18.3 C
Presevo, Serbia
27.09.2020
Ballina Lajme Thaçi: Ideja ime është korrigjimi – Trepça, Ujmani dhe veriu nuk preken

Thaçi: Ideja ime është korrigjimi – Trepça, Ujmani dhe veriu nuk preken

SHPËRNDAJE

“Realisht se a do të ndodhë korrigjimi apo jo, shoh gjasa të pakta teorike. Për arsye se Serbia nuk do të pajtohet por uroj që të reflektojë”.

“Përmbajtjen e çdo faktori ndërkombëtar, e kuptoj. Ajo që është me rëndësi është se e kam vizituar në zyrën e vet kancelaren gjermane Angela Merkel dhe ajo mbështet fuqishëm dialogun, negociatat dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje”.

“I kuptoj skepticizmat dhe i respektoj por në momentin që arrihet marrëveshja Kosovë- Serbi për korrigjimin e kufijve, jam i bindur se të gjithë në mënyrë unike do ta mbështesin marrëveshjen, përfshirë SHBA-të dhe BE-në”.

Thaçi në një intervistë në Vizion Plus ka mohuar kategorikisht se kur ai flet për korrigjimin e kufijve me Serbinë nënkupton shkëmbim të territoreve.

“U fol edhe për ndarje dhe shkëmbim që nuk janë ide të miat – janë ide serbe. Nuk kanë të bëjnë asgjë me mua përpos kundërshtisë time maksimale”.

“Ata që dërgojnë mesazhet e ndarjes ose shkëmbimit e kanë gabim dhe unë do të jem përballë tyre”.

I pari i vendit ka thënë se ideja e tij është vetëm bashkëngjitja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën, sipas tij, si realizim i një të drejte historike.

“Ideja ime është vetëm korrigjimi, bashkëngjitja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Asnjë aset i Kosovës – as Ujmani, as Veriu i Kosovës, as Trepça nuk vijnë në konsideratë që të jenë pjesë e Serbisë”.

“Është e vërtetë dhe tjetra që Tito dhe Rankoviq, në kohën e dëbimit masiv të shqiptarëve nga Kosova në vitet 1956-1959 për të bërë një balancë demografike ia ka bashkangjitur Kosovës një pjesë të Leposaviqit, Leshakut dhe Zubin Potokut. Tani a duhet të mbesim ne viktimë e Titos?”.

“Është e drejtë historike e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit t’i bashkëngjiten Kosovës. Unë e mbështes plotësisht, botërisht dhe më vjen mirë që dhe faktori ndërkombëtar po reflekton gjithnjë e më tepër”.

Thaçi ka thënë ndër të tjera se idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë e mbështetë edhe shumica dërmuese e Qeverisë dhe e qytetarëve të Kosovës.

“Skena politike është plotësisht në favor të dialogut, negociatave dhe të arritjes së një marrëveshjeje, duke mos e përjashtuar dhe korrigjimin. Ata që flasin për luftë dhe tragjedi janë më së paku të interesuar”.

“90 % e anëtarëve të Qeverisë së Kosovës e mbështesin korrigjimin e kufirit me Serbinë, 80 % e qytetarëve të Kosovës e mbështesin korrigjimin e kufirit dhe bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”.

“98 % e opinioneve të qytetarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë e mbështesin bashkëngjitjen me Kosovën”.

“Nuk ka individ të shkëputur që mund ta bllokojë këtë proces sepse ne do të shkojmë me referendum dhe do të vendosin vetë qytetarët. E aprovojnë qytetarët, ndodh mrekullia. Nuk ndodh, këtu jemi”.