SHPËRNDAJE

Numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm prej 6,8 shkallë që goditi Turqinë tri ditë më parë ka shkuar në 39, kurse ekipet e shpëtimit janë duke vazhduar të kërkojnë dy persona që kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Suleyman Soilu.

Ai shtoi se qeveria do të ofroj ndihmë financiare për personat shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar. Sipas tij, rreth njëmijë shtëpi do të ndërtohen përkohësisht, e disa shkolla dhe xhami po përdoren aktualisht si strehimore.

Në tërmetin që goditi provincën Elizag janë lënduar më shumë  se 1,600 persona, 86 prej të cilëve kanë kërkuar ndihmë nëpër spitale, e për fat të mirë asnjëri prej tyre nuk është në gjendje kritike.

Deri më tani nga rrënojat janë nxjerrë 45 persona, kurse zyrtarët kanë paralajmëruar evakuime në qytet, duke u bërë thirrje që të mos kthehen nëpër apartamentet e tyre dhe shtëpitë, nga frika se mund të shemben nga ndonjë tërmet i ri.

Ministri i Urbanizmit, Murat Kurum, ka deklaruar se autoritetet kanë filluar me shkatërrimin e 22 ndërtesave të dëmtuara pjesërisht në Elazig, derisa ka premtuar që deri në fund të vitit do të ndërtohen dymijë shtëpi të reja.