SHPËRNDAJE

Kufiri i rishikuar në mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të shënohet përgjatë vijave etnike, ka insistuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për AFP-në, të premten.

Ai, sipas raporton AFP, po fliste pas një takimi tjetër, të tensionuar, me homologun e tij nga Serbia, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel, ku ishin pritur nga Shefja për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Një varg çështjesh të ndjeshme mbeten të zgjidhen në mes dy armiqve të deritashëm, përfshirë edhe çështjen e kufirit në mes tyre.

Këtë verë, që të dy, Thaçi dhe Vuçiq, shkruan AFP, hapën mundësinë që të rivizatohet kufiri, gjë që alarmoi disa vëzhgues.

Por, në Paris, në ceremonitë komemorative për Luftën e Parë Botërore që po mbahet këtë fundjavë, Thaçi ishte i qartë në këtë pikë.

“Do të punojmë së bashku që të përcaktojmë kufirin, siç kemi bërë me Maqedoninë dhe me Malin e Zi, por nuk do të ketë kufi përgjatë vijave etnike”, u shpreh ai.

“Kosova do të mbetet multi-etnike, sikur edhe Serbia. Nuk do të ketë shkëmbim të popullatës. I tërë rajoni do të jetë më i sigurt falë kësaj marrëveshjeje”.

Të dy vendet janë në kërkim të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund qorrsokakut diplomatik që po zgjat që disa vite.

Në vitin 2008, një dekadë pas luftës së viteve 1989-1999 në mes të forcave të Serbisë dhe gueriles shqiptare pro-pavarësisë, Kosova u nda nga Serbia.

Serbia dhe Rusia si aleati i saj kryesor, refuzojnë të njohin pavarësinë e Kosovës, edhe pse më shumë se 100 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve të BE-së, e kanë njohur atë.

Përkundër tensioneve në fillim të bisedimeve, Thaçi mbetet optimist i matur.

“Takimi i mbrëmshëm ishte i vështirë por i rëndësishëm për fazën finale të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

“Mendoj se është momentumi i duhur dhe lidershipi i duhur për të arritur marrëveshjen”.

Një marrëveshje e tillë do të ishte “marrëveshje për njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje ligjërisht e obligueshme, mundësi për Kosovën që të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara pasi Rusia do të heq veton e saj në Këshillin e Sigurimit…”, u shpreh Thaçi.