SHPËRNDAJE

Listës së nacionaliteteve për nga numri i të natyralizuarve i prijnë shtetasit e Kosovës me 54, para atyre të Gjermanisë, me 51 qytetarë të rinj zviceranë, gjegjësisht të Lucernit.
Komisioni për natyralizim i qytetit të Lucernit gjatë vitit 2016 ka trajtuar 351 kërkesa të reja, (për 576 persona) për natyralizim, shkruan luzernerzeitung.ch. Ndërsa gjithsej 498 personave u është njohur natyralizimi në nivelin e qytetit.

Listës së nacionaliteteve për nga numri i të natyralizuarve i prijnë shtetasit e Kosovës me 54, para atyre të Gjermanisë, me 51 qytetarë të rinj zviceranë, gjegjësisht të Lucernit, transmeton albinfo.ch. Me përqindje, kosovarët dhe gjermanët zënë vendin e parë, me nga 11 për qind në numrin e përgjithshëm prej 498 vetave. Pas tyre vijnë në radhë të huajt nga Italia dhe ata nga Sri Lanka, me nga 8 për qind, Serbia me 7 për qind etj.

Vetëm një personi i është mohuar e drejta e natyralizimit, për shkak të mosnjohjes së gjermanishtes në nivel të duhur dhe mungesës së njohurive nga jeta politike. Ndërsa 77 të tjerëve u është pezulluar kërkesa për natyralizim, përcjell albinfo.ch. Shkaqet për këtë pezullim janë: mosplotësimi i kriterit financiar (kanë borxhe ndaj shtetit), integrimi i pamjaftueshëm, njohja e pamjaftueshme e gjermanishtes dhe mospërfillja e rendit juridik.