SHPËRNDAJE

Sot pritet të dalë në Kuvendin e Kosovës për votim Qeveria Kurti pas arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës seancën plenare me rend dite zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës do të mbajë në orën 11:00.

Dy krerët e partive, i LVV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa të dielën konfirmuan arritjen e marrëveshjes për koalicion, pas më shumë se dy muajsh negociatash.

Lideri i LVV në konferencën për media pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se janë dakorduar që qeveria e ardhshme t’i ketë 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

Kurti tha se janë marrë vesh për të gjitha çështjet.

“Kemi nënshkruar marrëveshjen, jemi marrë vesh për të gjitha, edhe për ndarjen e përgjegjësive në qeverinë e re ku do të bashkëqeverisim. Jemi dakorduar që t’i kemi 15 ministri dhe 33 zëvendësministra kjo tregon se qeveria jonë ende pa ia nisur punës ka bërë një ndryshim të madh pasi është qeveria më e vogël. Ne kemi vlerësuar që synimi ynë që t’i kemi 12 ministri ka qenë i drejt, por kemi thënë se është një tendencë për të kursyer sa më shumë, por në anën tjetër është dëshmuar se krijimi i disa superministrive është kosto më e madhe se sa t’i kemi 12 ministri. Më mirë të bëjmë reduktimin më të shpejtë në 15 ministri se sa të presim më gjatë për 12 ministri”, tha Kurti, raporton Telegrafi.

“Procesi nuk ka qenë i lehtë, por shumë më i sigurt sesa që është menduar ose transmetuar”, tha Kurti.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa pas nënshkrimit të marrëveshjes në konferencën për media u shpreh se kanë arritur marrëveshje që është në dobi të Kosovës dhe është në interes të ndryshimeve që duhet të ndodhin në vend.

“Vlerësoj se marrëveshja është rezultat i mirëkuptimit dhe një pune të përbashkët mjaft të gjatë me liderin e lëvizjes Vetëvendosje dhe me bashkëpunëtorët e tij. Kemi hulumtuar të gjitha alternativat, të gjitha mundësitë, kemi ardhur bashkërisht në një zgjidhje që e vlerësojmë se është në interes të Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.

Ndërsa, sa i përket çështjes së presidentit, Mustafa tha se “…jemi marrë vesh që të mos jetë pjesë e marrëveshjes që sot kemi nënshkruar. Sa i përket kryetarit të Kuvendit sot e kemi mbledhjen e Kryesisë dhe aty do vendosim për kuadro. Ne që nga fillimi kemi thënë se kryetarin e Kuvendit do ta merr ai që ka marrë vota”.

Mustafa tha se ajo çfarë dëshirojnë në të ardhmen është që kjo qeveri të jetë e suksesshme dhe t’i realizojë pritjet e qytetarëve.

Ndryshe, para votimit të Qeverisë Kurti pritet dorëheqja e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca dhe emërimi i tij në krye të një dikasteri qeveritar.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Bazuar në numrin e deputetëve të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, shumica prej 61 votave është e pritshme të arrihet, pasi që në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 6 tetor, Vetëvendosje fitoi 29, kurse LDK 28 ulëse në kuvend. Këtij numri i shtohen edhe votat e komuniteteve pakicë, të cilat do të jenë pjesë e qeverisë po ashtu.

Megjithatë, në rast se përbërja e propozuar e qeverisë nga Albin Kurti nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda 10 ditësh emëron kandidatin e ri për kryeministër.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor 2019. Ato u nxitën nga një dorëheqje e kryeministrit Ramush Haradinaj, pasi mori ftesë për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë.