SHPËRNDAJE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar një takim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Në këtë takimi, Rama thotë se do të diskutohet për heqjen e kufijve mes këtyre vendeve. Në një intervistë nga SHBA, Rama thotë se ka ardhur koha për të rritur më shumë bashkëpunimin.
“Unë jam shprehur më herët dhe për këtë kam marrë edhe akuza sepse gjithkush e ka dëgjuar idenë e ka lidhur me heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, çka për mua mbetet një prioritet i një rëndësie shumë të veçantë, por i parë në një kontekst më të gjerë. Na është dhënë hapësira këtu që të jemi së bashku me Presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Maqedonisë dhe kemi rënë dakord që të takohemi së shpejti për të diskutuar mbi një hap të rëndësishëm bashkëpunimi mes të treja vendeve që nuk është përjashtues për vendet e tjera. Përkundrazi është një hap për të nxitur të tjerët që të bashkëpunojnë. Për mua ky hap ka një rëndësi të madhe nëse në bazë të kësaj marrëveshje të mundshme është heqja e kufijve, heqja e kufijve për njerëzit, për mallrat, për investitorët e mëdhenj. Është e qartë që për të investuar në rajonin tonë kanë nevojë për një treg shumë më të gjerë sesa tregu i vogël i secilit vend të marrë veç e veç. Kemi një mirëkuptim, që ky është momenti për ti çuar gjerat edhe më tutje. Së bashku ne mund të bëjmë shumë më tepër rrugë si rajon për të rritur ekonomikë dhe mirëqenien e njerëzve”-tha Rama.