SHPËRNDAJE

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka rikujtuar se për më shumë se 17 vjet, qytetarët e Kosovës kanë paguar shpenzimet e energjisë elektrike për serbët e veriut. Ka rikujtuar edhe premtimin e Qeverisë se këta qytetarë, 93 për qind e të cilëve janë shqiptarë do të kompensohen, por se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

KMDLNH thotë se edhe tani, serbët refuzojnë të paguajnë faturat e energjisë elektrike dhe kjo dëmton buxhetin e Kosovës për 12 milionë euro në vit.

“Pas reagimeve të shumta të qytetarëve të plaçkitur të KMDLNJ-së dhe të Avokatit të Popullit, Gjykata e Apelit mori vendim që të ndërpritet kjo lloj abuzimi dhe hajnie institucionale ndërkaq Qeveria e Kosovës premtoi se do të kompensohen qytetarët e dëmtuar për më shumë se 17 vite e që deri më tani nuk janë kompensuar. Serbët e veriut të Kosovës edhe më tutje refuzojnë të paguajnë faturat për rrymë dhe shërbime tjera ndonëse buxheti i Kosovës dëmtohet për më shumë se 12 milionë euro në vit. Shteti i Kosovës nuk vepron në veri në ndërkohë që edhe për borxhin më të vogël të faturës për rrymë të shpenzuar, KEDS-i përmes përmbaruesve ua bllokon llogaritë bankare edhe kategorive sociale”, thotë KMDLNJ në një komunikatë.

KMDLNJ thekson se ligjet e Kosovës si dhe Kushtetuta e saj garantojnë barazi dhe trajtim jodiskriminues për të gjithë qytetarët e saj e që në rastin konkret diskriminimi është aq flagrant e që nuk ndodhë në asnjë vend të botës.

“Për shpenzimet e bëra duhet të vlejnë standardet e njëjta, atë që shpenzoni, duhet edhe të paguani pa bërë dallime në baza etnike, fetare, gjinore, moshës, racës, bindjeve politike, etj. Pse shqiptarët dhe joserbët duhet të paguajnë ndërsa serbët nuk paguajnë kurrë dhe asgjë në ndërkohë që ndaj tyre nuk vlen orari i reduktimeve?”, thekson KMDLNJ.

Ky këshill u ka bërë thirrje qytetarëve që të protestojnë për të kundërshtuar këtë diskriminim.

“Qytetarët e Kosovës, në mënyrë të organizuar duhet të kundërshtojnë këtë diskriminim dhe vendosje të standardeve të dyfishta duke protestuar dhe duke kërkuar trajtim të barabartë. Institucionet e Kosovës duhet të dëshmojnë se janë shtet dhe se nuk pranojnë që serbët të sillen në këtë mënyrë. Ndryshe, eskalimi i situatës në Kosovë, fillimisht i natyrës sociale duhet dhe do të jetë i pashmangshëm e që pastaj do të përcillet me destabilizim politik dhe situatës së sigurisë”, thuhet në fund të komunikatës së KMDLNJ-së.