SHPËRNDAJE

Zhvillimet e fundit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit filluan të shfaqin pasojat e para edhe në ekonominë botërore.

Çmimi i arit ka arritur në nivelin më të lartë që prej vitit 2013, ndërsa tensionet në rritje në Lindje të Mesme rritën kërkesën për investime në asete të sigurta.

Aktualisht ari po këmbehet me gati 1,600 dollarë për ons (1 ons = 28 gramë) pasi Teherani tha se nuk do njohë më kufij në pasurimin e tij të uraniumit pas vrasjes së gjeneral Qasem Soleimani. Nga ana tjetër edhe presidenti Donald Trump u shpreh i gatshëm të godasë Iranin “në mënyrë të fuqishme” nëse autoritetet iraniane hakmerren ndaj ndonjë prej objektivave amerikane.

Niveli prej 1,600 dollarësh ishte diskutuar shumë edhe gjatë vitit të kaluar, kur rritja e vlerës së arit pati tendenca shumë pozitive pas konflikteve tregtare të SHBA-ve me Kinën, por me sa duket rekordi po arrihet vetëm pas zhvillimeve të fundit.

Banka investive Goldman Sachs bën me dije se sipas gjasave vlera do të vazhdojë të rritet edhe më, madje edhe më tepër se sa ajo e naftës.

Çmimi i ari u rrit me 2.3 për qind në vlerën e 1,588.13 dollarëve, niveli më i lartë që nga prilli 2013 kur ai tregtohej me 1,576.67 dollarë. Megjithatë gjigantët e bursës theksojnë se, nëse konfliktet vazhdojnë me përshkallëzime, çmimi shumë shpejt do të arrijë 1,600 dollarët.