SHPËRNDAJE

Takimi i fundit i delegacioneve për bisedime teknike të Kosovës dhe Serbisë në Berlin javën e shkuar, duket që nuk i ka pëlqyer dy partive (PSD-së dhe NISMA-s), kryetarët e të cilave kryesojnë  Ekipin negociator të Kosovës, e që nuk ishin të pranishëm në këtë takim.

Lidhur me këtë në medie kanë qarkulluar informatat se Partia Socialdemokrate dhe Nisma Socialdemokrate po planifikojnë të lënë udhëheqjen e Ekipit negociator për bisedime teknike me Serbinë.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi në një përgjigje ka thënë se ditëve në vijim pritet të këtë takime të strukturave për dialogun, ku do të diskutohet për Delegacionin Shtetëror dhe qëndrimin apo jo në të.

Sipas saj, PSD ende nuk ka marrë vendim për dalje nga delegacioni.

“Partia Socialdemokrate nuk ka marrë vendim për dalje nga delegacioni. Ditëve në vijim pritet të këtë takime të strukturave për dialogun, ku do të diskutohet për Delegacionin Shtetëror dhe qëndrimin apo jo ne këtë të fundit, duke u bazuar në të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur dhe posaçërisht duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi kompetencat e Delegacionit Shtetëror. Partia Socialdemokrate është në delegacion për shkak të kompetencave, rrjedhimisht nuk qëndron në delegacion pa to”, ka thënë ajo.

Zyrtarë të NISMA-së, për të marrë një përgjigje lidhur me këtë, por nuk kanë qenë të qasshëm.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se takimi i delegacioneve teknike të Kosovës dhe Serbisë në Berlin javën e shkuar, nuk ka qenë i fshehtë.

Ai ka theksuar se edhe pse takimi ishte mbajtur larg syrit të publikut e pa paralajmërim, ka qenë takim i ftuar nga ekip i kancelares gjermane Angela Merkel dhe se s’ishte sekret e i fshehtë.

“Ka qenë takim i ftuar nga Merkel, për ekipet teknike. Mund të thuhet konfidencial, i punës, por as sekret e as i fshehtë. Ka qenë takim i ftuar nga ekipi i kancelares Merkel për palët e mandatuara”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa ditë më parë nga presidenca e Republikës së Kosovës, kanë bërë të ditur se nuk kanë qenë të informuar për takimin e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës dhe atyre të Serbisë në Berlin.

Në përgjigjen e dhënë nga zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, konsiderojnë se takimet të tillat të fshehta nuk i ndihmojnë procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

“Zyra e Presidentit nuk ka qenë e informuar për pjesëmarrjen e një ekipi të kryeministrit në takimin e fshehtë në Berlin dhe po ashtu nuk kemi marrë ende asnjë informacion zyrtar se çfarë është biseduar në këtë takim. Takime të tilla të paparalajmëruara, të fshehta dhe të pakoordinuara, nuk ndihmojnë në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, aq më parë kur tashmë kemi Ekipin Negociator, i cili ka për detyrë negocimin e çfarëdo teme me Serbinë. Institucionet e Republikës së Kosovës e kanë për obligim kushtetues dhe ligjor që të jenë transparente para qytetarëve të Kosovës për një proces kaq të ndjeshëm dhe të rëndësishëm siç është dialogu Kosovë-Serbi”, është thënë në përgjigjen e dhënë  nga presidenca.