qytetëruar:

” Mos po ju bezdis?”

” Vazhdoni, vazhdoni,” i tha njëri që quhej Evgenidis.   

” Atëherë po vazhdoj,” tha ish kedivi i Mbretërisë Arabe. ” Një fjalë e urtë thotë se varfëria është e shtrenjtë. Unë tërë jetën kam qenë politikan dhe, në mungesë të florinjëve, dua t’ u jap një këshillë vëllazërore. Mos i trajtoni arbilonasit si të rrezikshëm. Ata janë tepër të varfër për t’ ua dashur të keqen. Ikja e tyre, sa është njerëzore, aq është edhe politike. Ata po e kërkojnë ndihmën tuaj që ta fitojnë një të drejtë të cilën ju e keni gëzuar me shekuj. Kjo ka ndodhur sepse ju keni qëlluar të krishterë dhe s’ keni shumë sens për ta kuptuar evolucionin. Ata, që ju po i quani barbar e të pabindur, janë definitivisht më të urtë e më të qytetëruar se të gjithë turqit, arabët e hindusët sëbashku. Këte mos e merrni si fyerje, por si kompliment. Ata janë aq të qytetëruar saqë kurrë s’ iu zemërohen katolikëve arbilonas se shkojnë në kishë dhe i luten Jezu Krishtit. Ata janë aq të qytetëruar saqë kurrë s’ iu zemërohen ortodoksve arbilonas që shkojnë në kishë dhe i luten Shenjtës Mëri. Ata janë poaq të qytetëruar saqë kurrë s’ iu zemrohen arbilonasve myslimanë që shkojnë në xhami dhe i falen  të Madhit Zot. Mjerisht, as katolikët italianë, as ortodoksët grekë, as myslimanët arabë s’ e kanë të qartë tolerancën e tyre perandorake. Përkundrazi… Le të sugjerojmë se ju do ta bënit zemrën gurë dhe do t’ i shoqëronit deri te ajo Ura që e lidh vendin e tyre me Parajsën. Po pastaj? Çka do të ndodhë pastaj? Kush engjull do t’ i ndihmojë ta kalojnë atë derën që është më e ngushtë si vrima e Gjilpërës? Ku do të thejnë qafën ata katolikë, ortodoks e myslimanë?”

“ Të shkojnë ku të donë,” tha njëri që quhej Duro. “ Mos keni ndonjë idé?”

Shkëlqesisë, Abasit të Dytë, s’ i pëlqeu ndërhyrja, por e mbajti veten.

“ Kemi, si s’ kemi,” tha ai, por s’ ishte i sigurtë që ishin të dobishme. “ Ajo më e mira do t’ ishte të themelonim  një komitet të përbashkët dhe në radhët e tij t’ i inkuadrojmë dy tre katolikë, dy tre ortodoksë dhe dy tre myslimanë. Roli i këtyre të fundit s’ duhet neglizhuar sepse midis arsyes dhe inatit, këta e preferojnë inatin. Kjo puna e inatit po ma kujton stërgjyshin tim të famshëm, i cili, ndonëse vet mysliman, më shumë i urrente turqit se sa çobanët. Pyetne Xiki efendiun dhe ju dëfton. Im gjysh, rahmet i pastë shpirti, vertet therri ca arabë, ata e shanë sa e shanë, por më në fund e kuptuan se ai punonte të mirën e përgjithshme. Dua të them se s’ duhet shikuar vetëm veprimi i një robi, po dhe qëllimi i tij kryesor. Më sa po kuptoj unë, shqetësimi juaj është i arsyeshëm dhe arbilonasit, nëse kanë pak mend në kokë, do ta mirëpresin ndihmën e atij komiteti. Besoj se duke u këshilluar me Këshillin e Apostujve,  ai komitet do ti ndihmojë të dy popujt. Se sa ndikim do ketë tea ta që kanë hyrë në territorin tuaj, nuk e di pork am shpresa të mëdha se suksesi i saj do jetë i mbarë. Aq më tepër që arbilonasit, edhe sikur t’ i përcillni deri në Parajsë, s’ ndahen nga njëri tjetri. Ata e njohin vetëm të Madhin Zot dhe pak mërziten për kisha e xhamia. Do t’ isha i lumtur ta mësoja mendimin tuaj.”

Tryezën e mbërtheu një heshtje e rëndë. Me sa duket, as vetë Abas efendiu, s’ ishte i sigurtë në peshën e idesë që e kishte shpalosur.

” Ti les, more Kristaqi?” pyeti Xiko e fendiu. Ai sillej mirë me të gjithë anëtarët e klubit, por Kristaq efendiun e kishte edhe këshilltar.

” Si të them,” tha Kristaq efendiu duke e fërkuar mustaqen e tij të gjatë. Ai ishte i shkurtër, kokëmadh, i vërenjtur dhe gjithmonë vishte një pellush që qepur nga lëkurat e buklave. ” Një komitet i përbërë nga baroni Pastro Vekio, konti Franz Nopça, markezi fon Iblizi, princi Grigor Gjika, Xiki Efendiu, Mihal Efendiu e ndonjë tjetër s’ është për ta sharë. Mjerisht, ne s’ jemi mbledhur këtu për t’ i ndryshuar kufijt që ka caktuar i Madhi Zot, por për ta dëgjuar mendimin e shoqo shoit. Ideja e Abas Pashës është e mirë, e njerzishme dhe e levërdishme për varfanjakët që kanë mbetur pa kulm mbi kokë, por assesi për neve që jetojmë këtu prej shekujsh. Ne sikur s’ kemi tjera punë pos t’ ua mbushëm zorrën atyre që deri dje ishin të krishterë dhe sot janë myslimanë. Ndiej keqardhje që  po duhet t’ i kundervihem Abaz Pashës, burrë shumë i merituar, por kur bëhet fjalë për çeshtje të jetike, unë I preferoj masat radikale dhe afatgjata. Për mendimin tim, zgjidhja më e mirë do t’ ishte që çdo ikanak që e kalon kufirin e Elin Zades ta puthë këmbët e Jezu Krishtit dhe të konvertojë në fenë ortodokse. Pse të mos ia puthin këmbët? Ata edhe ashtu kanë qenë të krishterë para se Jorgo Kastrioti ynë të konvertonte në fenë islame…”

Kristaqi deshti të thonte edhe diçka tjetër, diçka mbi shpërnguljet e kristianëve përtej detit, por fjalën ia preu ai gazetari i trashë, i veshur me xhinsa të shqyera.

” Mos dilni me dëngla, Kristaq efendi. ” Pa marrë parasysh që s’ e njoh Abas Pashën, dhe pa marrë parasysh që s’ i dua arbilonasit, e drejta po më nxitë t’ ua kujtoj se ai ka të drejtë. Unë s’ jam arbilonas, por e kam lexuar historinë e tyre. Ajo që thatë mbi Jorgo Kastriotin s’ qëndron. Për të qenë e keqja më e madhe, Kastrioti ka qenë më shumë mysliman se sa i krishterë dhe më shumë iu ka lutur atij Zotit që flet arabisht, se këtij tjetrit që flet greqisht. Por kjo sikur s’ ka lidhje me pyetjen që dua t’ ua shtroj. Ju thatë se e mira do t’ ishte që ata njerëz që kanë hyrë apo duan të hyjnë në Elin Zade duhet të kthehen në fenë e mirfilltë, pra, në fenë ortodokse. Po mirë, o vëlla, si do ta realizoni atë idé gjeniale? A jeni konsultuar ndopak midis vedi? Fjala vjen me Xiki Efendiun, Mihal Efendiun, kir Hektor Dulon, kir Benakin, Abas Pashën, baronin Pastro Vekio e të tjerët?”

” Jo dhe aq,” tha Kristaqi.

” Veçse qenki konsultuar,” nguli këmbë gazetari. ” S’ e keni, vallë, ndër mend të na sillni edhe këta arbilonas siç bënit dikur me epirotasit e Veriut? Ju mbase keni harruar, por kështu na kripnit kokën n’ atë kohë. Epiri që Epiri. Epiri duhet të çlirohet, Epiri duhet të kristianizohet, Epiri duhet t’ i bashkangjitet Eladës. Ama as u çlirua, as u helenizua. Përkundrazi, e morën myslimanët he akoma po e mjelin si lopën. S’ ka lidhje se cilët janë… Ata me Allahun apo ata me t’Ynëzot. Shi për ate, do të thoshja se më mirë është t’ i leni atje ku janë, jasht kufirit të Elin Zades dhe të mos i ngatrroni në jetën tonë.” * ketu ?

Kristaq efendiu e pa gazetarin me përbuzje.

” S’ jemi ne, që po ngatërrohemi në jetën e tyre,” tha ai. ”Janë ata që po ngatërrohen në jetën tonë. Shi për këtë arsye, nëse s’ i nxjerrim të gjithë priftërinjtë në kufi, punën do ta kemi pisk. Nëse donë të shkojnë në Parajzë, arbilonasit le ta gjejnë rrugën që shpie atje pa ndihmën tonë. Por nëse e kalojnë kufirin e Elin Zades, duhet të bëhen elinë. Çfarë do fitojnë që do bëhen elinë? Do të fitojnë shumë. Duke u pagëzuar në fenë tonë, ata do ta vënë në vend respektin që i takon të Zotit dhe birit të tij, Jezu Krishtit. Kjo e para. Duke u zhveshur nga një fe e huaj, ata do të kthehen në gjirin e tyre. Unë e di, se jam rritur midis tyre, po dhe ju e dini që ata kanë qenë elinë dhe ortodoks qysh nga koha kur Shen Pavli kaloi nëpër Epir. Kjo e dyta. Duke u kthyer në fenë autentike, ata do ta harrojnë atë Gobin që i Madhi Zot ua ka lënë në Parajsë dhe do të hyjnë bashk me neve. Ku të hyjnë mijra e mijëra helenë, le të hyjnë edhe ca abrilonas bythëshqyer. Një fjalë e urtë thot më mirë vonë se kurrë. Kështu veproi Jortgo Kastrioti. Ai gjatë kohë i theu gjunjtë para atij Zotit që fliste arabisht, por më në fund e kuptoi se i Plotfuqishmi kuptonte vetëm greqisht.”

” S’ di pse duhet ta përvehtësojmë Jorgo Kastriotin, apo ndonjë kastriot tjetër, kur kemi me dhjetra kastriotë elinas,” tha gazetari i veshur në xhinsa. Jorgo Kastrioti s’ ka qenë shqiptar, por vllah.”

Këtë herë gazetari i trashë sikur preku diku ku s’ duhej, sepse Kristaq efendiut i hipi gjaku në kokë.

” Ti mbylle gojën,” i tha. ” Ti s’mundesh të dijsh më shumë se unë. Unë jam nga Qesarati, ti je nga Smirna. Mbushe aty gazetën tënde me llafe dhe rri urtë. Ne që e kemi mbajtur Elin Zaden me bëma, dijmë ta qërojmë dhe nga plehrat. Eshete katalavi?”

” Ne, kirie mu,” tha gazetari.

Sado të zhveshura nga inati që ushqente kundrejt gazetarit me xhinsa të shqyer, fjalët e Kristaq efendiut ranë si gogla plumbi në sallë. Një heshtje e pakëndshme e mbuloi tryezën e rrumbullakët. S’ ishin fjalët që e përgjakën aq shumë harmoninë e asaj salle, sa toni qysh i artikulloi ato ish kreditori i sulltanëve turq.

” Krejtësisht i panevojshëm,” murmuroi dikush.

Xiki efendiu, që n’ atë çast e kishte ulur kokën, e dëgjoi fjalinë e artikulluar me ze të ulët, por s’ e kuptoi qartë se ku e kishte hallin baroni Pastro Vekio.

” Urdhëroni, zoti Baron,” tha ai. Gjithnjë i kërrusur nën putrat e heshtjes që e kishte pllakosur sallën.

” Po flisja me veten,” tha baroni. ” Po i thoshja vetes që ky debat është i panevojshëm. Duke marrë parasysh se një popull i tërë, gra e burra, fëmij, pleq e plaka, janë zhgulur nga fshatrat e tyre dhe rrezikojnë të vdesin nga uria, dhe duke marrë parasysh që ca të krishterë donë t’ ia zgjatin dorën, dhe duke marrë parasysh që ardhmëria e atij populli varet nga vendimet që do merren nga vetë i Madhi Zot, çdo disput rreth Jorgo Kastriotit është i panevojshëm. Që të mos dal i keqkuptuar, do t’ ua shtroj një pyetje: Ç’ lidhje ka feja e Jorgo Kastriotit me tragjedinë e arbilonasve? Jorgo Kastrioti prehet diku larg, ndërsa arbilonasit që derdhën gjak për ta mbrojtur Kristianizmën, në këtë orë të ditës s’ kanë as ujë për ta njomur buzën?”

Asnjëri s’ e hapi gojën. Të gjithë e dinin se Kristaq efendiu s’ do të ikte nga salla pa thënë diçka.

“ Zoti Baron s’ ka nevojë të flasë më vete vetëm se e përmendëm emrin e Jorgo Kastriotit apo ia dëftuam vendin një lahperi. Ka kohë që ai kokëdush, sa herë që bie fjala mbi Jorgo Kastriotin, gjithmonë na tharton pasditet me deklarata se gjoja ne, me të padrejtë, e bëjmë të lartpërmendurin elin, dhe se Jorgo Kastrioti paska qenë arbijonas dhe mysliman. Po e shfrytëzoj rastin t’ ua kujtoj edhe juve se unë jam nga Qefsarati dhe, gjatë kohës që kam ndenjur gju më gju me sultan Azizin, kam patur rast të mësoj se i lartpërmenduri Kastrioti, në letrat që ua dërgonte mbretërve evropjanë, ua kujtonte prejardhjen e tij të vërtetë. Ai ishte epirotas. Kini mirësinë e më thoni – ku gjendet Epiri? Ju keni studjuar në Padova apo jo? Ju e njihni Evropën me pëllëmbë, se keni ngrënë e keni pirë me poetë, shkrimtatë e filozofë dhe keni botuar disa libra. Ku gjendet Epiri, ju lutem?”

“ Përballë ishullit Kerkyra,” tha baroni, duke shënuar diçka në fletoren e tij.

Sytë e Kristaq efendiut veshën një vështrim ngadhnjyes.  

“ Shumë faleminderit,” tha ai duke e fërkuar mustaqen me dorë. “Kjo dëfton që ju s’ e keni shkuar kohën kot dhe respekti që keni gëzuar në pallatin e Katarinës së Madhe s’ ka qenë i paarsyshëm.”

“ Edhe unë mendoj si ju.”

Kristaq efendiu do bënte mirë ta lente me aq dhe të mos shkonte më thellë, por ai ishte tregtar i madh dhe fama që kishte fituar në Stamboll e nxiti ta fyente edhe ate që kishte marrë guxim ta mbronte ate bythëgrisurin tjetër që gjithmonë i shtronte pyetje të mbrapshta.       

” Unë isha shumë i ri kur bejlerët e Stambollit flisnin me zili mbi aventurat tuaja nëpër Evropën Qendrore dhe gratë me të cilat flinit gjatë natës,” vazhdoi Kristaqi. ” Pikërisht për atë arsye i shqyeja gazetat që flisnin keq dhe ju quanin gënjeshtar, falsifikues, intrigant, e ku di unë. Njërën prej tyre, madje, e dogja në sy të prndërve, sepse shkruante mbi dënimin që ua pat shqiptuar Gjykata e Amsterdamit.”

Baronin Pastro Vekio e mbërtheu një gaz i lehtë.

” Paski gabuar,” tha buzagaz.

” Qysh paskam gabuar?” e pyeti ish drejtori i Bankës Osmane.

” Unë do t’ ju dëftoj, por me kusht që ju të mos ia thoni kujt,” tha ai duke e vënë gishtin tregues mbi buzë.

Ai ishte një burrë i pashëm dhe sikur ishte veshur apostafat për ta nevrikosur atë korbin e thinjur që tërë kohën e fërkonte mustaqen. Ishte zeshkan dhe flokun e kishte të bujshëm e të shtrirë mbi një tallagan të kaltër, nën të cilin shquante jeleku i qendisur me pulla të arta, një palë pantallona triçerekshe, çorapat e bardha dhe këpucët e qepura me cohë mëndafshi.

” Mos kini dert,” e siguroi Kristaq efendiu.

” Do bënit mirë të mos e digjnit atë gazetë,” tha baroni, duke e parë Kristaq efendiun në sy. Retorika që kishte mësuar në shkollë kërkonte të mos ngutej. ” Pse, do thoni. Sepse nga aktgjykimi që është botuar në faqet e asaj gazete do të mësonit shumë çuçuritje dhe pak të vërteta. Ajo më e para që është shënuar n’ atë  dhe të parået e mi, të cilët, në vend se të turreshin drejt detit, preferuan të marrin malet dhe atje ta bëjnë jetën e tyre. Vendimi i tyre s’ ishte aq i mençur, por atëbotë krushqia ishte e shenjtë. Fatlumnisht, atje gjendej edhe Raguza, një qytet i bukur bregdetar, të cilën e kishte vizituar ai Kastrioti mysliman para se të shkonte në Romë dhe ta takonte Atin e Shenjtë. Të parët e mi mbase e gënjenin veten që armiku Turku do ta humbte luftën, por dolën të gabuar. Përderisa e prisnin atë kumt në malet e Cërna Gorës, Turku i rrafshoi të gjitha principatat e krishtera dhe i zaptoi qytetet e tyre… Ra Shkupi, ra Janina, ra Shkodra dhe radhën e kishte Venediku apo jo?”

” Askush s’ i ka mohuar këto, zoti Baron,”tha Kristaq efendiu. Ai e kish kuptuar gabimin e tij dhe donte ta zaptonte zotin Pastro Vekio. ” E kam fare të qartë se të parët e Zotrote i humbën të gjitha pasuritë dhe duhej të mbijetonin. Baba i juaj ishte peshkatar, apo jo?”

” Jo, zotëri, ai s’ ishte peshkatar,” tha baroni. ” Sikur t’ ishte peshkatar, do na mësonte të gjuajmë peshq e jo të shkojmë në Padova për të studjuar. Se sa është shënuar kjo gjë n’ atë aktgjykimin që e paski lexuar, s’ e di, por e di që asnjë peshkatar i rritur në Gadishullin Ballkanik s’ ka qenë aq i aftë sa të ulet e të pijë verë me ca filozof si zoti Volter, zoti Rouseau apo shkrimtari Montesqiueu. Me këtë dua t’ ua bëj të qartë se kam kaluar shumë vite në Padova, duke studjuar gjuhët që fliteshin nëpër Evropë. Pastaj dola të kërkoj aleatë. Kjo s’ ishte punë e lehtë, por unë s’ u gjunjëzova para vështirësive, grackave, intrigave dhe propagandës së armiqve. Unë e dija ate që ishte më e rëndësishme: se nëpër venat e mia rridhnin edhe ca pika gjaku të atij Jorgos që ju e përmendët më parë. Më lejoni t’ ua kujtoj se ai, para se të bëhej katolik, ortodoks apo mysliman, ishte epirotas. Dhe ishte ai që me arbijonasit e tij e mbrojti Krishtërimin e s’ kërkoi prej askujt ta nderonin me fenë katolike, ortodokse apo myslimane, sepse si njëra, ashtu dhe të tjerat, e hyjnizojnë të njejtin Zot.”

” O, vëlla baron,” thirri një filantrop tjetër. ” Pyes veten ku ma paske gjetur gjithë atë urti pos në shkollat e politikanëve myslimanë?! E di Zotrote se dielli s’ fshihet me shoshë? Fetë që përmende janë në luftë me njëra tjetrën. Myslimani s’ ha bukë me të krishterin. Kaq thjesht është puna. Katoliku s’ ha bukë me ortodoksin. Ato kanë qenë në luftë me njëra tjetrën qysh se u prish Perandoria e Madhe dhe bota u nda në tre çerekë.”

” Edhe atë e kam shoshitur me teologë të shquar,” nguli këmbë baroni. ”Gjatë endjeve të mia nëpër Evropë, duke filluar nga Parisi e deri në Shën Petersburg, kam debatuar me priftërinj katolikë e ortodoks dhe tërë kohën kemi ardhur në përfundim se të Madhit Zot s’ i prishet qejfi që dikush i lutet latinisht, dikush tjetër i lutet gërqisht dhe një i tretë i lutet arabisht.”

Ky ishte paganizëm. Kjo ishte blasfemi. Ata  sikur s’ishin mbledhur aty për një konsultë filantropësh, por per një betejë si ato që kishte zhvilluar princi Drakula kundër kalorësve turq. Sytë e Herkul Duros u përkuqën, fytyra iu nxi.   

” Dilni në fushë të mejdanit, o vëla,” thirri ai. “ Kërkoj ndjesë që po e ngre zërin, por shi në këtë çast jeni duke shkelur të gjitha parimet e Klubit tonë dhe po habitem që Xiki efendiu s’ po ua dëfton vendin. Ne, i shumënderuar, s’ jemi mbledhur këtu për të debatuar mbi gjenezën e atij Kastriotit, që de facto ishte pak më shumë çoban se epirotas, por për të marrë qendrim mbi politikën që duhet të ndjekim kundrejt atyre kanë hyrë në Elin Zade: t’ i presim siç propozoi Abaz Pasha, me komitete e delegacione, t’ i presim siç thot Kristaq efendiu, me priftërinj e kryqa në duar apo t’ i presim si thoni ju, që vendin ta bëjmë pazar të Gorçës? Dilni, ju lutem, në fushë të mejdanit dhe të marrim një qëndrim.”         

Baroni i kafshoi nofullat. Sipas rregullores, kjo ishte replika e fundme dhe, pas asaj, anëtarët e klubit duhej të merrnin qëndrim.

” E dëgjova mendimin e Shkëlqesisë, Abaz Pashës,” tha ai, dukshëm i mllefosur. ” E dëgjova dhe mendimin e Kristaq efendiut. E kam dëgjuar dhe mendimin tuaj. Po thoni se besoni të Madhin Zot, Birin e tij Jezu Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë. Po thoni, poashtu, se i Madhi Zot e ka krijuar Parajsën për të gjithë fëmijët e tij. Kam respekt për idealet tuaj, sepse edhe vetë jam i krishterë ortodoks, por s’ e kam të qartë përse duhet t’ ua ndërrojmë fenë ca varfanjakëve katolikë apo myslimanë për një kafshatë buke apo një copë are që është e tjetërkujt?! Dhe kush ua ka dhënë atë  të drejtë që t’ ua japim apo marrim të drejtën që ua ka dhënë i Madhi Zot: të drejtën t’ i luten Zotit në cilëndo kohë dhe cilëndo gjuhë që donë vetë? Unë, fjala vjen, jam ortodoks, por i dua dhe katolikët, myslimanët, çifutët, jazidët e të gjithë fëmijët e tij…”

Baroni e kishte ndër mend të thonte edhe ca fjalë dhe t’ ua kujtonte miqëve të tij se ai, pa marrë parasysh ato që ishin shkruar nëpër gazeta, ishte kushëri i largët i kastriotasve por ata, si për inatin e tij, brofën në këmbë e qëndruan me kokë teposhtë, duke dhënë të kuptohej se të gjitha diskutimet kishin marrë fund. Kështu veprohej çdo herë që vinte koha për të dalë në Kopshtin e Tulipanëve dhe, pas një çaji që pihej shpejt e shpejt në verandë, secili ikte në shtëpinë e tij.

Xiki efendiu e dinte përmenç detyrën e tij.

Ai e nxori facoletën nga xhepi dhe, pasi e fshiu ballin e djersitur, i falenderoi anëtarët e klubit për gatishmërinë e tyre të vinin n’ atë konsultë të natyrës urgjente. Pas debatit që u zhvillua në frymë vëllazërore, ai konstatoi se shumica dërmuese ishin të mendimit që çdo arbilonas i cili kundërshtonte të konvertonte në fenë ortodokse, duhej të pëzihej përtej kufirit. Ai e përfundoi konsultën me këto fjalë:

” Miq të dashur, efaristo poli. Si juve që erdhët nga Elinopoli, ashtu dhe juve që erdhët nga Arbiloni. Pa marrë parasysh që ne, si afaristë e filantropë, kemi ndikim të madh, i Plotfuqishmi është edhe më i madh se ne. Asgjë s’ bëhet pa dëshirën e tij. Ne morëm një qëndrim, por qëndrimet tona janë si kullat e letrave. Sot qëndrojnë, nesër rrëzohen. Nëse është e shkruar që fqinjët tanë të çojnë dorë nga fetë e rrejshme, do t’ i pranojmë me krahhapur dhe fitorja do jetë e përbashkët: vendi do të mbushet me qytetarë të rinj, me shkolla të reja, dhe me një frymë të re bashkpunimi. Më në fund, kufijt midis vendeve tona do të shemben, e shkuara do harrohet dhe, me lejen e Plotfuqishmit, do shkojmë bashkarisht në Parajsë. U bëftë si ta ketë shkruar Ai!..

” Amin!” thanë të tjerët.

“ Atëherë s’ na mbetet tjetër pos të çohemi dhe, bashkarisht, si bij të të Madhit Zot, ta bëjmë atë shetitjen e zakonshme deti te Rrapi i Shamive dhe të ndahemi nga njëri tjetri.”

“ Amin,” thanë të tjerët.

“ Zoti e bekoftë Elin Zaden,” uroi Xiki efendiu.

“ Amin,” bënë edhe tjerët dhe, njëri pas tjëtrit, dolën nga salla ku kishin pirë çaj e debatuar me njëri tjetrin.

Përjashta mbretëronte një pasditë e këndshme dhe ata e ndoqën një rrugicë që gjarpëronte butë nëpër Fushën e tulipanave dhe çonte drejt e ke një rrap që shquante në largësi. Ai ishte i trashë dhe degët e tij ngjiteshin deri në qiell. Atje prisnin edhe pajtonat e atyre që do t’ iknin menjëherë pasi ta pinin nga një gotë uji te Kroi i Dhimitrës. I pari ecte konti Mihal efendiu, pas tij, tufa tufa, duke qeshur e duke komentuar ato që ishin thënë në Sallën e Zotave, shkonin anëtarët tjerë.

Papandehur, deri sa po e ndiqnin rrugicën, dikush hyri midis tyre dhe i zuri të dy nën sjetull. Ishte Xiki efendiu, tani më i gjallë dhe më i butë në sjelljet e tij.   

“ Nderimet e mia,” tha ai duke iu drejtuar markezit. Ç’ është kjo që po ndodhë me juve zoti Markez? Në vend se të plakeni, sikur për çdo ditë po bëhi më i ri.. Si keni qenë me shëndet? Si ju vajti rruga?”

” Oh, hove – hove,” tha Shkëlqesia. ” Sot e kemi shkuar për qejf dhe duke arsyetuar rreth ndryshimeve që po ndodhin këtej e atej kufirit. Popull i madh ishte ngritur nga Tri Thana…”

Ai tjetri shikoi drejt rrapit që shquante në ball të kodrës.  

” Do bëhet mirë,” tha. ”Të gjitha i ka mentuar i Plotfuqishmi. Po  ky zotëria?”

” Oh, entschuldigung, bitte,” tha Shkëlqesia. Ky është ai Mjeshtri për të cilin ju kam shkruar disa here. Ky zotëria është marrë me poezi, prozë, kritikë letrate, estetikë, gjuhësi dhe muzikë. Ai miku i tij Gijom Apolineri e ka quajtur Bibliotekë e Gjallë, sepse s’ leni libër pa lexuar dhe femër pa rrokullisur. Një kohë ka qenë edhe këshilltar i mbretit të Albanisë, por tani ka ardhur në Arbilon dhe po qëndron në çiflikun e Katër Muzave. Ai zotëria tjetër është Doktor Gjilpëra, mjek i tij personal dhe ekspert në vlerat e pakontestueshme të asteroterapisë.”

” Herome,” tha filantropi i madh, duke ua zgjatur dorën. ”Më bëhet qejfi që dolet edhe te ne. Ani, si ju dukën qëndrimi ynë? Pak i vrazhdë, apo jo?”

“ Jo dhe aq,” tha Mjeshtri. “Arbilonasit janë stërnipër të Kainit dhe s’ meritojnë trajtim më të mirë. Në vend se t’ i urrejnë armiqët shekullorë dhe të mentojnë pak për fëmijët e tyre, ata bëjnë të kundërtën. Më shumë i duan armiqët se sa njëri tjetrin. Ju s’ e dini historinë e tyre, por sipas të dhënave që janë gjetur në Bibliotekën e Aleksandrisë, ata kanë derdhur lumenj gjaku për ta çliruar Turqinë, Egjiptin, Sudanin, Greqinë e ca principata tjera, por për veten s’ kanë bërë gjë. Bëni mirë t’i nxirni jasht Elin Zadesë, sepse n’ atë mënyrë do shpëtoni veten dhe familjet e tyre. Ata janë të mrekullishëm kur e shohin bythën e  viçit, por janë të ngathët kur e mbushin barkun me mish.”

Ky dukej i çuditshëm. Xiki efendiu s’ kishte dëgjuar kurrë që njerëzit, duke e shikuar bythën e viçit, ngazlleheshin deri n’ atë gradë sa bënin mrekullira. Megjithate, duke marrë parasysh se ai miku ndoshta ironizonte me të, vendosi t’ i shmangej logut të mejdanit.  

” S’ e di a patët rast të njiheni me anëtarët e klubit tonë, po jam i sigurtë se ai që do të gëzohej të mësonte diçka mbi arbilonasit është baroni Pastro Vekio. Provoni të njiheni me të, burrë i shkëlqyeshëm. Unë kam pakt ë ngutur, se duhet të falem me ca miq që do t’ ikin përnjëherë. Mirupafshim, Shkëlqesi. Mirupafshim zotërinj. Gëzohem.”

” Heromaste episis,” ia ktheu Mjeshtri.

” Ou. Ju flitki dhe elenika,” tha tjetri.

Ajo rrugicë s’ ishte si rrugicat tjera. E shtruar me pllaka mermeri dhe qilima afganë, ajo gjarpëronte një tatëpjete të mbjellë me tulipane të bardhë e të kuq dhe ua mbushte mushkëritë me aromën e një bote që s’ e kishin përjetuar kurrë. Duke kaluar pranë një shkëmbi të cilin vendasit e quanin Guri i Gjatë, sytë e tyre u ballafaquan me një pamje marramendse: në vend të tulipanave ata e panë një kreshtë, në majën e sëcilës nusëronte një rrap ibret i madh dhe nga rrënjët e të cilit dilte një lumth i fuqishëm nëntokësor. Një Zot e di se sa vjet i kishte ai lis, por vendasit e konsideronin me si qenie të shenjtë. Atje, pra, nën degët e tij, ishin mbledhur shumë njerëz dhe kuvendonin me njëri tjetrin. Edhe pak dhe antarët e klubit KFP do të ngjiteshin në pajtonet e tyre dhe do të iknin në shtëpi. Atje priste edhe pajtonxhiu me të cilin kishin ardhur n’ atë vend.

Ata iu qepën tatëpjetës me qejf të madh. Më në fund, do ta pinin nga një gotë të atij uji të mrekullishëm dhe do të ktheheshin nga kishin ardhur, por sa më shumë që i afroheshin atij vendi, aq më qartë e kuptonin se nën degët e tij, përpos njerëzve që kishin marrë pjesë në konsultën e Xiki efendiut, kishte dhe vizitorë tjerë, ca me mjekrra, ca pa mjekrra, ca të veshur si aristokratë, ca të veshur si borgjezë, ndërsa aty këtu edhe ndonjë që ishte veshur si artistë të filmave amerikanë. Ai që të jepte përshtypje si individ i tillë ishte një zotëru plak, i thatë, serioz, me flokë të ndarë në mes dhe mustaqe të thyera përpjetë. Ndryshe nga tjerët, ky ishte veshur si diplomat dhe endej nën degët e rrapit me një kurorë të ndryshkur në dorë.    

A ishte e mundur, vallë? A ishte e mundur që sytë e tij po shihnin qartë apo edhe ate, si shumë të tjerë, pleqëria e kishte gjunjëzuar deri n’ atë gradë sa që ëndërronte në mes të ditës?

Ai e zuri Edin për dore dhe i tha diçka në vesh. Ky i fundit, për pa humbur shumë kohë, mori dy gota ujë dhe njërën ia çoi Shkëlqesisë, zotit Markez, tjetrën Abaz Pashës.

Kurrë s’ kishte menduar që do vinte një ditë dhe ai, falë zotit Markez, do të vinte kaq larg për ta takuar një njeri me të cilin ishte zënë shumë herë dhe i cili – çuditërisht – s’ e njihte fare… Ç’ është e drejta, as ky s’ e njohu. Pak çaste më parë e mori si turist amerikan, por doli i gabuar. Tani që mendjen e kishte në vend, Mjeshtri ishte i sigurtë që sytë i kishte të shëndoshë dhe ata i shërbenin mirë.  

To ask or not to ask, that is the question.

“ Më falni që do t’ ju bezdis,” i tha plakut me zë të matur. “ Po më dukeni njeri i njohur, të mos them shumë i njohur. Mos bën vaki të jeni nga Herez de la Frontera?”

“ Si senjor,” ia ktheu plaku. ” Jam nga qyteti i bukur Jerez de la Frontera. Mjerisht, ka vite që s’ kam qenë atje.”

” Më vijka keq. Sidoqoftë, e di se atje keni bërë filloren dhe pastaj keni vazhduar në Sevilja.”

Ai tjetri  e pa me sy kurreshtar.

” Ditki shumë për mua. Po, atje kam studjuar drejtësinë. Mësova dhe gjuhë sepse ishte dëshirë e tim ati të bëhem diplomat. Sevilja është qytet i bukur. Djepi i këngëve, valleve dhe ëndrrave djaloshare.”

Jo, ai s’ kishte gabuar. Ishte vetë ai.

” Keni qenë student i zellshëm, se karrierën diplomatike e filluat në moshën 22-vjeçare dhe, mos qofsha gabim, keni qenë i stacionuar në shumë vende të Evropës. Në Austri, Francë, Belgjikë, Holandë, Rumani… Ku e filluat karrierën diplomatike, në Vjenë?”

Ai s’ ishte i sigurtë.

“ Ate s’ e mbaj mend, se vuaj nga harresa,” tha plaku. Më kujtohet qyteti, po si, më kujtohen bulevardet, por jo njerëzit apo emrat e tyre. Dikur e kisha mendjen top, se kisha punë me anglezë, françezë, gjermanë, rus, italianë, spanjoll e shqiptarë dhe komunikoja në shtatë tetë gjuhë. Më vonë – dhe veçanërisht pas vdekjes së mbretit Alonso – diçka mori fund në shpirtin tim dhe sëpari fillova t’ i harroj gjuhët, pastaj njerëziti, tani i kam harruar edhe ngjarjet… Gjithëçka është bërë lëmsh në kokën time… Kjo, me sa duket, është normale. Me pleqërinë s’ vyshket vetëm mishi, por edhe kujtesa. Të paktën ashtu më ka thënë një mjek, të cilin ileqarët e mbytën me gur në kokë dhe pastaj e hodhën në lumë. Ata e kishin ndër mend të më vrisnin edhe mua, por u penduan. Më shpëtuan nja dy vullnetarë që kishin qenë në vendin tim dhe e dinin që s’ jam burrë i keq. Ata më nxorën deri në kufi dhe më thanë të zhdukem. The qafën nga kjo tokë, më thanë. Merre edhe këtë kurorë, se tërë jetën ke luftuar ta vesh në kokë. Këtë të fundit ma ngjitën, se unë s’ kam qenë ngushtë për frone dhe karriga. Ç’ është e drejta, me ato që pata trashguar nga babai, jetoja si princ. S’ kam punuar për ta vënë një teneqe në kokë, po për ta shpënë në vend dëshirën e tim ati, që nga ana e nënës ishte shqiptar. Dhe s’ jam penduar asnjë çast për ato që kam bërë. Këto ia thash edhe Shkëlqesisë, Ismail Qemalit. Jam krenar që shqiptarët, kur e shpallën pavarsinë e tyre, në qytetin e Vlorës e ngritën flamurin që ua kisha bërë peshqesh. Nëse s’ e keni ditur, tani e mësuat.”

“ Jo, këte po e dëgjoj për herë të parë,” tha Mjeshtri. Ai shikoi për anash dhe, për ca arsye që vetëm ai dinte, e ndjeu veten mirënjohës që të gjithë, edhe markezi, edhe Edi, edhe filantropët elin e kishin harruar dhe s’ ndienin nevojë ta ndanin nga biseda që ishte duke zhvilluar me ate që ishte lindur në qytetin e mrekullishëm Herez de la Frontera. Edhe pak, edhe kushedi sa grimca të pakut, ai do të ngjitej në qerre dhe do të zhdukej në largësi për pa e shqiptuar ate që kish dashur ta bënte tërë jetën.

Ai iu afrua plakut dhe i dëftoi në besim.

“ Atëbotë isha në Durrës, jo në Vlorë,” i tha plakut.

Ai tjetri e shpalosi një buzëqeshje të lehtë.

“ Paski qenë në krahun e Pashës, me fjalë tjera,” tha. 

” Jo, Shkëlqesi, s’ isha as n’anën e Pashës, po n’ anën e Shqipërisë.”

Ai tjetri prap e shkreh në një buzëqeshje.

“ Isha dhe unë, po Shqipëria më nxori dordolec,” tha ai. “Çka s’ trilluan shqipëtarët për mua? Që isha intrigant, që kisha qenë dy herë në burg për vjedhje, që isha spiun i rusëve, që isha i çakërdsur. Ku ta dijsh, mbase edhe ju më keni quajtur ashtu?”

“ Ka mundësi,” tha Mjeshtri. “ Po nëse s’ e kam ditur punën e flamurit, i dija të tjerat. Ju keni bërë shumë, don Huan Pedro. Puna juaj ishte konkrete, jo llafe. Bëtë sa mundët për ta hapur Shkollën e Korçës – dhe bëtë mirë, se shqiptarët ishin qorra, pa shkollë. Themeluat një çmim letrar dhe u lidhët me Veriun. Filluat botimin e një reviste italo –arbëreshe. Mjerisht, mua s’ më pëlqente, por kjo s’ ishte për fajin tuaj. Fajin e kishte një pusht që hante djersën tuaj dhe punonte për italianët. Ju prishët shumë para për ta njohur poppullin tuaj, por populli juaj ju trajtoi si avanturier e qylexhi.”

Ai tjetri, don Huan Pedrua, e dëgjonte qetë- qetë, sikur s’ bëhej fjalë për përpjekjet e tij por për përpjekjet e një njeriu që kishte vdekur shekuj më parë.

” Këto i ka evolucioni,” tha. “Mbani mend? Në fillim ishte errësira. Pastaj doli njëri nga pasardhësit e Adamit dhe e shpiku ëndrrën. Ishte ëndrra ajo që na nxiti të bëjmë përpara. Ishte ëndrra ajo që më nxiti të shkoj në shkollë, t’i zbuloj gjuhët, ta zbuloj drejtësinë, të bëhem diplomat, të kërkoj kontakt me vëllezërit e mi, të shkoj në Napoli, Palermo, Athinë, Bukursht e qytete tjera, që t’ i gjej dhe ca ëndrrues tjerë. Të mos e ndiqja ëndrrrën, s’ do ta gjeja de Radën, Zepp Seremben, Thimi Mitkon, Frasherllinjtë, Vaso Pashën si dhe shumë e shumë shqiptarë tjerë… Do të përfundoja si një nëpunës i rëndomtë… Unë s’ i tradhtova prindërit e mi dhe e ndoqa ate deri në fund. Mbani mend si më shanin? Thoshin që s’ jetoja pa te. Punë e madhe. Shqipëria ishte ëndrra ynë e përbashkët. Unë e doja edhe më të bukur, e doja me oborr mbretëror, e doja me udhë të hekurta, e doja me shkolla të larta… Të tjerët, që poashtu shtireshin atdhetarë, bënin të kundërtën, por ajo s’ ishte puna ime. Ajo ishte puna e tyre.”

Kjo ishte një gjë e trishtë.

” Më vjen keq,” tha ky. “ Sikur ta kishja edhe provën më të vogël që ishit gjak me familjen Kastrioti, do t’ ju përkrahja deri në fund. Mjerisht, s’ kisha. Gjatë jetës time si poet, shkrimtar, përkthyes e ambasador kam mësuar se njerëzit e mirë vuajnë më shumë se të tjerët. Shihni vetë: as kemi atdhe, as kemi liri. Edhe ajo dera e Parajsës që dukej e gjërë na doli e ngushtë. Të paktën mua, juve s’ e di.”

” Dëgjoni, këtu,” tha tjetri. ” Kur të bie koka, bota të quajnë Kokërëni… Sa isha ambasador dhe natë për natë shtroja kokteje, unë isha Aladro Kastrioti, sepse pas meje qëndronte një ish perandori. Edhe atëbotë kur thoshja që – jam shqiptar dhe Shqipëria është parajsa ime – askush s’ ma kthente fjalën. Mirëpo, edhe ajo kohë perëndoi dhe mua më ra koka… U bëra Kokërëni…”       

” Unë ju kam respektuar për opininin tuaj,” shtoi ky.” Atëbotë shqiptaret s’ kishin nevojë për topa e tanksa, se ishin analfabetë. Atyre iu duheshin shkolla. E thoshit ju, e thoshja edhe unë.”

” Ju paski thënë, po unë s’ e kam dëgjuar”, tha don Huan Pedrua. ” Unë – siç ju thash më parë – e kam humbur kujtesën dhe tek tani, pas një mjekimi të gjatë, kam filluar të kthehem te e shkuara. Mjerisht, jam larg nga ngjarjet për të cilat po flasim.”

E pabesueshme. Ajo që don Huan Pedrua fliste për ngjarje aq të rëndësishme, në të cilat edhe ky kishte marrë pjesë aktive dhe e kishte sharë jo vetëm revistën, po dhe atë majmunin, Anselmo Lorekion – ishte e pabesueshme. Ajo dëftonte se ai ishte një burrë i përmbajtur dhe me nerva të çeliktë. Pa marrë parasysh se ç’ kishte shkretuar ky, don Huan Pedrua s’ dëftonte asnjë shenjë mllefi apo zilie dhe e trajtonte si vëlla. Ai ua kalonte edhe artistëve amerikanë.

” Do t’ ua shtroj një pyetje,” tha ky me zë të butë, shoqëror. ” Vërtet e keni humbur kujtesën apo po talleni me mua? Ne jemi miq të vjetër, kemi ngrënë dreka sëbashku, kemi botuar një hartë të Shqipërisë… Mos bën vaki që ju kam prekur deri n’ atë gradë saqë sot po shtireni se më keni harruar? Nëse është ashtu, ju kërkoj falje. Aq më tepër që po shihemi për here të fundit?!”

O, jo. Don HUan Pedrua s’ kishte nevojë për fjalë të veshura me çokollatë dhe sheqer.  

“ Ajo që thatë, qëndron,” tha konti. “ Ne po shihemi për herë të fundit. Ju do shkoni andej kah lind dielli, unë do të shkoj andej nga perëndon. Pikërisht për atë arsye do t’ ua them nja dy fjalë arbëresh. Janë dy sëmundje që e karakterizojnë Gjakun tonë – vetëmashtrimi dhe vetëshkatërrimi. Vetëmashtrimi është sëmundje e lehtë, pak a shumë si influenca, dhe të gjithë e kalojnë pas një jave. E vetmja gjë që duhet të bëni është të pini çaj dhe të pushoni. Rëndomt, kjo sëmundje iu ngjitet atyre që kanë shumë dëshirë për të dhënë por, për këtë apo atë arsye, s’ ia dalin ta çojnë dëshirën e tyre deri në fund. Vetëshkatrrimi është një sëmundje më serioze dhe rëndomt iu ngjitet njerëzve primitive që s’ pritojnë të vjedhin, të vrasin e t’ i lëndojnë tjerët. Kjo sëmundje çfaqet nëpër shoqëri ku ministrat, kryeministrat e qeveritarët e vjedhin dhe e plaçkitin popullin që i kanë vënë në ballë të vendit. Ju ma shtruat një pyetje dhe e do mirësjellja t’ ua kthej një përgjigje të sinqertë. Unë s’ po ju mbaj mend dhe kjo s’ është aq e tmerrshme. Demenxa ime ka të bëjë me vetmashtrim. Tërë jetën e kam mashtruar veten se njerëzit janë si unë, por ata s’ ishin. Unë s’ isha ngushtë për fron mbretëror, se s’ isha as i martuar… Çfardo që të merja nga Shqipëria, prapseprap në Shqipëri do të mbetej. Megjithate, atë çast që pash se ajo s’ kishte vend për mua, e ula kokën dhe thash – kjo mund t’ i ndodhë çdo të riu. Ai e do mbretëreshën e tij, po ajo e do një tjetër. Ja, me atë dhembje më gjetët këtu.”    

Edhe kjo ishte e çuditshme.

“ Ju kuptoj,” tha Mjeshtri, pasi u mentua pak. ”Po këtu ç’ po bëni? Pse keni ardhur?”

“ Pyetje me vend. Po ju pse keni ardhur?“ e pyeti ai.

” Që t’ ua them të drejtën, krejt rastësisht,” ia ktheu ky. ” Gjatë kohës që po endem këtejpari e kam njohur një mik dhe ai më propozoi të vinim e ta shihnim këtë djep të mirëqenies e begatisë. Përndryshe s’ do ta kaloja kurrë kufirin e tij.”

” Edhe unë kam ardhur rastësisht,” tha tjetri, duke e prekur kurorën e ndryshkur në kokë. ” Xiki efendiu, kryetari i Klubit të Filantropëve Helen, më ka njoftuar se paskam një kushëri të largët me mbiemrin Patro Vekio dhe ai duhej të vinte këtu. Sipas tij, shumë kulakë të asaj kohe, në vend se të arratiseshin me varka në drejtim të Raguzës, paskan preferuar majat e bardha të Bjeshkëve të Nemura dhe atje jetokan edhe sot. Ç’ është e drejta, jam vonuar pak, po s’ ka gjë. Dua me çdo kusht ta takoj kushëririn tim.”

” Baroni Patro Vekiu ishte këtupari,” i tha ky. ” Një burrë simpatik dhe i veshur me shumë shije. Do të kënaqeni me ë.”

“ Ate s’ e them dot para kohe, se mua më pret një rrugë e gjatë,” tha tjetri. “ Do të rrimë ca kohë me njëri tjetrin dhe do ta kujtojmë fatin e familjes tone. Po ju nga do t’ ia mbani?”

“ Unë dhe një miku im do të kthehemi prapa në pronat e një markezi që ka mbiemrin pak të çuditshëm por është burrë i mirë dhe i mençur. Mjerisht, pronat e tij gjenden  jo aq larg Tri Thanës dhe ka mundësi ta pasojnë fatin e fshatrave që pamë rrugës. Nga sa po duket, iliqarët do të ngjiten edhe n’ atë pjesë të vendit. Mos deshët të vini me ne?”

“ Si thatë?”

“ Mentova se kishit mundësi të vinit e të rrinit me ne,” tha Mjeshtri. “ Ta kujtosh të shkuarën, s’ do të thot se duhet ta kthesh prapa, por të nxjerrësh mësime prej saj.”

Ish ambasadori i Mbretërisë së Spanjës, Juan de Aladro de Perez y Valasco, e pa me sy të trishtuar.

“ Senjor,” tha ai. “ Ta kujtosh të shkuarën dhe të nxjerrësh mësime prej saj është cilësi e mirë. Mjerisht, ftesa juaj që të kthehem rishtaz atje ku isha dhe të jetoj me njerëz që s’ i vrasin kundërshtarët me plumb por me gurë dëshmon që s’ paski nxjerrë shumë përfundime nga e shkuara. Ai që do të jetojë si qytetar i lirë s’ do të ketë punë me vetëshkatrruesin.

  

 

Shkruan: Ramadan Rexhepi