SHPËRNDAJE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha të mërkurën në Uashington se Shqipëria është e angazhuar në rrugën drejt anëtarësimit në BE, megjithatë edhe pas prezantimit të metodologjisë së re për organizatën nuk pranoi të bënte parashikime për kohën e hapjes së negociatave.

Rama foli në Këshillin e Atlantikut gjatë një vizite në Uashington ku u takua me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës. Siç njofton kolegia Keida Kostreci, ai foli për marrëdhëniet dypalëshe, të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe nismën e fundit kundër krimit të organizuar.

Megjithëse metodologjia e re e paraqitur për bisedimet e anëtarësimit për zgjerimin e BE-së po shihet si një mundësi që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ta marrin ftesën në Mars, kryeministri Rama tha se nuk mund të thotë nëse kjo do të ndodhë, sepse bëhet fjalë për 27 vende.

“Nuk i dihet kurrë se ç’ndodh me njërin prej tyre dhe mund të thotë ‘jo nuk jemi gati për ta’”, tha Rama.

Por ai shtoi se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe ajo vazhdon të jetë e përkushtuar ndaj atij synimi.

“Ne vazhdojmë të bëjmë punën tonë, njëlloj siç do të kshim bërë nëse bisedimet do të ishin hapur. Prandaj Shqipëria vetë nuk po humb kohë, nuk po rri duke qarë në pritje që të ndodhë ndonjë mrekulli dhe ndoshta gjëja e bukur do të ishte sikur të ndodhte kur të mos ta prisnim më, në të ardhmen e afërt. Ne kemi pasur një jetë të vështirë, duke qenë peng të perandorive që nuk i kishim zgjedhur dhe ky është vendi ku donim të ishim për një kohë të gjatë dhe hyrja atje do të ishte sikur t’i shpëtonim përgjithmonë mallkimit të historisë”, vazhdoi kryeministri Rama.

Zëvendëspresidenti i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson që moderoi bisedën me Kryeministrin Rama, vlerësoi faktin që kur vjen puna tek aleanca me Shtetet e Bashkuara, të gjitha forcat politike shqiptarë janë në një emërues të përbashkët.

Kryeministri Rama tha se jo vetëm Shqipëria, por gjithë Ballkani Perëndimor është një rajon më i mirë para së gjithash falë Shteteve të Bashkuara që kanë kontribuar tek transformimi i tij nga një zonë me armiqësi dhe kapitujve të gjatë të konfliktit dhe gjakderdhjes, në një zonë paqeje dhe bashkëpunimi.

“Por sigurisht ende nuk jemi ku mundemi dhe duhet të jemi, sepse ka akoma çështje dhe probleme për të zgjidhur dhe ne shpresojmë në ndihmën e miqve amerikanë dhe si komb shqiptar, si shqiptarë që jetojmë jo vetëm në Shqipëri por edhe në gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, jemi absolutisht në një gjendje më të mirë”, tha ai.

Gjatë takimit me Ramën në Departamentin e Shtetit, sekretari Mike Pompeo theksoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe përpjekjeve të tanishme për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore.

Si Pompeo ashtu edhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brian vlerësuan angazhimin e Shqipërisë për kontributin në aleancën e NATO-së dhe kundërvënien ndaj veprimtarive keqdashëse të Iranit.

“Jemi të ndërgjegjshëm që megjithëse kemi marrë një farë rreziku duke bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara për të shpëtuar njerëz nga kërcënimi për jetën, në të njëjtën kohë ndjehemi mirë që nuk jemi të vetëm”, tha Rama duke iu referuar strehimit të 3 mijë anëtarëve të opozitës iraniane (MEK).

TAKIM POMPEO-RAMA

TAKIM POMPEO-RAMASekretari amerikan i Shtetit Michael R. Pompeo priti të mërkurën në Departamentin e Shtetit Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.Sipas zëdhënëses Morgan Ortagus, Sekretari Pompeo dhe Kryeministri Rama diskutuan mbi përparësitë e përbashkëta gjatë kryesimit nga Shqipëria të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.Sekretari Pompeo theksoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe përpjekjeve të tanishme për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore.Sekretari Pompeo gjithashtu përgëzoi Kryeministrin për angazhimin e palëkundur të qeverisë së tij për kontributin në aleancën e NATO-s, për kundërvënien ndaj veprimtarive keqdashëse të Iranit dhe për rolin udhëheqës në rajonal në mbrojtje të rrjeteve të komunikimit 5G.

Gepostet von VOA – Zëri i Amerikës am Mittwoch, 5. Februar 2020

Rama pati takime edhe me kreun e Bankës Botërore, dhe administratorin e USAID-it.

Duke folur për rajonin, zoti Rama tha se shpreson që sa më shpejt të sqarohen shtrembërime lidhur me Shengenin rajonal.

“Në këtë moment unë jam tradhëtari i përkryer në imagjinatën e njerëzve që nuk e kuptojnë që nuk mund të ndërtosh paqen dhe mirëqenien me të njëjtat instrumente dhe arme me të cilat luftove për liri”, tha ai.

Duke ju përgjigjur me ironi kritikave, ai tha se po ta kishte dhënë ai

“Idenë e fluturimeve direkte dhe jo Grenell, do të më kishin prerë kokën. Nuk mund të shkojmë askund nëse qëndrojmë secili tek tregjet tona të vogla dhe nëse vazhdojmë ta shohim njëri-tjetrin me syrin e asaj që ndodhi në të kaluarën”, shtoi ai.

Rama qartësoi se kjo nuk ka të bëjë me qëndrimin e tij për Kosovën.

“Që ditën e parë e kam thënë se Serbia duhet të njohë Kosovën sa më shpejt të jetë e mundur. Ky është një makth nga i cili Serbia duhet ta çlirojë veten. Kosova është një realitet që nuk mund të ndryshojë, por njëkohësisht duhet të punojmë së bashku”, tha Rama.

Ndërsa shqetësimeve se me ardhjen në pushtet, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të mbajë disa nga qëndrimet për të cilat druhej perëndimi, si për Shqipërinë e Madhe, Rama iu përgjigj duke thënë se “poezia e opozitës nuk është njëlloj me prozën e qeverisjes.”

“Mezi pres të bashkëpunoj me ta në drejtim të marrëdhënieve tona dhe ëndrra ime si edhe e çdo shqiptari është që kufiri të bëhet krejtësisht fluid”, tha ai.

Shqipëria ka miratua një akt normativ për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe Rama iu përgjigj pyetjes së Zërit të Amerikës, se pse këto përpjekje nuk janë bërë më parë, kur ai është në pushtet prej gjashtë vjetësh.

Kryeministri Edi Rama për aktin normativ kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Në Shqipëri ka hyrë në fuqi një paketë kundër krimit të organizuar që Kryeministri e propozoi si mënyrë për të vënë në shënjestër pasuritë e vëna përmes krimit. Në një diskutim në Këshillin e Atlantikut në Uahsington, ku ishte ftuar të fliste gjatë vizitës së Shteteve të Bashkuara, zoti Rama iu përgjigj pyetjes së Zërit të Amerikës lidhur me këtë nismë dhe pse duke pasur parasysh urgjencën që ai thotë se ka ky problem, nuk janë marrë masa më të rrepta përpara.

Gepostet von VOA – Zëri i Amerikës am Mittwoch, 5. Februar 2020

“Si mund të ishte bërë kjo përpara? Kur nuk kishim Prokurorin e Posaçëm, një post që doli përmes procesit të dhimbshëm të reformës në drejtësi dhe vetingut, si mund të guxonim të shkonim pas aseteve dhe financave të krimit të organizuar? Si mund të imagjinonim të kapnim dhe konfiskonim prona që janë siguruar përmes aktiviteteve të paligjshme, me gjykatat që kishim gjithë këto vite?”, tha Rama.

Ai shtoi se gjykatat gjithë këto vjet kanë qenë plotësisht të infektuara nga krimi i organizuar se ka gjykatës dhe prokurorë që jo vetëm po bashkëpunojnë me krimin e organizuar por janë pjesë e krimit të organizuar.

“Ka nga ata që pyesin pse fillojmë me ta dhe jo politikanët: përsëri është shumë e thjeshtë. Nuk është qeveria, nuk jam unë, nuk është policia që duhet të merret me shkeljet e politikanëve. Është sistemi i drejtësisë. Prandaj ne po reformojmë drejtësinë”, tha ai.

Kryeministri Rama është kritikuar se kur dolën akuzat ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri dhe ish-Kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako për lidhje me botën e krimit, ai nuk i denoncoi ata. Por në përgjigjen e tij, zoti Rama tha se partitë politike nuk janë vend ku bëhet hetime dhe gjyqe, partitë nuk janë vende ku ti cakton se kush merr pjesë.

“Partia nuk duhet gjykuar kurrë në bazë të shkeljeve të disa individëve, por se si reagon. Nëse partia bëhet një avokat që mbron ose shfajëson para publikut njerëz që kanë bërë gjëra jo të mira, atëherë është problem. Por nuk mund të më përmendni asnjë rast ku ne nuk u distancuam kur drejtësia duhet të bënte punën e saj. Dhe me duhet të them që ne jemi e vetmja parti që e kemi bërë këtë”, përfundoi Rama.