SHPËRNDAJE

Një vajzë nga Mitrovicë ka lajmëruar në polici familjen e saj, pasi ka thënë se ata e kanë mbajtur atë të izoluar në banesën e familjes.

Vajza e ka lajmëruar të hënën rastin në Policinë e Kosovës, teksa ka treguar se arsyeja pse familja e ka mbajtur atë të izoluar ka të bëjë me të dashurin e saj. Familja nuk po e lejon atë që të martohet me “personin që ajo dashuron”.

“Ankuesja femër k-shqiptare ka raportuar se po mbahet e izoluar në banesë nga prindërit dhe i vëllai për shkak që të mos martohet me personin që ajo e dashuron”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës lidhur me rastin.

Pas intervistimit në stacionin e Policisë së Kosovës në Mitrovicën Jugore, me kërkesën e saj vajza është dërguar në strehimore.

Tre familjarët e saj janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit janë liruar.