SHPËRNDAJE

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, që do të çonte në një njohje reciproke të të dy shteteve si vende sovrane, nuk mund të arrihet pa definimin e kufirit me Serbinë.

Presidenti Thaçi po vazhdon vizitën zyrtare në Uashington gjatë së cilës u takua me dy zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Trump, këshilltarin për Sigurinë Kombëtare John Bolton dhe Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo.

Sekretari i Shtetit Pompeo dhe ambasadori Bolton, në takimet me presidentin Thaçi theksuan se koha është tani, që Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë mundësinë që është krijuar për arritjen e një marrëveshjeje historike.

Gjatë qëndrimit në Uashington, Presidenti Thaçi nuk e përmendi më “korrigjimin e kufijve” por theksoi se pa përcaktimin e kufirit nuk mund të ketë marrëveshje.

“Jam jashtëzakonisht i kënaqur dhe i impresionuar, në takimet që kam zhvilluar me Pompeon dhe Këshilltarin Bolton. Që të dy kanë theksuar qartë se tani është koha e arritjes së marrëveshjes me Serbinë dhe se ky moment duhet shfrytëzuar maksimalisht nga liderët në Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA’së që të arrihet marrëveshje paqësore. Mund të them se SHBA dhe Trump e mbështesin fuqishëm dialogun, negociatat dhe arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë. Është një mbështetje më konkrete, pasi jemi në hapat e fundit të marrëveshjes. Ne synojmë që të ndodh njohja reciproke Kosovë – Serbi si vende të pavarura dhe të hapet mundësia e sigurt për zëvendësimin e rezolutës 1244 në Këshillin e Sigurimit dhe anëtarësimin në OKB. Është mundësi e jashtëzakonshme për konsolidim të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi gjatë intervistës.

Ai ka thënë se marrëveshje me Serbinë do të jetë gjithëpërfshirëse dhe se ditët e ardhshme shpreson se do të themelohet ekipi negociator nga Kosova.

“Marrëveshja do të jetë gjithëpërfshirëse. Do të diskutohet për të zhdukurit, për infrastrukturë, normalizim të pajtimit mes vendeve, shëndetësi e shumë tema tjera. Por pa definim të kufijve, s’mund të ketë marrëveshje përfundimtare që garanton njohjen. Ekipet profesionale do të punojnë për demarkimin e vijës kufitare, por nuk do të ketë kufij në baza etnike. Është rrezik që t’i humbim me dekada, dhe pasojat t’i bartin gjeneratat e ardhshme. Tërë procesi do të jetë transparent. Nuk ka kuptim asnjë marrëveshje, nëse nuk ndodh njohja, dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB. Çdo marrëveshje tjetër nuk do të ketë asnjë efekt. Nga takimet me Popeon dhe Boltonin, shoh se ka një disponim global që të përfundojë ky proces. Ky vullnet ka munguar më herët nga Serbia, andaj duhet të ketë marrëveshje që definitivisht të sjell njohjen e Kosovës”, ka thënë tutje Thaçi.

Ai tha se as Serbia nuk mund të lëvizë drejt integrimit në BE pa fëqinjësi të mirë.

“Serbia përfiton mundësinë për anëtarësim në BE. Pa fqinjësi të mirë nuk mund të lëvizim në të ardhmen drejt integrimin evropian. I ftojmë spektrin politik në Kosovë që të bashkohet, sepse vetëm kështu do t’i bëjmë ballë Serbisë. Është lehtë me kritiku e me qenë skeptik, e më vështirë është të marrësh përgjegjësi. Nëse pajtohemi me Serbinë e arrijmë marrëveshje, atëherë mirë, nëse jo atëherë kthehemi bashkë në Prishtinë, dhe e paguajmë çmimin bashkë. Raportet Kosovë Serbi vazhdimisht kanë qenë të komplikuara e tensionuara. Besoj që në një dialog të brendshëm, do ta tejkalojmë edhe situatën me taksën. Unë e kam prezantuar dhe e mbroj fuqishëm arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve, por po e përsëris, nuk mund të ketë njohje reciproke, pa definim të kufirit”, përfundoi Thaçi./Periskopi/