SHPËRNDAJE

Disa orë pas hapjes së pikave kufitare të Maqedonisë së Veriut pa asnjë kusht për kalimin e ushtarëve, është regjistruar një fluks i paparë.

Alsat-M ka qëndruar në pikat kufitare ku ka regjistruar numrin e madh të udhëtarëve dhe makinave që kanë kaluar kufirin.

Pikat kufitare u hapën pas tre muajsh për shkak të pandemisë me koronavirusin, por tani duke u respektuar protokollet të cilat janë të rekomanduara nga instituti për sëmundje infektive.

Një fluks i madh është vërejtur edhe në pikën kufitare të Bllacës , ku shumë qytetarë po udhëtonin për në Kosovë ose hynin në Maqedoni, për të vizituar familjarët por edhe për biznes.

“Së pari në aspektin social hapja e kufijve ndihmon në kalimin e pjesës së shqiptarëve në Kosovë dhe neve atje. Në aspektin e biznesit, edhe biznesi do të ketë dobi. Familjar do të vijnë prej atje edhe ne do të shkojmë atje. Normalisht do të mësohemi të jetojmë me këtë lloj virusi”, thonë kalimtarët.

Sipas tij, bllokimi për të gjithë ka qenë i keq, edhe për ne ka qenë i keq, nuk kemi parë familjarët.

“Unë vij prej Malit të Zi, kam ardhur së pari në Beograd, prej Beogradi në Novi Pazar dhe tani këtu pasi u hapën kufijtë. Kam qenë jashtë pesë muaj e gjysmë, jam mërzitë tu them të drejtën, e kam fejesën e djalit e të shkoj ta rregulloj këtë punë”, thekson një kalimtar tjetër për Alsat-M.

Policët në Bllacë thonë se që në mesnatë kanë hasur në fluks të madh udhëtarësh të cilët kanë kaluar këtë pikë kufitare.

“Nga ana jonë janë marrë të gjitha masat për lëvizje të lirë të qytetarëve. Është vërejtur edhe lëvizje e mërgimtarëve edhe automjete të shteteve të ndryshme siç janë Zvicra, Gjermania dhe të tjera. Masat në përgjithësi respektohen, por edhe nëse ka ndonjë parregullsi, u tërheqim vëmendjen qytetarëve”, theksuan autoritetet kufitare.

Pos në Bllacë, fluks të madh të udhëtarëve që nga mesnata ka pasur edhe në kalimin tjetër kufitar Tabanoc, që lidh vendin tonë me Serbinë. Të gjithë qytetarët që kalojnë kufirin detyrimisht duhet të mbajnë maska. Ata që udhëtojnë me autobusë duhet të zbresin nga autobusi dhe të presin radhë në sportel duke ruajtur edhe distancë./Alsat-M