SHPËRNDAJE

Publicisti, Veton Surroi ka reaguar lidhur me deklaratën e ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj i cili ka kërkuar që të largohet ambasadori i Zvicres, Jean Humbert Lebet.

“Shkas” për këtë kërkesë të Lekajt, ka qenë deklarata e ambasadorit zviceran se Zvicra paguan për ujësjellës e Kosova po paguan veteranë të rrejshëm.

Surroi përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar nga ministri i MPJ-së, që t’i kërkojë ndjesë ambasadorit zviceran.

Postimi i plotë:

Ministri i jashtëm i Kosovës duhet t’i kërkojë ndjesë ambasadorit zviceran në Kosovë , në emër të qytetarëve të vendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. Deklarimi i një ministri të Qeverisë për largimin e ambasadorit është kundër marrëdhënieve të veçanta që ka Republika e Kosovës me Konfederatën Zvicerane dhe respektit e falëmnderimit që kanë qytetarët e Kosovës ndaj këtij vendi.
Deklarimi i ambasadorit Jean Humbert Lebet përshkroi formulën e thjeshtë të realitetit të hidhur të këtij vendi: taksapaguesi zviceran duhet të paguajë ujësjellës në Kosovë ngase paratë e taksapaguesit kosovar zhvaten e vidhen.
Në traditën e këtij vendi dhe populli , fjalëve të mikut nuk u jepet përgjigja duke ia treguar derën e daljes por duke e ftuar që të bisedohet shtruar në ballë të oxhakut.