SHPËRNDAJE

Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë shkëmbim të territorit dhe nuk do të ketë Republikë Serbe në Kosovë. Kështu ka deklaruar presidenti i vendit Hashim Thaçi, në konferencën e pestë të ambasadorëve, nga ku ka potencuar se marrëveshja Kosovë-Serbi do të ketë kuptim vetëm nëse ndodh njohja reciproke ndërmjet dy vendeve.
Thaçi ka thënë se Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në konsolidimin e shtetësisë së vet, por për të vazhduar më tutje duhet të mbyllen disa çështje të hapura, që sipas tij janë plagë që e lëndojnë dhe e ngadalësojnë konsolidimin e mëtutjeshëm.

I pari i vendit ka thënë se është krijuar një momentum i ri ndërkombëtar në favor të marrëveshjes përfundimtare, ligjërisht obliguese, për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë.

Presidenti ka thënë se asnjëherë nuk kanë lejuar që në Bruksel të hapet çështja e ndarjes apo e shkëmbimit të territoreve dhe as në të ardhmen nuk do të pranojmë të hapen këto çështje.

Por, sipas tij, Kosova është e gatshme që në kuadër të definimit të kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë të bëjë korrigjimin e vijës kufitare.

Çdo marrëveshja me shtetin serb, sipas presidentit do të bëhet në atë mënyrë që të jetë e pranueshme për ShBA-të dhe BE-në.

Kreu i shtetit duke iu drejtuar ambasadorëve ka thënë se kjo dekadë ka qenë dekadë e sfidave, por edhe e të arriturave të mëdha. Ai tha se shërbimi diplomatik është ndërtuar nga zeroja.

Se nuk do të ketë ndarje të Kosovës e ka thënë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka thënë se territori i Kosovës është i pandarë.

Kurse, zërat që flasin për ndarje të Kosovës ai i ka quajtur edhe një herë pro rus e pro serb.

Në anën tjetër, edhe kryeministri Ramush Haradinaj, ka përsëritur se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje të obligueshme për të dyja vendet. Me ç’rast, bazuar në zhvillimet e fundit në vend, bojkotin e seancave, kreu i ekzekutivit shtoi se në këtë mënyrë Kosova kthehet pas.

Rreth dialogut ka folur edhe nikoqiri i konferencës së ambasadorëve, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i cili tha se Kosova duhet të njihet nga Serbia.

Pacolli tha se pas ngurtësisë serbe në qëndrimet diplomatike qëndron një strategji përfitimi maksimal, sidomos në tema ekonomike në dëm të Kosovës dhe ekonomisë së saj.

Konferenca e Ambasadorëve që ka filluar punimet sot, do të zgjasë deri me 8 shtator.