SHPËRNDAJE

Xhudoja edhe në vitin 2019, ishte sporti që arriti të fitojë medalje të shumta në garat evropiane dhe ato botërore. Majlinda Kelmendi, Loriana Kuka, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Laura Fazliu, Akil Gjakova, të udhëhequr nga Driton Kuka, ishin xhudistët që arritën të fitonin medalje të ndryshme në garat më të mëdha evropiane në sportin e xhudos.

Majlinda Kelmendi arriti të rikthehet nga lëndimi, kështu duke fituar medaljen e artën në kampionatin evropian dhe pikërisht për këtë ajo e cilëson vitin 2019, si një vit të suksesshëm për të.

“Po në përgjithësi viti 2019, ka qenë një vit i suksesshëm për mua dhe për krejt ekipin në përgjithësi. Për mua mund të them se ka qenë vit i suksesshëm duke marrë parasysh që jam kthyer nga lëndimi, pas 15 muajve pauzë dhe prapë se prapë kam arrit të bëhem kampione e Evropës dhe medaljen e bronztë në kampionatin botëror, kështu që në përgjithësi ka qenë një vit i suksesshëm”, ka thënë ajo.

“Po sigurisht që  për vitin 2020, caku janë lojërat olimpike, përgatitjet po shkojnë shumë mirë dhe realisht tanë, secila garë që kemi me marrë pjesë tash e tutje ka me qenë ndoshta vetëm si test në lojërat olimpike. Po shpresoj shumë që mos me pas lëndime, që me shkuar përgatitjet ashtu siç Toni  e bënë plan dhe po mendoj që do të kemi sukses si ekip… Synimi tjetër është kampionati evropian që mbahet në prill, por prapë se prapë ajo veç ka me qenë rrugë për lojëra olimpike, pavarësisht asaj që është kampionat evropian dhe titulli është i rëndësishëm, por lojërat olimpike janë krejtësisht diçka tjetër”, tha Majlinda Kelmendi.

Xhudistja nga Peja është sportistja e parë e Kosovës e cila arriti të fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, ndërsa në vitin 2020, në Lojërat Olimpike, ajo shpreson që do t’ia dalë ta mbrojë titullin si dhe ta fitoi sërish medaljen e artë.

“Po unë shpresoj që po, caku im është që me mbrojt titullin dhe me u bë prapë kampione olimpike, është shumë vështirë, mirëpo gjërat e mira vijnë shumë vështirë, duhet shumë mund dhe shumë sakrificë. Unë jam shumë e gatshme për sfida të tilla, kështu që po besoj dhe po shpresoj që kam me arrit me mbrojt titullin”, tha Kelmendi.

Xhudistja tjetër nga klubi i xhudos “Ippon”, Nora Gjakova gjithashtu e cilësoi vitin 2019, si vit të suksesshëm. Vit ku ajo arriti ta fitoi medaljen e argjendtë në lojërat evropiane.

“Viti 2019 në përgjithësi si të gjitha vitet ka qenë i mbushur me plotë sfida. Të suksesshëm e kisha veçuar pjesëmarrjen time në lojërat evropiane, ku kamë përfunduar në vendin e dytë. Gjithashtu më vjen mirë që këtë vit po përfundojë në top pesë xhudistët më të mirat në botë si në ranglistën botërore, ashtu edhe në atë olimpike, gjë që do të mbetet edhe caku im për viti 2020″, tha ai.

Gjakova e cilëson punën e palodhshme të trajnerit si dhe përkushtimin e xhudistëve, si sekretin kryesor të sukseseve të njëpasnjëshme të xhudistëve nga Kosova në arenën ndërkombëtare.

“Po padyshim që së pari është përkushtimi dhe puna e palodhshme e trajnerit tonë, Driton Kuka, pastaj edhe disiplina jonë dhe normal që përkushtimi që gjatë stërvitjes dhe në përgjithësi gjatë gjithë këtyre viteve. Nuk është rezultat i një viti, dy viti por është rezultat i një pune qe disa vite dhe më vjen mirë që kjo punë po na shpërblehet me sukses”, tha Gjakova.

Pa dyshim që viti 2019 ishte i suksesshëm edhe për xhudisten tjetër, Distria Krasniqi, e cili arriti të stoliset me medalje në kampionatin botëror, medalje të cilën ajo e cilëson si më të rëndësishmen të fituar në karrierën e saj.

“Viti 2019 është viti më i suksesshëm që kam pasur në karrierë dhe mund të them se ka qenë i suksesshëm për të gjithë, e sidomos për ekipin tonë, ku jemi kthyer me tri medalje nga kampionati evropian dhe tri medalje në kampionatin botëror. Momenti më i veçantë 2019, e vlerësoi medaljen në kampionatin botëror, sepse është medalja më e madhe që e kam fituar…Mund të them që puna e madhe dhe disiplina i ka sjellë të gjitha këto suksese që i kemi, ne kështu si ekip”, u shpreh Krasniqi.

Sukseset e xhudistëve nuk ndalen me kaq, pasi që është edhe Loriana Kuka, ajo e cila ka arritur që gjatë vitit 2019, të fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror Tokio 2019, si dhe medaljen e bronztë në Lojërat Evropiane Minsk 2019.

“Ky vit ka qenë, viti më i suksesshëm për mua në karrierë, kam marrë medalje në kampionat të Evropës dhe të Botës, edhe këto kanë qenë synimet më të mëdha këtë vit dhe i kam arrit. Është i rëndë dhe jam duke u rikthye mirë dhe dalëngadalë kthehem edhe në gara. Vitin 2020 synimi më i madh janë Lojërat Olimpike, shpresoj që edhe atje kam me jap performancen e mirë dhe ishalla kthehemi me medalje”, tha ajo.

Kujtojmë që së fundi, Loriana nënshkroi një kontratë të re me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Solidaritetin Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për bursën olimpike “Tokio 2020”.

Me propozimin e KOK-ut, xhudistes tonë i janë ngritur të ardhurat nga bursa olimpike Tokio 2020, prej 150 dollarë në 500 dollarë në muaj, krejt kjo vije pas sukseseve të arritura nga xhudistja nga Peja në vitin që po lëmë pas.

Pjesë e këtyre sukseseve ishte edhe xhudisti tjetër Akil Gjakova, i cili në fund të vitit 2019, pësoi një lëndim të rëndë në “World Judo Masters”, të mbajtur në Kinë, lëndim ky i cili i pamundësoi xhudistit tonë të luftojë në luftën për medaljen e bronztë.