SHPËRNDAJE

Serbi i tmerrshëm “Igor Rusi”, i njohur me emrat Igor Vaclavic apo Norbert Feher u dënua nga Gjykata e Teruelit në Spanjë me 21 vjet burg për vrasjen e mbetur në tentativë të dy personave, një fermeri dhe një farkëtari, në dhjetor 2017 në Albalate del Arzobispo ( Aragon).
Prokuroria kishte kërkuar për vrasësin serb 22 vjet e 10 muaj. Organi i akuzës e akuzonte gjithashtu Feher për armëmbajtje pa leje.

Avokati i tij spanjoll, Manuel Zapater, po vlerëson mundësinë për apelimin e vendimit për të mundësuar zbritjen e dënimit duke qenë se Igor pranoi akuzat në momentin e arrestimit, më 15 dhjetor në 2017, pasi vrau tre persona, një fermer dhe dy agjentë policorë. Gjyqi për tre vrasjet do të fillojë në pranverë.

Dy gjyqe të tjera në Itali – I ka dy procese gjyqësore të hapura në Itali. Në Ferrara ai u shfaq me videokonferencë për t’iu përgjigjur akuzave për tre grabitje të kryera në verën e 2015, me bandën e drejtuar së bashku me Ivan Pajdek dhe Patris Ruszo.

Dhe së fundi, procesi i apelit, në Bolonjë, për vrasjet e prillit 2017 të rojes vullnetare Valerio Verri dhe banakierit Davide Fabbri, të vendosur për 27 maj. Në shkallë të parë, në Mars 2019, ai u dënua me burgim të përjetshëm.