SHPËRNDAJE

Ashtu siç u njoftua më parë në emisionin ‘Open’ në Top Channel se nesër në Presidencë do të zhvillohet një takim midis Ilir Metës dhe kryeopozitarit Lulzim Basha, ky infomacion është konfirmuar së fundmi nga zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta i ka ftuar zyrtarisht në takim kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryetarin e Partisë Demokratike për të biseduar për situatën politike në vend. Takimi me z.Basha është fiksuar të zhvillohet nesër në ora 09:00”, thuhet në reagimin e Blushit.

Sa i përket refuzimit të kryeministrit Edi Rama për t’u takuar nesër me Metën, pasi ftesa i është dërguar edhe atij, në reagimin e Presidencës thuhet se janë në pritje që kryeministri të gjejë kohë.

“Duke qenë në dijeni që z.Rama është i zënë me takime, Presidenti do të jetë nesër në zyrë nga ora 05:00 deri në ora 13:00 duke pritur sërish që kryeministri të gjejë kohë”, thuhet në reagimin e Tedi Blushit.

Kjo është ftesa e parë zyrtare që Ilir Meta u drejton kryetarëve të PS dhe PD për të gjetur një zgjidhje mbi krizën, e cila mori një tjetër dimension pas dekretit për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale.