SHPËRNDAJE

Në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë problem përdorimi i gjuhës shqipe, edhe përkundër miratimit të Ligjit për gjuhën, që konsiston në përdorimin më të zgjeruar apo siç thuhet zyrtarizimin e saj.

Njohësit e çështjeve juridike theksojnë se ka shumë mangësi dhe se gjuha shqipe ngulfatet në labirinthet institucionale, pasi që në shumë sfera institucionale nuk gjen zbatimin e saj.

Profesori universitar për çështje juridike, prof.dr.Fatos Rushiti thotë se zbatimi i ligjeve që shkojnë në favor të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, nuk merr formën e duhur kjo nga shkaku i dy pengesave, në këtë rast edhe për ligjin për gjuhët.

“Njëra neglizhimi dhe sabotimi i palës maqedonase që ligji për gjuhët të mos gjej zbatimin e duhur dhe tjetra e menaxhimit banditesk i kuadrove të BDI-së në udhëheqje. Këta të fundit përjashto dy tre individë që mund të jenë serioz dhe kompetitiv të tjerët janë snobe partiak që delegohen të udhëheqin me institucione të rëndësishme shtetërore deri dhe ministritë dhe fare nuk ia ndien se a po zbatohet ligji për gjuhët bile mund të tillë që nuk e dinë se ka një ligj të tillë. Maqedonasit janë mësuar me këtë apati të shqiptarëve qe çjerrin zërin si këndet vetëm kur ka zgjedhje dhe dhe pas zgjedhjeve heshtin dhe shikojnë interesat personale pra maqedonasit thjesht shfrytëzojnë çdo hapësirë që ligji për gjuhët të mos zbatohet”, thekson për INA, Fatos Rushiti.

Ai thotë se duhet bërë ndryshime në udhëheqje, se pari të shkarkohet menjëherë drejtori aktual i Agjencisë për zbatimin e ligjit për gjuhët dhe së dyti sipas tij, duhet gjetur konsensus politik që të bëhen ndryshime kushtetuese dhe të hiqet togfjalëshi “mbi 25 përqind”.

“Për këtë vetëm se është shprehur pro VMRO, dhe tjetra që më Qeveria të përpilojë një strategji enkas për zbatimin adekuat të ligjit për gjuhët përfshirë këtu dhe forcimin e kontrollit mbi administratën gjegjësisht atë të inspektorëve”, thekson profesori Rushiti.

Edhe njohësi i çështjeve juridike, Burim Tahiri thotë se zbatimi i ligjit që ka të bëj me përdorimin e gjuhës shqipe humbet nëpër labirinthet institucionale.

“Ligji është, por implementimi nuk është. Ne jemi dëshmitarë se shumë institucione nuk e përdorin gjuhën shqipe. Duhet një revidim i domosdoshëm dhe një analizë se çfarë duhet bërë kur kemi diçka jofunksionale. Po ashtu kemi edhe agjencinë dhe inspektoratin që janë themeluar për implementimin e zbatimit të gjuhës shqipe, por edhe këto institucione po shohim se nuk mund të bëjnë asgjë, sepse kemi një gamë të gjerë të institucioneve ku nuk përdoret gjuha shqipe”, thekson për INA, juristi Burim Tahiri.

Sipas tij, edhe dokumentacionet, komunikimi dhe format e tjera të përdorimit nuk gjejnë zbatim dhe hapësirë në shumë institucione.

“Andaj në këtë rast kemi situatë kaotike dhe jofunksionalitet sa i përket zbatimit të ligjit për gjuhën shqipe. Shumë funksionarë maqedonas anashkalojnë dhe zvarrisin aplikimin e saj në institucionet ku udhëheqin, me arsyetimet dhe alibitë e tyre të ndryshme. Andaj duhet një fokusim i fuqishëm në drejtim të zbatimit të këtij ligji, apo fillimisht gjetjen e atyre pikave se ku janë problemet”, thekson Burim Tahiri.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në janar të 2018 ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike me të cilin avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror. Por, edhe përkundër këtij ligji, ende ka pakënaqësi dhe mangësi. (INA)