SHPËRNDAJE

Përveç banorëve të fshatrave të Malësisë së Bujanocit, policia e Kosovës këtyre ditëve nuk u ka lejuar që të hyjnë në teritorin e R.Kosovës qytetarëve shqiptarë të komunës së Bujanocit.

Presheva.com ka arritur të marrë informacione nga disa banorë të komunës së Bujanocit të cilët me të hyrë në teritorin e Kosovës, gjegjësisht nga drejtimi i fshatit Breznicë, janë kthyer mbrapsht, duke mos i lejuar që të vazhdojnë në destinacionet për ku janë nisur pa u thënë ndonjë arsyetim, përveç se ata duhet të kalojnë nëpërmjet vendkalimit kufitarë Dheu i Bardhë.

Gjatë ditës së sotme presheva.com ka kontaktuar edhe Shpend Xhelilin këshilltarë i KK të Bujanocit nga fshati Breznic i cili potencoi se, është në dieni për një gjë të tillë, dhe se sipas tij kjo mbase është e vërtetë.

“Më kanë ndaluar dy herë, më kanë pyetur nga jamë, pasi i thash nga Breznica më than se mund të vazhdojë rrugën” u shpreh Xhelili.

Sipas tij, nga këndi politik kjo është e padrejtë dhe diskriminuese, një gjë e tillë pa dyshim se do ta vështirësoj shumë qarkullimin e lirë.

Njejtë për presheva.com ka deklaruar edhe Kryetari i bashkësisë lokale të fshatit Muhoc, Xhevat Hasani.

Sipas Hasanit, në rrugën që shpien nga Malësia e Bujanocit në drejtim të Karaçevës, Komunës së Dardanës, janë shtuar kontrollat policore të policisë së Kosovës, sidomos për banorët e vendbanimeve të cilët nuk janë në zonën kufitare, policia nuk i lejon të hyjnë në teritorin e Kosovës.

“Gjatë një kontrolli që ma bënë i pyeta se përse po ndodhë kjo, ata më thanë se përveç banorëve të Breznicës dhe Malësisë së Bujanocit, të tjerët në Kosovë mund të hyjnë vetëm nëpërmjet vendkalimit kufitarë Dheu i Bardhë” u shpreh Hasani për presheva.com.

Sipas tij, kjo mund të jetë edhe parapërgatitje e Kosovës për reciprocitet e që po dëmton tej mase shqiptarët e Luginës, sidomos të komunës së Bujanocit sa i përket lëvizjes së lirë./presheva.com/