SHPËRNDAJE

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka nxjerr një dokument me një përmbledhje të rrjedhës së ngjarjeve rreth largimit të pjesëtarëve serbë nga Forca për Sigurinë e Kosovës.
Sipas rezultateve të hulumtimit të QKSS-së, plani për largimin e mbi 60 pjesëtarëve serb është bërë si pjesë e një operacioni të mirë-planifikuar psikologjiko-ushtarak, i orkestruar nga elemente të inteligjencës ushtarake nga Beogradi dhe Vranja.

QKSS ka dalë me disa rekomandime me qëllim që të njëjtat t’i shërbejnë krijimit të qëndrueshmërisë në procesin e integrimit të komunitetit serb në FSK. Sipas QKSS-së, Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me praninë ndërkombëtare në Kosovë duhet të bëjnë plan për të parandaluar largimin tutje të pjesëtarëve të FSK-së, dhe shtetet e Quint-it duhet të kushtëzojnë Serbinë në kontekst të integrimit në BE lidhur me veprimtarinë e saj të vazhdueshme në dëm të FSK-së dhe institucioneve të tjera.

Gjithashtu, QKSS rekomandon Qeverinë e Kosovës të fokusohet në një proces të tranzicionit të FSK-së nëpërmjet ndryshimeve të ligjit, meqë sipas QKSS tani janë humbur shpresat se procesi i ndryshimeve kushtetuese mund të jetësohet.

“Mungesa e besimit të pjesëtarëve të këtij komuniteti karshi FSK-së, mospërkrahja e ndryshimit të mandatit të kësaj force si dhe kërcënimet e vazhdueshme dhe sulmet direkte ndaj pjesëtarëve serb të FSK-së, kanë shtyrë qe në vitin 2018 mbi 60 pjesëtarë të këtij komuniteti të largohen nga FSK”, thuhet në raport.

Plator Avdiu hulumtues në QKSS tha se Serbia ka shantazhuar në forma të ndryshme pjesëtaret serbë në FSK.

Në prezantimin e këtij raporti u tha se Serbia ka kryer agresion ndaj institucionit të FSK-së duke ndikuar me dhunë në largimin e pothuajse 50 për qind të pjesëtarëve të FSK-së.

Shpat Balaj, autor i raportit tha se janë shuar të gjitha shpresat që në Kosovë transformimi i FSK-së të bëhet me ndryshime kushtetuese.

Sipas tij, është pikërisht hapja e këtij debati ajo që i ka intensifikuar përpjekjet e Serbisë për me dëmtu FSK-në dhe parimin e multi-etnicitetit të saj, rrjedhimisht për me pengu procesin e transformimit të këtij institucioni.

Ai tha se këto përpjekje po bëhen duke e keqpërdorë pozitën e tanishme të komunitetit serb në Kosovë.

Ndërsa Faruk Geci nga Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës tha se duhet të ndalohet presionet politike mbi pjesëtarët e FSK-së.

Në këtë vit, rreth 60 pjesëtarë të komunitetit serb u larguan nga FSK.

Sipas QKSS ndërhyrjet në FSK kanë për qëllim rrënimin e multi-etnicitetit dhe të arriturave të deritanishme të FSK-së.