SHPËRNDAJE

Para vizitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Kosovë, ka pasur raportime për serbët e Kosovës, të cilët punojnë për institucionet e financuara nga Beogradi duke u detyruar të marrin pjesë në tubimin e tij.
Disa përfaqësues të serbëve të Kosovës thonë se punëtorët e institucioneve të financuara nga Serbia në Kosovë janë duke u vënë nën presion për të marrë pjesë në një tubim në mbështetje të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe frikësohen nga masat ndëshkimore nëse nuk shkojnë.

“Të gjithë në arsim janë thirrur të deklarojnë [nëse do të shkojnë] – në universitet dhe në shkollat fillore dhe të mesme”, tha Ksenija Bozhoviq, nga SDP, e vendosur në qytetin e ndarë verior të Mitrovicës.

Bozoviq tha për BIRN se punëtorëve u janë dhënë deklarata për të nënshkruar, duke thënë se ata do të marrin pjesë në tubimin e 9 shtatorit dhe se situata është e njëjtë në institucionet shëndetësore të financuara nga Serbia.

Ati Sava Janjiq, abati i manastirit ortodoks serb të Deçanit, tha se punëtorët në shkolla i kishin thënë atij se “një institucion i rëndësishëm shtetëror serb” i kishte urdhëruar ata të dërgonin listat e të punësuarve të tyre të cilët nuk do të marrin pjesë në tubim.
Një ish deputete serbe në parlamentin e Kosovës, Rada Trajkoviq, gjithashtu tha se serbët e Kosovës që punonin në shërbimet shëndetësore, arsimore dhe sociale kishin raportuar se ishin nën presion për të marrë pjesë në tubimin e Vuçiqit.

“Është një keqpërdorim i paprecedentë i institucioneve”, tha Trajkoviq për BIRN.

Ministria Serbe e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë dhe Partia Progresiste e Presidentit Vuçiq nuk iu përgjigjën kërkesës së BIRN deri në kohën e publikimit.

Vuçiq njoftoi në gusht se ai do të vizitojë Kosovën në fillim të shtatorit për të paraqitur “udhëzimet dhe drejtimet e politikës shtetërore ndaj Kosovës” ndaj serbëve lokalë.
Vizita do të vijë pasi Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të takohen në Bruksel më 7 shtator, për të negociuar më tej normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

Vuçiq ka bërë thirrje për një shkëmbim territorial me Kosovën përgjatë vijave etnike, një ide që ka përballuar rezistencë të fortë nga partitë opozitare serbe dhe kosovare, serbët e Kosovës dhe nga disa politikanë në pushtet në Kosovë.

Thaçi, nga ana tjetër, ka folur javën e kaluar për një “korrigjim kufitar”, duke thënë se propozimi i tij për shqiptarët etnikë që jetojnë në Serbinë jugore për t’u bashkuar me Kosovën do të jetë një nga temat në mbledhjen e 7 shtatorit.