SHPËRNDAJE

Mëngjesin e 19 prillit të vitit 1999, banorët e fshatit Hallaq i Vogël të komunës së Lipjanit u zgjuan nga automatikët dhe minahedhësit e forcave dhe paramilitarëve serb.

Në këtë datë forcat serbe kryen një tjetër krim të rëndë në Kosovë duke vrarë e pushkatuar 20 banorë të këtij fshati.

Banorët tregojnë se një ditë më herët, pra më 18 prill, komandanti i Policisë në Lipjan që ishte serb, (banorët i referoheshin Komandant Nikolla) kishte ardhur dhe iu kishte thënë që nesër do të vij një kontrollë por mos u frikësohuni sepse nuk do të ndodh asgjë, duke i tradhtuar keq. Dita tjetër, ishte dita e krimit.

Të gjithë fshatin e kishin mbledhur në një pjesë që quhej “Mereja” duke i seleksionuar burrat për pushkatim, ndërsa pjesën tjetër e kishin nisur kinse për Shqipëri për t’i kthyer pastaj prapë pas krimit të kryer.

Serbët paraprakisht kishin vrarë 9 banorë nëpër pragjet e shtëpisë, ndërsa 11 të tjerët në pushkatim.

Dy persona, Idriz Govori dhe Beqir Asllani i shpëtuan pushkatimit. I pari ra në tokë para se të goditej nga plumbat, e plumbat i hynë në xhaketë, por asnjëri në trup, ndërsa Beqir Asllani ishte plagosur në krah.

Idriz Govori tregon ekskluzivisht  se si i shpëtoi vdekjes tri herë nga forcat serbe.