SHPËRNDAJE

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka folur në konferencën për medie, në lidhje me marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë, gjë për të cilën tha se do të bëhet vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe me miratimin në Kuvend.

Thaçi tha se askush nuk duhet të ketë frikë nga prezenca në tavolinën e bisedimeve, derisa në këtë tavolinë do të jenë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Çdo marrëveshje që do të arrihet do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e aprovuar në Kuvendin e Kosovës, në tavolinën e bisedimeve. Kjo është një punë nacionale askush nuk ka nevojë t’i frikësohet prezencës në tavolinë, derisa aty e pranishme është SHBA-ja. Nuk duhet të frikësohet askush, aq më pak kur dihet saktësisht se do të jetë kjo një marrëveshje që bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh Thaçi në konferencë.

Ai ka bërë thirrje se në procesin e dialogut duhet të bëhen të gjitha forcat në Kosovë bashkë, për të përmbyllur suksesshëm procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

“Duhet të jemi unik. Të bëhemi bashkë, të gjithë në Kosovë. I tërë spektri politik. Në pyetje është Kosova, e ardhmja e Kosovës në paqe, në dinjitet, në prosperitet. Këtu nuk bën të ketë dallime në mes partive, në mes të individëve. Këtë e kemi obligim të gjithë. Këtë e presin të gjithë qytetarët prej të gjithë liderëve. Unë kam qenë gjithnjë i gatshëm që të punoj së bashku për të mirën e Kosovës. Edhe kur kam qenë në opozitë, kam marrë pjesë në bisedimet në Vjenë. Edhe kur kam qenë në pushtet, kam përfshirë opozitën në bisedimet në Bruksel. Edhe sot bëj ftesë për bashkim politik dhe për bashkërendim të hapave tonë”, ka shtuar ai.