SHPËRNDAJE

Vendimi i Qeverisë së Kosovës gjashtë ditë më parë për vendosjen e taksës 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës, duket se nuk i ka pëlqyer as Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kështu të paktën mësohet nga sekretari i shtetit të SHBA’ve, Mike Pompeo, pas takimit të tij me dyer të mbyllura që kishte dje me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Pompeo i ka kërkuar presidentit Thaçi që ta bëjë menjëherë shfuqimin e taksës prej 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjës, kështu me arsyen që t’i shmangin provokimet dhe tensionet me shtetin serb dhe të shfrytëzojnë mundësinë e rrallë për arritjen e një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit përmes dialogut.

Po ashtu sekretari amerikan ka njoftuar se dy palët në këto bisedime kanë mbështetjen e SHBA’ve për arritjen e një zgjidhje të qëndrueshme dhe të zbatueshme e cila shton stabilitetin mes dy vendeve.

“Sekretari ka inkurajuar Kosovën që të shfrytëzojë mundësinë e rrallë për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ai ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të shfuqizojnë tarifat e vëna për importet nga Serbia dhe Bosnja, dhe të punojnë me shtetin serb për t’i shmangur provokimet dhe tensionet. Normalizimi i raportit Kosovë-Serbi është mënyra e vetme për të hapur rrugën e të dy shteteve drejt komunitetit perëndimor. SHBA-ja është e gatshme që të mbështesë palët për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe të tillë që shton stabilitetin”, thuhet në një pjesë të kumtesës.

Lajmi është bërë i ditur përmes një kumtese për media nga zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert.

Po ashtu Pompeo i ka konfirmuar edhe një herë Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi mbështetjen e palëkundur të Amerikës për Kosovën sovrane , të pavarur e të integruar në bashkësinë ndërkombëtare.