SHPËRNDAJE

Me rastin e miratimit të Ligjit për liritë fetare në Mal të Zi ,i cili në mes tjerash parasheh rikthimin e pronave të Kishës Ordodokse serbe në pronësi shtetërore, këto ditë është deklaruar edhe presidenti i këtij shteti, Millo Gjukanoviq, i cili u shpreh haptas se “Kisha Ortodokse serbe ruan infrastrukturën e Serbisë së Madhe”, pra punon për interesat e kësaj Serbie.

Ky konstatim apo pranim i kësaj të vërtete nga ana e presidentit Gjukanoviq vjen me vonesë prej rreth tre dekadash. Dihet tashmë se ishte e njëjta Kishë serbe e cila në fillim të viteve “90-ta të shekullit të kaluar u vendos në shërbim të politikës së Serbisë së Madhe , në kohën kur Millo Gjukanoviq ishte kryeministër i Republikës së Malit të Zi.Por Gjukanoviq nuk mund të reagonte atëherë sepse ai ishte vetë në anën e politikës serbomadhe dhe kishte qendrime të njëjta me Kishën në fjalë.

Kujtojmë lexuesit se me ardhjen e Slobodan Millosheviqit në pushtet në vitin 1989 si dhe me fillimin e luftrave të përgjakshme në Jugosllavi në fillim të viteve “90-ta , Kisha Ortodokse serbe (KOS) ishte bartëse kryesore e politikës serbomadhe në rebublikat e këtij shteti që ishte në shpërbërje e sipër.

Këte më mirë se askush e kanë përjetuar shqiptarët në Mal të Zi në vitin 1991, kur grupi i armatosur i përfaqësuesve të KOS-it dhe të përkrahësve të tyre me në krye Amfilohije Radoviq me 4 Qershor të atij viti , parakaluan rrugës nga Ostrosi i Krajës , për në Anë të Malit e deri në Tivar duke kërcnuar me armë zjarri dhe traumatizuar banorët shqiptarë të këtyre vendbanimeve.

Me rastin e kësaj ngjarjeje tronditëse atëherë reaguan LIdhja Demokratike në Mal të Zi (LDMZ),partia e vetme shqiptare në at kohë si dhe Lidhja Reformiste për Mal të Zi – Dega për Krajë .

Autori i këtij shkrimi i cili në at kohë ishte deputet në parlamentin e Malit të Zi poashtu reagoi kundër këtij parakalimi famëkeq para 124 deputetëve të tjerë në këtë parlament, shumica dërmuese e të cilëve ishin me qendrime pro-serbe, ku në mes tjerash tha:

“…..Nuk është vështirë që të vihet deri te përfundimi se aksionet e tilla të grupeve të ndryshme çetnike nuk kanë karakter fetar, por i shërbejnë skenarit të njohur serbomadh….”.

Pra ishin shqiptarët ata të cilët tërhoqen vëmendjen e opinionit të atëhershëm lidhur me rrezikun që kërcnonte KOS-i. Por zëri i tyre jo vetëm që hasi në veshë të shurdhër nga strukturat e pushtetit dhe udhëheqësisë politike të atëhershëme të Malit të Zi,por i njëjti pushtet , pjesë i së cilit ishte edhe Millo Gjukanoviq,do të vazhdojnë gjithënjë , bashkë me KOS-in , të jenë pjesë e politikës luftë-nxitëse dhe kriminele të Millosheviqit gjatë viteve “90-ta.

Trevat shqiptare kanë qenë gjithëmonë në shenjestër të Kishës Ortodokse serbe si pjesë strategjisë së tyre për uzurpimin dhe përvetësimin e monumenteve të historisë dhe të kulturës së tyre kombëtare.

Gjatë tre dekadave të fundit jemi dëshmitarë të disa tentimeve të tilla uzurpimi dhe për këtë më së miri flasin rastet e qytetit të lashtë të Shasit, në malin e Rumisë ,në Martinaj të Gucisë e gjetiu, raste këto të cilat gjithashtu kanë nxitur reagimet dhe protestat e shqiptarëve.

Pyetjes të cilës nuk mund t’i shmangemi është ajo se pasi që Mali i Zi bëri kthesë në fund të viteve ‘90-ta dhe u distancua nga politika e Serbisë,kurse në vitin 2006 fitoi pavarësinë ,përse gjatë gjithë kësaj kohe ,Kishës Ordodokse serbe iu është lënë dora e lirë, pra iu lejua aktiviteti i saj destruktiv në Mal të Zi?Për këtë më së miri flet shembulli i objektit metalik në malin e Rumisë (zona e Krajës) i vendosur aty në vitin 2005 në mënyrë të paligjshme me iniciativën e KOS-it. Pra tash 15 vite, (14 prej tyre në Malin e Zi të pavarur), nuk veproi shteti ligjor dhe nuk pati gatishmëri nga ana e pushtetit malazez për heqjen e këtij objekti i cili konsiderohet qëllimkeq e provokues nga banorët shqiptarë të vendbanimeve përreth.

Mbetet të shihet nëse Ligji për liritë fetare i sapo miratuar do ndikojë në heqjen e objektit metalik në Rumi por njëkohësisht edhe në ndalimin e ekspeditave me pretekstin e liturgjive fetare të klerikëve të KOS-it dhe përkrahësve të tyre që kohë pas kohe ata i bëjnë monumenteve të caktuara të trashigimisë kulturore dhe historike të shqiptarëve si popull autokton që jetojnë në trevat e tyre stërgjyshore në Mal të Zi dhe të cilët zotërojnë dhe iu takojnë ato monumente .