SHPËRNDAJE

Ideja e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, është rikthyer si temë diskutimi pas deklaratave te fundit nga kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili është deklaruar pro ndryshimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, insiston që kufiri me Serbinë duhet të jetë në fshatin Ristovcë, që nënkupton se Lugina duhet t’i bashkohet Kosovës. Në këmbim të saj, ai thotë se duhet të jepet Leposaviqi me 17 fshatra, si shkëmbim territorial që duhet të ndodhë për të arritur ujdinë me Serbinë.

“Unë jam që në këtë njohje shqiptarët e Kosovës Lindore të përfshihen brenda Kosovës. Serbia të merr Leposaviqin dhe 17 fshatra”, ka deklaruar Haziri në “Debat Plus”.

Përkrahës të shkëmbimit territorial, Haziri e ka edhe kryetarin e Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati.

“Nuk ka zgjidhje tjetër të konfliktit shqiptaro-serb e në këtë rast mes Kosovës dhe Shqipërisë pa ri përcaktim të kufijve. Për ne ky ri përcaktim nënkupton që pjesa shqiptare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit t’i bashkohen Kosovës ashtu siç pjese serbe e Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut të kenë të drejtën t’i bashkohen Serbisë”, deklaroi Valon Murati.

Kundër asaj që tha kryetari i Gjilanit, është deputeti i Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi.

“Nuk janë në pyetje 17 fshatra të vogla siç po pretendon ai, me 197km2 por me më shumë fshatra që historikisht kanë qenë pjesë e Kosovës, ndërsa ajo çka po kërkon Serbia haptas tash është shumë më shumë se ato 197 km2, ku Serbia i ka rritur pretendimet e saj pas deklarimeve të disa prej eksponentëve politik që janë bartës institucionesh në Kosovë, se duhet të ndodhë shkëmbim territorial mes Kosovës dhe Serbisë dhe duhet të përmisohen gabimet historike”, ka shënuar Bulliqi.

Ndërkaq kryetari i partisë “Slobodaa” Nenad Rasic, këtë ide të Hazirit e cilëson si te keqe dhe të rrezikshme për Kosovën.

“Unë si politikan e serbëve të Kosovës kam mandatin që të përfaqësoj interesin e serbëve që jetojnë këtu. Çdo formë të shkëmbimeve apo ndarjeve etnike do të rezultonte negative për serbët e Kosovës madje është edhe e rrezikshme për ne”, deklaroi Nenad Rashiq.

Edhe pse është menduar qe kjo ide e shkëmbimit te territoreve ka vdekur, ajo po vazhdon të shihet si opsion real për zgjidhjen e problemit mes dyja shteteve. /RTV Dukagjini