SHPËRNDAJE

KORE E JUGUT- Një ballkon është shembur brenda një klubi nate në një qytet të Koresë së Jugut, duke shkaktuar vdekjen e dy njerëzve dhe plagosjen e 16 të tjerëve.

Incidenti ndodhi ndërkohë që në Korenë e Jugut po zhvillohet kampionati botëroror i notit. Dy viktimat nga shembja e ballkonit në klubin “Coyote Ugly” në Guangju ishin koreanojugorë, ndërsa në mesin e 16 të plagosurve ishin 8 notarë konkurrentë.

Sipas policisë, në mesin e sportistëve të plagosur janë tre amerikanë, dy izraelitë, një holandez, një italian dhe një brazilian.

“Ne ishim duke kërcyer kur papritmas u rrëzuam”, tha kapiteni i ekipit të vaterpolos nga Zelanda e Re, Matt Small, për Radio Sportin nga Zelanda e Re. “Ramë mbi kokat e njerëzve të tjerë që ishin poshtë nesh”, shtoi ai.

Zyrtarët thonë se të paktën njëri nga pronarët e klubit të natës dhe personeli i tij janë ndaluar dhe po merren në pyetje nga policia në lidhje me dyshimet se mund të jenë bërë modifikime pa leje të ndërtesës ku ndodhet klubi i natës.