SHPËRNDAJE

Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Turqi kanë pasur një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar.

Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Turqi kanë pasur një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar. Sipas publikimit të INSTAT, eksportet e Shqipërisë kanë njohur në dy muajt e parë të këtij viti një rritje në vlerë me më shumë se dyfish, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në periudhën dymujore të fillimit të 2018-ës, eksporti ka qenë 210 milionë lekë, ndërsa për dymujorin e parë të 2019-ës ka arritur vlerën e 509 milionë lekëve.

Tendenca rritëse konstatohet edhe për importin e mallrave turke. Vlera e importuar për periudhën janar – shkurt 2018 ka qenë 7 miliard e 344 milionë lekë, ndërsa për dymujorin e parë të 2019 vlera u rrit në 7 miliard e 760 milionë lekë, me një ndryshim të dukshëm prej më shumë se 400 milionë lekësh. Rritja më e madhe e importeve ka ndodhur në muajin shkurt. Referuar të dhënave të INSTAT, rezulton se importet nga Turqia janë rritur nga 3.4 miliardë lekë në shkurt 2018 në 4.2 miliardë lekë në shkurt 2019.

Shifrat e INSTAT tregojnë se Shqipëria ka ulur nivelin e eksportit me Greqinë, Spanjën, Kinën, SHBA dhe Zvicrën. Nga ana tjetër, Italia vazhdon të kryesojë listën si për mallrat eksportit, ashtu dhe për ato të importit.