SHPËRNDAJE

Në katër komunat në veri të Kosovës bizneset i kanë mbyllur të gjitha dyqanet që kanë, përfshirë edhe ato me produkte ushqimore, duke synuar të paraqesin një gjendje që ata po e quajnë “katastrofë humanitare”.

Kjo po bëhet në shenjë proteste ndaj taksës 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës. Për këtë gjendje, Qeveria e Kosovës ka thënë sot se do të dërgojë mallra në veri të vendit, në mënyrë që qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës mos t’u mungojnë gjërat elementare për jetesë.

Brahim Krakoveci, një plak i shtyrë në moshë, megjithë motin plot vapë, kishte dalë të hënën në veri të vendit për të rregulluar dokumente përmes së cilave do të mund t’i merrte disa terapi. Por u kthye pa bërë asgjë, meqë çdo gjë në veri ishte e mbyllur.
“Krejt janë mbyllë, s’ka asgjë nuk punon, deri të mërkurën mos dilni kënej hiç. Pensioner jam, mu deshtë një letër për me dërgua për ilaçe në Rashkë, vijnë ilaçet atje. Nuk po punojnë këta”, tha ai.

Krakoveci tha se po shpreson që deri në ditën e mërkure të mund t’i rregullojë dokumentet që po i duhen, meqë paska dëgjuar deri atëherë mund të hapet komuna. KosovaPress këtë pasdite qëndroi në Mitrovicën Veriore. Aty nuk dukej të funksiononte diçka, meqë të gjitha dyqanet ishin me dry.

Furrë buke, barnatore, dyqane ushqimore, madje edhe kafenetë ishin të mbyllura. Qytetarët atje deklaruan se kanë mbledhur në shtëpi gjëra, dhe po presin, meqë aktualisht nuk kanë se ku të blejnë, meqë dyqanet janë mbyll. Sipas tyre, kjo është politike, ndërkohë populli është ai që po e pëson.

Sasha Josicbojk, një qytetar serb që banon në një fshat afër Vushtrrisë, kishte dalë sot në veri të Mitrovicës për një vizitë familjare. Ai tha se kjo çka po flitet është krejt politike dhe për interesa personale të politikanëve.“Ku ka ne blejmë. Unë jam i një katuni nga Vushtrrisë, në jug po shkojmë me ble. Jam serb por jetoj me shqiptarët, kurrë nuk kemi pas problem as nuk kemi me pas. Kjo është çështje politike, kjo nuk është çështje ndër-njerëzore. Gjithkush po lufton për karrigen e vet, e populli po heq. Isha në një vizitë në spital të një mikeshë, mora dhurata në jug dhe shkova e vizitova”, tha ai.

Ndërsa Lubisha, një tjetër qytetar serb, thotë se e i ka prodhimet e veta, dhe se i mjafton edhe miqtë e tij.“I kam prodhimet e mia, e kam bahçen time, edhe për miqtë e mi, kamë pronë dhe tokë që e punoj. Kjo është imja, unë e prodhoj”, tha ai. Dijana, një qytetare serbe, banorë në veri tha se kanë blerë çka ju duhet.

“Nuk e di në të vërtetë. Gjendemi disi, kemi blerë gjithçka, çka na duhet, çka ka pasur, çka kemi mundur të blejmë. Nuk e di”, tha ajo. Lubisha Markoviq tha se dyqanet janë mbyll për shkak të taksës 100%.“Dyqanet janë mbyllur për shkak të taksës qindpërqind. Tash po presim çka po ndodhë”, tha ai. E dikush kur pyetët pse është kjo gjendje, thotë se këtë e di kryeministri i Kosovës.“Për këtë pyete Haradinajn”, tha një qytetare.

Kurse Stanka Kaciq tha se nuk guxojnë të blejnë në dyqanet e shqiptarëve.“Deri tani kemi blerë, por tash sot dhe nesër kanë vendos kështu. Se më mirë të blej atje se edhe më lirë janë. Por nuk guxojmë. Kjo nuk është mirë. Populli po vuan. Këtë e ka bërë politika Vuqiqit, Haradinajt dhe Thaçit. Populli nuk është fajtor”, tha ajo. Ndërsa Sllavisha Kaciq tha se kanë siguruar disa gjëra për disa ditë.

“Nuk e di pse sot janë mbyll. Nuk e di pse. Krejt janë mbyll. Po gjendemi disi me ato çka kemi në shtëpi, ato që i kemi siguruar për disa ditë”, tha ai. Duke parë këto zhvillime në veri, Qeveria e Kosovës sot ka njoftuar se do t’u dalë në ndihmë qytetarëve serb atje, duke dërguar pika shitëse në veri. “Sot, edhe njëherë u kemi dhënë përgjigjen institucionale, të gjitha veprimeve të orkestruara nga Serbia, përgjigje e cila vulosë sovranitetin e vendit, solidaritetin qytetar, përgjegjësinë dhe kujdesin e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Asnjë qytetar i Kosovës nuk do të jetë viktimë e luftës speciale që orkestrohet nga agjentë të jashtëm. Kosova është shtet që ne e ndajmë bashkë si shoqëri!”, ka shkruar sot kryeministri Ramush Haradinaj.

Pasditen e së hënës, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala u takua me pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe bizneset vendore, ku pastaj malli u nis për në komunat e veriut. Në këtë mënyrë, Shala tha se Qeveria e Kosovës po tregon kujdesin për qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë në veri. Sipas tij, kjo dëshmon që Kosova është një dhe e pandarë.

“Kjo pas presionit, të gjithë atyre ndikimeve të cilat Serbia me politikën e saj shoviniste, ka ndikuar që në pjesën e veriut qytetarët tanë të Republikës së Kosovës që jetojnë bë atë pjesë mos të kenë mundësi të furnizohen me produkte ushqimore, për shkak se i kanë detyruar pikat shitëse në atë pjesë që t’i mbyllin ato pika shitëse, ato vende ku qytetarët tanë janë furnizuar. Kjo lëvizje e jona është për me sigurua qytetarin e Kosovës, banorin e veriut se ai është shtetas i Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës do të kujdeset edhe për ta, e kjo me qëllim që asnjë qytetar i joni mos ta ketë të pamundur të furnizohet ke produkte ushqimore”, tha Shala.

Ai tha se Qeveria do të ketë kujdesin në raport me qytetarët atje dhe do të reagojë sa here qytetarët përballen me mungesa. Megjithatë, ai tha se shpreson që bizneset në veri së shpejti do t’i hapin dyqanet.“Nuk besoj që do të zgjatë shumë, besoj që qytetarët tanë të gjitha ato biznese në ato pjesë të Kosovës që i kanë mbyll dhe po refuzojnë t’i shërbejnë qytetarët e vet, ta ndalin këtë sjellje të tyre në raport me qytetin e vet”, tha ai. Automjete me mallra ushqimore dhe gjëra elementare për jetesë u nisën drejt veriut pasdite, ku u tha se do të vendosen në disa pika që do të jenë vazhdimisht në dispozicion të qytetarëve atje. Për gjendjen në veri ka folur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka thënë se “kriza humanitare” është e improvizuar.