SHPËRNDAJE

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, njoftoi dje unifikimin e partive shqiptare në Luginën e Preshevës për të kandiduar me një listë të vetme në zgjedhjet e parlamentare në Serbi.

Në takim u vunë re mungesa, mes tyre edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa.

Në një lidhje me skype për RTV Ora, Mustafa u shpreh kritik ndaj Cakaj dhe Tiranës zyrtare duke e cilësuar gjithçka një mashtrim.

Mustafa: Ishim në takimin e Cakaj me 22-23 dhjetor. Madje tërë ditën me 25 dhjetor dhe e kam vënë në dijeni për qëndrimin e PDSH se në këto zgjedhje nuk mund të shkohet në parlamentin serb sepse vetë serbët, opozita serbe akoma nuk ka vendosur nëse do të futet apo jo në zgjedhje. Kjo nguti nga një Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, kushtimisht “një kalama” të nxitohet që të unifikojë nuk është në rregull. Bashkim të vërtetë nuk ka pasur.

Në këto kushte dje nga radhët e PDSH-së, një parti 30 vjeçare, nuk kemi qenë të ftuar vetëm se mendojmë ndryshe. Po bëjnë lojë të ngjashme me modelin e Vuçiç dhe politikës serbe me serbët e Kosovës. Por ata bëjnë dhe investim shumë të madh. Në Luginë të Preshevës as nuk ka pasur dhe as nuk do ketë ndikim të fuqishëm të qeverisë shqiptare te shqiptarët e Luginës së Preshevës që të jenë të barabartë dhe të lirë. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë të banuara me shumicë shqiptarët autoktonë.

Mustafa thotë se shqiptarët në vijimësi për 13 vjet kanë pasur përfaqësues të tyre në parlamentin serb por kjo nuk është përkthyer në garantimin e minimumit të të drejtave të tyre.

Përkundrazi, shtoi ai, ndaj shqiptarëve atje po ushtrohet genocid duke i fshirë nga regjistrat zyrtarë- thotë kështu në intervistën në lidhjen direkte për RTV Ora kryetari i PDSH-së, Ragmi Mustafa./presheva.com/