SHPËRNDAJE

EditaTahiri

Serbia është e vetëdijshme se e ka patjetër që ta njohë shtetin e Kosovës para se të hyjë në Bashkimin Evropian, ka deklaruar ministrja kosovare pa portofol e ngarkuar për dialogun me Beogradin, Edita Tahiri, në një intervistë për të përditshmen serbe “Danas”.
Sipas Tahirit, siç transmeton KosovaPress, dialogu në Bruksel do të quhet i suksesshëm atëherë kur të arrihet qëllimi i tij, e ky është që edhe Kosova edhe Serbia të bëhen pjesë e BE-së.

“Serbia për nevoja interne dhe të marketingut shtëpiak politik mund të mendojë dhe ta interpretojë Marrëveshjen e Brukselit si të dojë, megjithëse është e vetëdijshme se kjo paraqet obligim ndërkombëtar dhe standard të BE-së. BE ligjërisht e ka obliguar Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën dhe ky kusht është konkretizuar në Kapitullin 35 në procesin e Asocimit për Serbinë. Serbia gjithashtu është e vetëdijshme se para se të hyjë në BE e ka patjetër që ta njohë shtetin e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Tahiri ka cekur se, konform legjislaturës kosovare dhe Marrëveshjes së Brukselit, “ai nuk do të ketë autorizime ekzekutive, e as mbikëqyrëse, por rol koordinues dhe këshillëdhënës”.

“Këtë pala serbe e di prej se është nënshkruar Marrëveshja e Brukselit. Jam duke e përcjellë debatin mes zyrtarëve serbë – i këshilloj që t’i harrojnë iluzionet dhe të kujtojnë se ç’u kontraktua në Bruksel. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës në dhjetor 2013 ia prezantoi BE-së Projektin e Statutit të Asociacionit, por bisedimet ende nuk kanë filluar për shkak të vonimit të zbatimit të Marrëveshjes. Konsiderojmë se zbatimi i plotë dhe i mbikëqyrshim i marrëveshjes për gjyqësorin, mbyllja e ‘mbrojtjes civile’ dhe e të gjitha strukturave paralele serbe, do të sigurojnë kushtet e nevojshme për hapjen e çështjes së asociacionit”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka cekur se “serbët gëzojnë më shumë të drejta se minoritetet tjera në Kosovë dhe në rajon” dhe se “krahasuar me të drejtat e minoriteteve në Serbi, posaçërisht me ato të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të drejtat e serbëve të Kosovës janë më të mëdha”.

Kryenegociatorja kosovare në dialogun Prishtinë-Beograd ka theksuar se “çështja e pronave kurrë s’ka qenë dhe as që do të jetë temë e negociatave në Bruksel”.

“Tentimet e Serbisë që kjo çështje të hapet hasën në refuzim kategorik nga ana e Kosovës. Sovraniteti mbi pronën dhe mjetet i takon shtetit kosovar, sepse, po e theksoj, Gjykata Ndërkombëtare Drejtësisë më 2010 e konfirmoi ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë”, ka thënë Edita Tahiri.