SHPËRNDAJE

Edhe kryetari i LPD-së, Shqiprim Musliu ka dërguar mesazh urimin për kryeministrin e sapoemëruar të Republikës së Kosovës zotin Albin Kurti.

I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës z.Albin Kurti, Kam kënaqësinë që në emrin tim, në emër të të gjithë mbështetësve të Lëvizjes së Progresit Demokratik por edhe të mbarë shqiptarëve të Kosovës Lindore, t’ju uroj për zgjedhjen tuaj si Kryeministër i Republikës së Kosovës.

Formimi i institucioneve më me peshë të Republikës ishte një proces i gjatë, por jo i lehtë edhe për neve, që jetojmë dhe veprojmë jashtë kufijve administrativ të tanishëm.

Përpjekja, këmbëngulësia dhe vlerat që ke ofruar gjatë gjithë këtyre ditëve por edhe viteve, për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës është motivi i qëndresës dhe përballjes me përditshmërinë tonë, me realitetin tonë.

Urojmë dhe shpresojmë që gjatë gjithë aktivitetit tuaj si Kryeministër i Republikës, të ushtroni autoritetin tuaj, që Lugina të jetë një ndër prioritetet tuaja madhore, dhe që shqiptarët e Luginës të vlerësohen dhe të avancohen si qytetar të barabartë dhe me të drejta të plota për zhvillimin e jetës në normalitet, si dhe të përfshihen në procese për zgjidhjen e përhershme të problemeve me të cilat jemi duke u përballur me dekada.

Çdo mbështetje e juaja për Luginën është një shpresë reale për një jetë më të mirë për shqiptarët. Me respekt, Shqiprim Musliu, Kryetar i LPD-së./presheva.com/