SHPËRNDAJE

Gjatë ditës së hënë rreth orës 11:00, një person i moshës 51 vjeçare kishte kërkuar ndihmë në Klinikën Emergjente të QKUK’së, pasi që kishte marrë lëndime të krahut derisa ishte në punë. Por, me të mbërritur në Emergjencë, përveç thyerjes së krahut, mjekët kishin vërejtur tek ai edhe shenja se mund të ishte prekur me Covid 19, apo koronavirus.

Personin në fjalë, i cili sot u konfirmua edhe zyrtarisht se është i prekur nga Covid 19, mjekët e emergjencës dje e kishin izoluar në dhomat e veçanta, i ishin marrë testet për t’a vërtetuar virusin në trupin e tij.

Mirëpo ky person nuk i kishte pritur rezultatet dhe kishte ikur nga dhoma e veçantë ku po mbahej anipse në korridoret e Emergjencës kishte pasur edhe zyrtarë policorë.

Mjekët e kishin lajmëruar policinë e Kosovës se personi në fjalë nuk gjendej në Klinikë.

Këto informacione ia dhanë Expressit në kushte anonimiteti sot gjatë ditës, punonjësit e Klinikës Emergjente

“Tek ne erdhi ai pacient. Ne ishim duke e trajtuar, dyshuam se po ashtu ishte prekur nga Covid 19. E izoluam rastin por ai në mbrëmje kishte ikur nga klinika”, thanë për Express mjekët e Emërgjencës.

Megjithëkëtë, personi në fjalë i lindur në vitin 1969 nga Malisheva u lokalizua nga Policia. Testi i analizave të tij doli sot nga ana e IKSHP’së ku u konfirmua se ai u prek nga Covid 19.

IKSHP duke e përmndur rastin e punëtorit nga Malisheva tha se po gjurmohen edhe kontaktet e tij.