SHPËRNDAJE

Viti 2020 do të jetë vit i zgjedhjeve, i betejave të fuqishme ndërmjet partive politike pas një viti përplot me turbulenca në skenën politike, por edhe në sferat tjera, posaçërisht në atë të integrimit euroatlantik.

Maqedonia e Veriut nuk arriti të rrumbullakojë procesin e anëtarësimit të plotë në NATO pasi një vend anëtar i Aleancës, Spanja, ende nuk ka ratifikuar protokollin e anëtarësimit për shkak të krizës së brendshme politike.

Sa i përket BE-së, Maqedonia e Veriut nuk arriti të marrë datën e nisjen së bisedimeve të anëtarësimit, që u prit me dëshpërim të thellë pasi të gjitha shtetet anëtare të unionit dhanë vlerësime pozitive për përmbushjen e reformave, por procesi u bllokua nga Franca pasi kërkon reforma të brendshme dhe metodologji të re të anëtarësimit”.

Pavarësisht kësaj, për kryeministrin në largim, Zoran Zaev, 2019-ta ishte vit i suksesshëm, ndërsa në vitin 2020 pret vazhdimin e kursit të reformave dhe zhvillim ekonomik. Ai pret që në zgjedhjet e 12 prillit të marrë edhe një mandat nga qytetarët për të vazhduar me realizimin e premtimeve që i kishte dhënë para qytetarëve dy vjet e gjysmë më parë.

“Kemi arritur të marrim vendime të mëdha, të guximshme duke mos mbajtur llogari se a do të ruajmë apo jo pushtetin. Kam ende shumë punë për të bërë, por janë qytetarët ata që do të vendosin se kush do ta udhëheqë vendin. Besoj në mbështetjen e tyre që të mund të realizoj pritjet për një jetë më të mirë”, ka deklaruar Zaev në paraqitjen e fundvitit para mediave.

Nga opozita vitin 2019 e kanë vlerësuar si vitin më të rëndë për vendin për shkak të, siç thonë, dështimeve të Qeverisë në të gjitha sferat.

“Në përgjithësi, ishte një vit i vështirë, ndodhën shumë procese që ishin jashtë çdo rrjedhe demokratike… Në Kuvend ndodhën gjëra të tmerrshme. Ne kishim ligjvënës që u sollën nga burgu për të votuar ndryshimet kushtetuese, pati dhunim të shtetit ligjor. Kemi një situatë kur qeveria propozonte më shumë se 200 ligje brenda dy jave. Kemi dështim të të gjitha politikave dhe, rrjedhimisht, gjendje të rëndë ekonomike të qytetarëve. Por, pas tre muajve të ardhshëm, ne absolutisht presim ndryshime”, ka deklaruar Vllatko Gjorcev, zyrtar i VMRO DPMNE-së.

Dallime në qëndrime ka edhe ndërmjet partive shqiptare. Bashkimi Demokratik për Integrim në një bilanc të fundvitit, 2019-tën e ka vlerësuar “të suksesshme si në planin ekonomik dhe të të drejtave të shqiptarëve, ashtu edhe atë të integrimit euroatlantik.

“Vendi ka arritur synimin shumëvjeçar, integrimin në NATO, në aleancën më të fuqishme ushtarako-politike në botë. Shqiptarët… Me miratimin e Ligjit për gjuhët, të drejtat e shqiptarëve të parapara me Marrëveshjen e Ohrit janë rrumbullakuar, por pavarësisht kësaj, beteja për pozicione më të fuqishme do të vazhdojë”, thuhet në një vlerësim të BDI-së.

Partitë opozitare, si Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, shprehen të pakënaqura nga statusi shqiptarëve. Shumë çështje ende kanë mbetur zvarrë, si Ligji për gjuhët, shteti ligjor ende nuk funksionin, ndërsa politizimi dhe partizimi i institucioneve të drejtësisë po kërcënon liritë dhe të drejtat e njeriut. Nuk kemi asnjë proces gjyqësor kundër zyrtarëve shqiptarë të korruptuar”, thuhet në vlerësimin e opozitës shqiptare.

Njohësit e çështjeve politike, thonë se me gjithë premtimet e pritjet e shumta, nuk u arrit të kapërcehen problemet, e para së gjithash ende po shëtisin lirshëm personat që janë përgjegjës kryesorë për gjendjen e rëndë që po mbretëron, për rrënimin e shtetit ligjor, krimin e korrupsionin në rritje.

“Kjo në masë të madhe ka ndikuar që qytetarët të largohen nga Maqedonia e Veriut për shkak se ato premtime, të cilat u dhanë, nuk u realizuan”, thotë Arsim Sinani, njohësi i çështjeve politike.

Ai nuk është optimist se edhe në vitin 2020 mund të ndodhin “çudira”. “Do të jetë vit zgjedhor dhe e arritura e vetme mund të jetë anëtarësimi i plotë i vendit në NATO”, thotë Sinani.

“E arritura e vetme që mund të pritet është anëtarësimi i plotë në NATO, jo si rezultat i politikës së brendshme, por i atyre globale që nuk dëshirojnë të lejojnë rrëshqitjen e Maqedonisë së Veriut në orbitën ruse dhe në influencës serbe dhe kjo mund ta shpëtojë situatën”.

“Personalisht, nuk pres diçka konkrete, por le të shpresojmë se do të jetë një vit i qetë dhe Maqedonia e Veriut do ta gjejë rrugën e vet”, thotë Sinani, duke insistuar në arritjen e një marrëveshje historike maqedonase-shqiptare si garantuese e stabilitetit dhe prosperitetit të shtetit.