SHPËRNDAJE

Shqiptarët e Luginës vazhdojnë të përballen me probleme të shumta si pasojë e diskriminimit nga autoritet Serbe.

Së fundi, disa banorë shqiptar, kryesisht të Medvegjës janë duke u përball me pasivizimin e adresave nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Si pasojë e kësaj, ata nuk kanë të drejt të pajisen me dokumente të identiteti e kështu iu mohohet dhe e drejta edhe për votim.

Organizata joqeveritare “Forumit Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi” e cila vepron në këtë zonë, vazhdimisht ka ngritur zërin për pengesat dhe shkeljet që iu bëhen shqiptarëve atje.

Muharrem Salihu, aktivist për të drejtat e shqiptarëve në Lugine dhe pjesë e kësaj organizate ka dhënë një intervistë për portalin arbresh.info ku ka treguar për pozitën në të cilën ndodhen shqiptarët e Luginës.

Salihu, tregon se aktiviteti i tyre kryesisht prek nga afër problemet e shqiptarëve në atë pjesë dhe ngrit zërin për to duke bashkëpunuar me institucionet e Kosovës dhe tri komunat, Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.

Për shqetësimin e fundit të banorëve që po iu pasivizohet adresa e vendbanimit, ka reaguar edhe Salihu dhe organizata e tij. Ai ka treguar se ky fakt po bënë shkelje të rënda të shqiptarëve autoktonë që jetojnë në Serbi.

“Zbatimi i pasivizimit të adresave shqiptarëve autoktonë që jetojnë në Serbi, nuk ju ka sjellë vetëm humbjen e të drejtës së votës, por i ka bërë ata inekzistentë de jure në kushtet e ekzistencës de facto. Dhe kjo përbën edhe shkeljen më të rëndë. Duke mos qenë të regjistruar asgjëkundi, shqiptarët në Serbi, kryesisht në Medvegjë nuk mund të pajisen me dokumente të identitetit”, ka thënë ai në intervistën dhënë për portalin arbresh.info.

Intervista e plotë  me Muharrem Salihun;

  1. Cili është aktiviteti juaj në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Serbi?

Përgjigje:

Shqiptarët në Serbi janë minoriteti më i diskriminuar në Ballkan, si përsa i përket të drejtave themelotare njerëzore, po ashtu edhe për të drejtat si qytetarë dhe shtetas të Serbisë. Ndaj, unë së bashku me bashkëpunëtorë të mi, të organizuar përmes “Forumit Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi” (AFEDS), nuk mund të heshtim nga shkelja e të drejtave tona në mënyrë të herëpas-hershme nga institucionet e shtetit të Serbisë. Aktiviteti ynë është i përqendruar në këto fusha:

  • Identifikimi i shkeljes së të drejtave tona si qytetarë;
  • Identifikimi i diskriminimit të vazhdueshëm, që ju bëhet shqiptarëve në Serbi, pavarësisht vendndodhjes së tyre;
  • Sensibilizimi i drejtuesve politikë shqiptarë në 3 komunat shqiptare: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, për të mbrojtur të drejtat e tona;
  • Denoncimi dhe publikimi në median e shkruar, televizive dhe elektronike i këtyre shkeljeve, përmes artikujve, prononcimeve, intervistave, tubimeve, takimeve, tryezave të diskutimit, etj.;
  • Informimi i Organizatave Ndërkombëtare që veprojnë në Evropë e SHBA dhe zyrtarëve ndërkombëtarë, kryesisht në ambasadat kryesore që veprojnë në Serbi, për diskriminimin dhe shkeljet e të drejtave tona, që na bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nga ana e shtetit të Serbisë.

 

  1. Çfarë keni bërë deri më tani?

Puna jonë si AFEDS është e vazhdueshme dhe e pandërprerë. Ajo po gjen gjithnjë e më shumë mbështetje dhe përkrahje si nga qytetarët shqiptarë në Serbi, në diasporë, në dy shtetet shqiptare, Shqipëri e Kosovë, si edhe nga ndërkombëtarët, të cilët gjithnjë e më shumë po ndërgjegjësohen dhe po njihen me diskriminimin që po i bëhet popullatës shqiptare nga shteti i Serbisë. Vetëm në një hark prej 2 javësh, ne kemi organizuar: (i) një Tryezë Diskutimi në Prishtinë, ku morën pjesë mbi 100 veta, të cilët jo vetëm mbështetën iniciativat tona, por është u angazhuan për të mbrojtur të drejtat e tyre si shqiptarë; dhe (ii) kemi zhvilluar disa takime me përfaqësues të ambasadave mike të shqiptarëve, të cilët i njohëm me situatën reale të shqiptarëve në Serbi.

  1. Gjatë takimit në Beograd me përfaqësuesit e Ambasadave a e keni ngritur zërin kundër pasivizimit të vendbanimeve që po u bëhen shqiptarëve, që në këtë mënyrë edhe po u merret e drejta e votimit votuesve shqiptarë? A keni marrë ndonjë veprim për ta ndaluar këtë praktikë që Serbia po ë bën në drejtim të shqiptarëve?

Pasivizimi i adresave është shkelja më e rëndë e të drejtave të njeriut që po na bëhet ne shqiptarëve në Serbi në kohë paqe, ndaj edhe ka qenë çështja e parë që ne kemi përcjellë në kancelaritë evropiane dhe te zyrtarët amerikanë e më gjerë. Zbatimi i pasivizimit të adresave shqiptarëve autoktonë që jetojnë në Serbi, nuk ju ka sjellë vetëm humbjen e të drejtës së votës, por i ka bërë ata inekzitentë de jure në kushtet e ekzistencës de facto. Dhe kjo përbën edhe shkeljen më të rëndë. Duke mos qenë të regjistruar asgjëkundi, shqiptarët në Serbi, kryesisht në Medvegjë nuk mund të pajisen me dokumente të identitetit; nuk mund të kryejnë veprime në zyrat publike; nuk mund të blejnë dhe të shesin prona; nuk mund të ushtrojnë të drejtat e pronësisë; nuk mund të udhëtojnë jashtë vendlindjes së tyre; nuk mund të përfitojnë shërbime publike; nuk mund të gëzojnë pension apo shërbime shëndetësore; nuk mund të punësohen; nuk mund të ushtrojnë të drejtën e votës; etj.

Për të frenuar dhe më tej për të zvogëluar efektet e këtij procesi dëmtues për shqiptarët në Serbi dhe për medvegjasit në veçanti, siç shpreha më lartë, ne kemi denoncuar këtë proces diskriminues, si në institucionet vendore serbe, edhe në institucionet ndërkombëtare apo në media. Puna vazhdon.

  1. Cili është raporti juaj me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në tre komunat shqiptare në jug të Serbisë dhe nëse të njëjtit, a po i mbrojnë denjësisht të drejtat e shqiptarëve?

Raportin tonë do e përkufizoja si zyrtar. Ata në punë të tyre dhe unë me bashkëpunëtorët e mi, në punën tonë. Jo gjithnjë agjendat dhe angazhimet tona janë përputhur. Çdo veprim i yni si AFEDS ka një rezultat dhe ky rezultat është i dukshëm dhe publik për të gjithë shqiptarët dhe ndërkombëtarët.

Kujtojmë se, AFEDS është organizatë joqeveritare me fushë veprimi ekonominë, që lindi si nevojë e shqiptarëve për të bashkuar burimet njerëzore, financiare dhe materiale për të kontribuar në zhvillimin e ekonomisë në trevat shqiptare në Serbi.