SHPËRNDAJE

Ministri i Inftrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se janë anuluar të gjitha fluturime nga Italia e Veriut.

Abdixhiku tregon se kjo është bërë me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë pas masave të mara nga qeveria italiane që pjesa veriore e këtij vendi të futet në karantinë, si masë parandaluese nga përhapja e Coronavirusit.

“Sot, në ora 12:40 kemi pranuar rekomandim emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për anulimin e të gjitha fluturimeve që vijnë nga zonat epidemike të Italisë së Veriut – si refleksion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane në betejën kundër Coronavirusit. Si rrjedhojë, kam kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga kjo zonë epidemike e cilësuar si zonë me risk të lartë. Fluturimet janë ndërprerë”, shkruan Abdixhiku.

Ai shton se, janë në koordinim të plotë për situatën e tanishme.

“Ndjejmë keqardhje për masat e marra – por në situatën e tanishme nuk kemi alternativë. Jam në kontakt të ngushtë me Ministrin e Shëndetësisë, Vitia dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme, Konjufca për të koordinuar kontrollin ne Aeroport dhe asistencën eventuale ndaj udhëtarëve në zonat e rrezikshmërisë së lartë”, shton ai. /Telegrafi/