SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një takim me arbëreshët e Italisë, i është drejtuar atyre duke iu thënë se kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për Kosovën.

Thaçi theksoi se shqiptarët kudo që janë ndihen krenar me arbëreshët e Italisë.

“Është kënaqësi e veçantë që ky delegacion i arbëreshëve gjendet në shtetin e Kosovës, në këtë kohë kur po shënojmë 20 vjetorin e lirisë dhe çlirimit të Kosovës, për çka ju keni dhënë një kontribut të rëndësishëm. Iu jemi mirënjohës juve, familjeve tuaja dhe shtetit të Italisë. Shqiptarët në çdo kohë, përtej çdo brezi kudo që janë, ndihen shumë krenarë me ju dhe kanë çfarë të mësojnë nga jeta, puna dhe veprat e juaja, sepse ju jeni rrënjët tona të mirëfillta origjinale, gjeneza dhe fillesa e jonë”, ka theksuar ai, transmeton Telegrafi.

Ai theksoi se arbëreshët janë fija e pashkëputur e qytetërimit shqiptar.

“Arbreshët janë shëmbëlltyra dhe modeli i shqiptarëve pa ndikimin e pushtimit 500 vjeçar otoman. Jeni fija e pashkëputur në fill të qytetërimit shqiptar. Keni ruajtur gjuhën e të parëve tanë, traditat, besimin, kulturën autoktone, dhe perlat folklorike si rapsoditë dhe vallet”, është shprehur ai.

Thaçi ndër të tjera ka thënë se tri gjëra ishin për arbëreshët e Italisë të shenjta,e që sipas tij këto tri gjëra i përkisnin edhe shqiptarëve.

“Sot takoj njerëzit që kanë ruajtur historinë e tyre por i kanë kontribuar shtetit ku jetojnë. Për të vazhduar në sferën politike italiane dhe shumë figura tjera. Tri gjëra kanë qenë për ju dhe për ne të shenjta: figura heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu i cili u lind tek arbëreshët, flamuri kombëtar shqiptar dhe gjuha shqipe. Iu falënderoj që e keni forcuar lëvizjen kombëtare shqiptare, i keni dhënë shumë lëvizjes kombëtare politike dhe kulturore në krye me kolosin e letërsisë Jeronim De Rada”, ka thënë ai.

Ndryshe arbëreshët e Italisë kanë ardhur ta vizitojnë Kosovën ditë më parë, ku janë takuar me krerë institucionesh.