SHPËRNDAJE

Marrëveshja mes Lëvizjes BESA dhe LSDM është një hap jo thjeshtë politik. Ajo është një ndërmarrje kurajoze kulturore, emancipuese, civilizuese, integruese dhe çliruese.

Është rrjedhojë e shumë zhvillimeve të ditëve, javëve, muajve dhe viteve të fundit në Maqedoni. Është prova se të tjera zhvillime të rëndësishme do të ndodhin pashmangshmërisht në jetën politiko-shoqërore të Maqedonisë së re post-Gruevski”, kështu vlerëson në një prononcim.

Sekretari për Marrëdhëniet me Mediat i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Alfred Peza
Sekretari për Marrëdhëniet me Mediat i Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS), Alfred Peza, në një prononcim ekskluziv ka folur për marrëveshjen parazgjedhore mes Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe Lëvizjes BESA.

Sipas tij, firmosja e marrëveshjes për krijimin e një koalicioni parazgjedhor mes Lëvizjes BESA të Bilall Kasamit dhe LSDM të Zoran Zaevit është një lajm i mirë.

“Kjo marrëveshje paralajmëron ardhjen e stinës së re të shkrirjes së akujve mes popujve tanë, duke përshpejtuar tejkalimin e mentaliteteve të vjetra.

Nuk ka integrim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, pa integrimin më parë të të gjithë qytetarëve, të të gjitha komuniteteve, të të gjitha grupeve shoqërore, realiteteve etnike dhe për rrjedhojë të të gjitha partive politike, brenda sistemit demokratik të vendit.

Është iluzion ta mendosh se do të ketë integrim të popujve dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, pa lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve mes njëri tjetrit.

E të gjitha këto, nuk mund të arrihen pa thyer e rrëzuar më parë të gjitha barrierat, gardhet, muret, paragjykimet dhe ndasitë që na kanë mbajtur jashtë rrjedhave të zhvillimeve të djeshme historike dhe të sotme globale, në një botë të re mundësish pa kufij.

Shqiptarët nuk mund të bëhen pjesë e Maqedonisë Evropiane, duke jetuar të izoluar brenda ‘ishujve’ të tyre politikë dhe ‘arqipelagut’ etnik” deklaroi Peza.