SHPËRNDAJE

Mëngjeset e ditëve të verës tash e dy dekada po ia “ngrinë” shpirtin. Sikur të kishte ndodhur dje. Ajo e ka të freskët ende ditën kur u dhunua nga forcat policore pushtuese serbe. Sa herë që vijnë ditët e verës, kësaj gruaje dhe mijëra të tjera të përvuajtura, që përjetuan tmerrin, po u shtohet edhe më shumë dhimbja. Shteti deri tani përveç që ka filluar t’ua njohë statusin, ato nuk kanë marrë asnjë lloj ndihme.

Ajo është vetëm një nga 20.000 gra e vajza të reja që ishin viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Me sy të përlotur, kjo grua mbi të 40-tat rrëfen për KosovaPressin ankthin e tmerrin që përjetoi korrikun e vitit 1998.

Ajo me disa familjarë të tjerë me veturë ishin nisur të shkonin tek disa të afërm të tyre. Aty kishin rënë në dorën e forcave policore serbe, kur për së gjalli e përjetoi edhe tmerrin.

“Në verën e vitit ’98 ishim bashkë me familje, ishim pesë vajza. Unë isha e martuar dhe me veturë kemi dalë që të shkojmë në familjen tonë. Aty na kanë ndalur edhe na kanë zbritur prej veturës, na kanë dërguar me një vend, me një dhomë. Kemi qenë pesë persona, aty në praninë time i kam parë të gjitha dhunimet që iu kanë ndodhur edhe vajzave të reja. Në përjashtim të tjerave unë kam qenë e martuar, kam qenë shtatzënë, shkaku i asaj ngjarjeje, shkaku i dhunimit e kam humb edhe foshnjën. Ata i kanë larguar burrat me një anë, ka pasur edhe të tjera gra, po ato nuk më kujtohen, vetëm këto që kemi qenë bashkë si familje, ku asnjëra e as tjetra nuk kemi qenë në gjendje ta ndihmonim njëra-tjetrën, për shkak se aty kanë qenë pesë gjashtë veta, edhe kanë qenë të zot, të mëdhenj”, rrëfen ajo.

Nga aty ajo ishte kthyer në shtëpi në gjendje të rëndë shëndetësore. Duke iu dridhur zëri e duke i lotuar sytë, ajo mundohet të përshkruajë minutat kur u keqtrajtua fizikisht, derisa thotë se asnjërën nga fytyrat e dhunuesve nuk kishte arritur t’i mbante mend.

Trupi i saj rrëqethët sa herë përpara saj dalin ato skena trishtuese. Madje, në ato kohë ajo po mbante një foshnjë, ku si shkak i dhunimit, e kishte humbur atë.

E pasojat që lufta la në këtë grua janë tejet të mëdha. Ajo ka nevojë për mjekim, e kujdes.

“Kurrë nuk kemi qenë të qeta, kurrë asnjëherë që me qenë e qetësuar, se për një moment të kujtohet diçka prej asaj kohe. Nuk e di që kam qenë ndonjëherë e qetë, e pa stres, e pa ngarkesë se kam qenë psiqikisht e ngarkuar”, thotë ajo.

Për të gjitha këto që i ka përjetuar kishte ditur vetëm bashkëshorti, i cili nuk jeton më. E për shkak të problemeve me rrethin e qytetin, nuk guxon as inicialet t’i publikojë, kujdes ka edhe derisa rrëfen për atë që përjetoi.

Në Kosovë thuhet se janë rreth 20 mijë gra, burra, vajza e djem të ri që ishin viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit. Ata po jetojnë me plagë, këtë sfidë e kanë mbi supet e tyre tash e dy dekada.

Nga shkurti i vitit 2018 prej kur ka filluar punën Komisioni për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, kanë aplikuar mbi një mijë persona. Por, ka shumë prej tyre që nuk kanë arritur të gëzojnë këto benificione.

As ky komision nuk i ka shpëtuar kritikave. Ndaj këtij grupi ka ankesa të shumta se po e ngadalëson tepër këtë proces.

“Kam aplikuar që një vit e katër muaj…për mua ka qenë proces i gjatë… pak pritja e gjatë na ka bërë që të mos ndihem e sigurt, jo me u ndje mirë, kanë filluar streset, kanë filluar pagjumësitë, kjo ishte ajo që na mundon më shumë…I kisha lut me punu pak më shumë, pak më shpejt se na humbur edhe durimi, është bërë shumë, qe sa vjet…janë të mundimshme, se ne nuk ishim të qeta as se kur pret diçka nuk të vjen asnjë përgjigje, një muaj të duket shumë, jo me prit një vjet e katër muaj. Unë për vete kohën e fundit nuk jam ndjerë mirë, se ky stresi vetëm me pas një përgjigje, nuk ke mujt me marrë”, rrëfen ajo.

Pritjet e gjata e kishin lodhur shumë, me dhjetëra herë kishte menduar edhe të dorëhiqet, e të mos pranojë fare këtë status. Megjithatë, pas kësaj kohe, ajo ka fituar të drejtën për të gëzuar këtë benificion.

Në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, po vazhdojnë të trajtohen me qindra viktima. E fatkeqësisht ka edhe nga ato që ende nuk marrin guxim t’i drejtohen ndonjë shoqate për të rrëfyer atë që iu ka ndodhur. Krejt kjo për shkak të paragjykimeve që vazhdojnë të bëhen në shoqërinë kosovare sa i përket kësaj kategorie.

Drejtoresha e kësaj qendre, Feride Rushiti thotë për KosovaPress, se ky komision për njohjen e statusit të viktimave po zvarrit rastet.

“Ka të mbijetuar të dhunës seksuale që presin mbi 1 vit çka në vetvete është një lloj ankthi pasi nuk është e lehtë me marr vendimin edhe me nda përvojën tënde traumatike përmes atij aplikacioni dhe me deponu te mekanizmat e shtetit. Shumë gra e kanë të vështirë me marr këtë vendim në familje, e pastaj edhe pritja që po ju stërzgjatet me vjet e muaj të tërë e bën situatën edhe më të rënduar në familje. Edhe shumë herë burrat e vënë në pikëpyetje se çfarë po ndodhë me të, pse është dashur me apliku. Ky mekanizëm është mekanizëm administrativ dhe mendojmë që ku mekanizëm duhet të ketë afate të qarta kohore për një aplikacion. Kështu që e mbijetuara e dhunës seksuale në momentin që aplikon ajo duhet ta di a duhet të pres tre muaj, apo një muaj, apo gjashtë muaj. Ta ketë të qartë kur të hyj në atë proces sa duhet të jetë ajo pritje”, deklaron Rushiti.

Për këtë, kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, Minire Begaj-Balaj thotë se po kanë presion, derisa thekson se ky proces kërkon kujdes për shkak të ndjeshmërisë.

“Ky proces ka ardhur pas 20 viteve, dhe trauma po trajtohet pas 20 viteve dhe është një rrugë gogja e largët prej asaj që ka ndodhur edhe prej asaj që ne tash po e shqyrtojmë. Është një kohë e gjatë, nëse e marrim pjesën tjetër para se me fillu, ne e dimë që janë marrë shoqatat për vite të tëra me këtë kategori, por edhe shoqatat edhe krejt ata që janë marrë me të mbijetuarit, nuk është e lehtë një intervistë e marrë, mos të flas për ta shqyrtuar. Ne po ballafaqohemi çdo ditë, sekretaria e komisioni që merret direkt, ka pasur deri në gjashtë orë, ndoshta është dashur që të ndërprehet disa herë për me marrë një intervistë. Për arsye se është trauma, dhe nuk është e lehtë pastaj të administrosh, të vlerësosh gjithë ato dokumente dhe t’ia japësh vlerën secilit dokument, nuk është e lehtë”, thotë Begaj-Bala për KoosvaPress.

Ajo po zotohet se që nga fillimi janë marrë më shumë se një herë me një lëndë, e që sipas saj, në muaj janë trajtuar 40 prej tyre.

Megjithatë, ajo deklaron se ka rënë numri i aplikimeve krahasuar me muajt e parë.

“Deri më tani kemi pranuar 1157 aplikime në nivel vendi… ndërsa prej të shqyrtuarve deri më tani iu ka njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës 648 personave, të refuzuara i kemi 184, diku 73 lëndë janë në proces, që presin për intervistë, dokumente shtesë por që janë diku 74 lëndë në procedurë që mund të jenë gjatë kësaj jave, apo javës tjetër. Në përgjithësi të trajtuara deri më tani i kemi 906 lëndë… Kërkesa për rishqyrtim gjatë këtyre dy viteve ne kemi pranuar 202, prej tyre i kemi trajtuar 143 raste, dhe prej 143 të shqyrtuar i kemi aprovuar 50, përfundimisht deri më tani 83 raste janë që i kemi refuzuar prej komisionit, që i kemi shqyrtuar dhe i kemi refuzuar për herë të dytë”, thotë ajo.

Zvarritja e proceseve në vendimmarrje në tërësi, sipas Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari është një prej problemeve kyçe.

Ai thotë se në institucionin e Avokatit të Popullit janë paraqitur shumë ankesa për zvarritjen e rasteve për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale.

“Problemi lind kur komisioni konsideron që nuk mund të gëzojë këtë të drejtë që ju njihet për kompensim, e që udhëzohen që të përdorin mjetin juridik, që është gjykata, që është një proces shumë normal në administratat tjera sepse jo gjithherë pretendimet ankimore për gëzimin e një të drejte, një institucion i caktuar mund t’i akordojë”, thotë Jashari.

Viti 2019 po mbahet mend për daljen publike të të mbijetuarës së dhunës seksuale, Shyhrete Sylejmani Tahiri, e cila publikisht denoncoi krimin që i është bërë gjatë luftës, pranë Prokurorisë për Krime Lufte.

“Zonja Shyrete Sylejmani Tahiri për herë të parë publikisht denoncoi krimin, dhunimin e luftës, pra publikisht pati guximin që ta denoncojë kriminelin pranë institucionit të Kosovës, Prokurorinë Speciale për Krimet e Luftës duke i fuqizuar dhe duke i inkurajuar edhe gratë dhe burrat e tjerë, të cilët kanë përjetuar dhunë seksuale që t’iu qasen institucioneve të drejtësisë për të kërkuar drejtësi”, thotë ajo.

Viktimat e dhunës seksuale përveç kompensimit material kanë nevojë edhe për drejtësi. Kështu po thotë kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe Drejtave të Njeriut, Behgjet Shala.

“Sipas KMDLNJ-së kompensimi i tyre është në shpërputhje të mëdha me atë që kanë pësuar, për viktimat e dhunës edhe po të ishte kompensimi pesëfish qysh sot prapë është i vogël. Mirëpo, megjithatë kur kemi të bëjmë me një kategori të margjinalizuar dhe me një kategori të cilën rrethi i sheh me rezervë, dhe me një kategori e cila varet nga mëshira e rrethit, kjo shumë e kompensimit qoftë simbolike njëfarë mënyre u krijon një pavarësi ekonomike, qoftë edhe minimale, e cila në një masë ua lehtëson gjendjen dhe në një mënyrë nuk mbesin, pra në aspektin material është një kujdes i shtetit. Mirëpo në aspektin e trajtimit të tyre dhe integrimit të tyre kemi ngecje dhe jemi prapa dhe ende Kosova përkundër këtyre ndryshimeve pas përfundimit të luftës përkundër përpjekjeve për ndërtimin e një demokracie ende kam përshtypjet që jemi një shoqëri patriarkale. Ne e pranojmà « që kemi kaq të dhunuara por kur vije puna për një veprim konkret kemi disa hezitime”, thotë Shala për KosovaPress.

Viktima e dhunës seksuale gjatë luftës, për vjet me radhë po thotë se është ndjerë e braktisur nga shteti. Ajo sa herë dëgjon të përmenden serbët, kujtimet i kthehen aq të freskëta, sikur të ishin duke i ndodhur tani.

“Shteti nuk ka bërë për neve asgjë, deri tash e vetmja është që më është njohur statusi, nuk kam pasur asnjë lloj ndihme prej shtetit… Ju bëjë thirrje që të kenë durim, mos të kenë stres si unë, tash më është bërë sikur një punë e përditshme kjo lodhja, stresi, pagjumësia, po të presin se secila që është viktimë atyre ju takon ajo. Komisionin e kisha lut që të punoj pak më shumë, më shpejt se edhe na ka humb durimi”, përfundon ajo.

Përkundër deponimit të plotë dosjeve për këtë krim ende askush nuk është dënuar, e kjo e mbijetuar është një zë i përbashkët i gjithë atyre që përjetuan krimin e aso kohe. Kërkesa për drejtësi do të mbetet lutje para çdo gjumi derisa ajo të vije në vend.