SHPËRNDAJE

Roman Abramovich nuk ka shkelur në Britani të Madhe prej se qeveria e atjeshme nuk ia vazhdoi vizën në maj të vitit 2018. Kështu, pronari i Chelseat është detyruar të bëjë biznes në mënyrën më të mirë të imagjinueshme – në superjahtin e tij, Eclipse, në vlerë prej 380 milionë funtesh (420.5 milionë euro).

Jahti superluksoz i pasanikut rus ka ankoruar në St Tropez në jug të Francës dhe konsiderohet si jahti i dytë më madh në botë aktualisht. Ai e bleu në vitin 2010 për 300 milionë funte (332 milionë euro), ndërsa asokohe ishte jahti më i madh privat në botë.

Me investimet që i ka bërë në dizajn, me përmirësimet dhe mirëmbajtjen, jahti i ka kushtuar Abramovichit rreth 400 milionë funte (442 milionë euro).

Është 163 metra i gjatë dhe shumë më madh se stadiumi Stamford Bridge, ndërsa mund të udhëtojë deri në 9.656 kilometra me një mbushje të rezervuarëve. Eclipse përmban nëntë kuverta, njëra prej tyre përmban dy helipadë dhe një garazh. Në dy prej kuvertave ndodhen pishina dhe tarraca.

Krahas kinemave, palestrave, salloneve, saunave, dhomave të masazhit, kabinave për mysafirë të shumtë dhe staf, jahti përmban disa sisteme të specializuara të sigurimit.

Xhamat janë të blinduar për të zmbrapsur plumbat, ndërsa anija është e mbrojtur nga një sistem anti-balistik për mbrojtjen raketore, të instaluar nga ekspertët gjermanë, AST.

Sikur kjo të mos mjaftonte, Eclipse është e pajisur me një nëndetëse me ekuipazh prej tre personave që mund ta arrijë në thellësi deri në 50 metra, në rast se oligarku rus duhet të bëjë një largim të nxituar.

Nga ana tjetër, mirëmbajtja vjetore e këtij superjahti kushton rreth 45 milionë euro.