SHPËRNDAJE

Përpara nisjes së pushimeve kryeministri Edi Rama për plot 120 minuta u përball me median, nga ku i bëri një bilanc zhvillimeve ekonomike në 6 mujorin e parë të 2019-tës, e atyre politike.

Kryeministri e quajti situatën e gjashtë muajve të shkuar aspak nxitëse për ekonomikë megjithatë tha se ekonomia u rrit me 2.21 % krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018-tës.

Informalitetin një prioritet që në qeverinë Rama1, kryeministri e quajti shqetësues dhe në rritje edhe këtë mandate të dytë. Top Channel e pyeti kryeministrin nëse ndjehej i tradhtuar nga administrata tatimore përballë kësaj mosfutjes në binarë të informalitetit.

“Ne ndërkohë po përgatisim një sistem ultramodern. Të quajtur sistemi i fiskalizimit, ku do të fusim të gjitha bizneset në monitorim online 24 orë të çdo trasanksioni. Në sistemin e vjetër të kasave nuk ka transmetim në kohë reale”, tha Rama.

Shkodrën kryeministri e shpalli një zonë me prioritet strategjik nga ku do të nisin disa projekte transformuese. Krahas ndërtimit të rrugës Orikum Dukat Edi Rama njoftoi se po bëhet studimi për tunelin e Llogarasë. Pas rindezjes së debateve për teatrin e Ri, kryeministri nuk dha asnjë shenjë tërheqje nga ky projekt.

“Procedura vijon, ka një ligj. Ideja që një pakicë, apo edhe një shumicë, mund të dalë mbi ligjin duhet të marrë fund. Po të ishte ndërtuar do e kishin ndërtuar të tjerët është një operacion me një kosto të lartë. Buxheti për të ndërtuar Teatrin është me herë dhe me herë më i madh se i gjithë Buxheti për Kulturën gjatë një viti. Kincidon kërkesa e një sipërmarrësi për të zhvilluar një pronë private me interesin tonë për të zhvilluar, për të bërë Teatër”, tha Rama.

Pasi e theksoi se nuk ka asnjë ndërmjetësim nga ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës politike, kryeministri ia vuri opozitës kufirin tek Thana. Dhe Thana e kryeministrit është viti 2021 i zgjedhjeve të përgjithshme.

“Ka shumë detyra shumë më të rëndësishme, se sa të pres Lulzim Bashën, apo Monika Kryemadhin, apo këdo qoftë tjetër që të kandisen për të folur. 2021-shi është shumë më afër nag ç’mund t’u duket atyre. Karamele më nuk ka, qofte ke daja më nuk ka. Daja ka vdekur më 30 qershor për të gjitha partitë politike shqiptare. Kush fiton kush humbet e vendos vetëm populli, askush tjetër”, tha Rama.

Kryeministri i qëndroi larg agravimit të përplasjes me presidentin Meta por ama nuk e fshehu shqetësimin.

“Situata e Presidentit është e rëndë dhe nuk dua t’i shtoj më shumë vështirësi në perceptimin e realitet. Tërmetin ai e ka shumë të thjeshtë, mjafton të nxjerrë një dekret dhe e shtyn”, u shpreh Rama.

Deklarimet e drejtpërdrejta për ortodoksinë e marrëdhëniet me Greqinë të bëra në këtë konferencë shtypi me gjasë do të hapim polemika të forta në vendin fqinj.