SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta ka reaguar në lidhje me zhvillimet politike në Luginën e Preshevës, konkretisht me zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

Ai i ka bërë thirrje në vijimësi për zgjidhjen në mënyrë demokratike të të gjitha çështjeve që shqetësojnë popullsinë shqiptare të Luginës dhe të gjithë shqiptarët në Serbi.

Sipas kreut të shtetit, pjesëmarrja në zgjedhje, si ato të përgjithshme, ashtu dhe lokale, është me rëndësi madhore.

Meta sipas neësbomb, inkurajon të gjitha forcat politike të Luginës së Preshevës dhe të gjithë popullsinë shqiptare kudo ku jeton në Serbi, të marrin pjesë në zgjedhje, të unifikojnë qëndrimet, në mënyrë që të maksimalizojnë rolin dhe kontributin e tyre në institucionet e ardhshme, si në nivel qëndror, ashtu edhe në nivel lokal.

Më tej, Meta shpreh bindjen se pjesëmarrja sa më masive e shqiptarëve në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore, bashkëpunimi i të gjithë subjekteve politike për rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve, si dhe bashkëpunimi i tyre i ngushtë me faktorin ndërkombëtar do të garantojnë forcimin e zërit të popullsisë shqiptare në funksion të plotësimit të kërkesave dhe të drejtave të tyre legjitime në Serbi./presheva.com/