SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se nën udhëheqjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe punën e shkëlqyeshme të ambasadorit Richard Grenell, ka besim të plotë se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të përmbyllet së shpejti me njohje reciproke.

Thaçi ka shkruar në Facebook se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka treguar vëmendje të madhe për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Postimi i Thaçit:

“Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka treguar vëmendje të madhe për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Letrat e tij e kanë skicuar epilogun e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke. Nën udhëheqjen e presidentit Trump dhe punën e shkëlqyeshme të ambasadorit Grenell jam besimplotë se ky proces do të përmbyllet së shpejti me njohje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Jemi të bekuar me përkrahjen e përhershme të SHBA-së për popullin dhe shtetin e Kosovës”, ka shktuar Thaçi.

Ndryshe, gjatë vizitës së tij në Kosovë, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kishte theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti Donald Trump janë të interesuar që të zgjidhin problemet dhe çështjet e hapura në bisedimet Kosovë – Serbi.

Vizita e tij ndodhi në kohën kur u arrit marrëveshja e funksionalizimit të linjës ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësim të ambasadorit Grenell dhe ambasadorin Robert O’Brien, këshilltar i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti amerikan Donald Trump, e kishte quajtur fitore të madhe arritjen e marrëveshjes për fluturimet direkte në mes të dy vendeve.

Bisedimet për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksë ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Beogradi kushtëzon pjesëmarrjen në bisedime me heqjen e kësaj takse.