SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama gjatë tubimit elektoral përmbyllës në Durrës, tha se opozita ka vendosur të braktisë zgjedhjet për shkak të hapjes së negociatave.

Rama nuk la pa përmendur Presidentin Meta dhe kryedemokratin Basha.

“Del Ilir Meta dhe thotë pluralizmi është pjesëmarrja e shumë forcave e s’mund të ketë zgjedhje me një kandidat. Në fakt kur shqiptarët kanë vendosur të jetojnë nën pluralizëm kanë qënë në një mendje që populli zgjedh, ama pluralizmi është që secili zgjedh edhe nëse do të hyjë apo jo në zgjedhje. Ata kanë një arsye shumë më të madhe se sa fakti që me ne e dinë shumë mirë që nuk fitojnë dot. Arsyeja ka të bëjë me momentin historik ku ndodhet Shqipëria, çeljen e negociatave në BE. Kjo që kemi përjetuar në këtë periudhë është një seri e re e një filmi që e kemi parë dy vjet më parë kur në parlament do votohej vetting-u.

Ata ikën nga parlamenti dhe poshtë zyrës time ngritën bunker plastmasi, vinte Luli këndonte himnin. Në fakt, për hir të së vërtetës nuk këndonte vetë, kishte një tenor. Pastaj mbante fjalim, ikte në drekë flinte, se po të mos flinte. nuk ia mbante dot atij. Thoshin të njëjtat gjëra: Rama ik..të gjithë i luteshin, BE, ndërkombëtarët. Në fund i ngela vetëm unë se të gjithë u dorëzuan na thanë futuni vetëm në zgjedhje. Unë nuk u dorëzova.. Aq nuk u dorëzova sa shumë nga njerëzit rreth e rrotull nuk e kuptonin pse i lutesha aq shumë. E kam thënë dhe e përsëris: I jam lut atij njësoj si të ishte Zhuljeta, siç nuk do i isha lutur kurrë gjithë nimfave të detit të Durrësit. Në fund fare u morëm vesh… mori gjithçka që i deshi zemra gjysmën e qeverisë.

Andej ata sulmojnë këtej del Ilir Meta dhe thotë se do anuloj zgjedhjet se do bëhet nami. Kush do ta bëjë namin? I njeh? Kush do bëjë Namin. Luli? Një fishkëllimë t’i bëjë Saliu. Lul në shpi.

Ata që kanë dalë në rrugë atje janë 100 veta me në krye atë të cilësisë së diellit. Më e keqja është që për këtë namin shkojnë njerëzit në burg. E patë para tre ditësh? Ai që i kishte urdhëruar të djegin shkollën tha se shkova për t’i ndalur. I la në baltë.

Ne do fitojmë se zgjedhjet do bëhen. Shqipërinë peng kush nuk ka për ta marrë. Jam i bindur se Luli do të dalë dhe të thotë fitore. Do numërojë të gjithë ata që janë jashtë shtetit dhe që shkojnë në plazh, apo ata që nuk vijnë në votime se ka vetëm një kandidat”,- tha Rama.