SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në vigjilje të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në takime me liderët e vendeve tjera pritet të lobojë për idenë e tij për “korrigjim” të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Me këtë rast krerët shtetërorë të Kosovës do të kenë mundësi të takohen me liderë të vendeve tjera.

Në takimet bilaterale që do t’i ketë me përfaqësuesit ndërkombëtarë në SHBA kreu i shtetit Hashim Thaçi pritet që si temë të diskutimit ta hapë edhe idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë, gjegjësisht të kërkojë përkrahje lidhur me këtë çështje, shkruan më tutje “Zëri”.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në vend, të cilët megjithatë mbeten skeptikë se kreu i shtetit do ta sigurojë këtë mbështetje, veçmas kur kihet parasysh fakti që disa shtete me ndikim si Gjermania e Britania tashmë janë deklaruar fuqishëm disa herë kundër këtij opsioni.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se kërkimi i përkrahjes së shteteve të botës mbi idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë është absurd.