SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se Aleksander Vuçiq është i mirëseardhur në Kosovë, sikurse që edhe ai është i mirëseardhur në Luginën e Preshevës, Bujanovc dhe Medvegjë, transmeton “Zëri.info”.

Ai e ka thënë këtë në Bruksel, ku është dashur të mbahet raundi i ri i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, deri te ky takim nuk ka ardhur, pasi Vuçiç ka marrë vendim që të ndërpres komunikimin me zyrtarët e Prishtinës dhe është kthyer në Beograd.

“Ka ndodhur edhe në të kaluarën që mos të kemi takim trepalësh dhe të bisedojmë përmes ndërmjetësve evropianë. Është e rëndësishme që të vazhdojmë me rrugë të njëjtë, përmes paqes, drejt zgjidhjes së problemit”, ka thënë Thaçi, transmeton më tutje “Zëri.info”.

Ai më pas ka komentuar vizitën e paralajmëruar të Vuçiqit në Kosovë, e cila tani është e paqartë.

“Sa i përket vizitës së Vuçiqit në Kosovë, ai është i mirëseardhur, pa marrë parasysh se çfarë programi të vizitës propozon. Nuk ka asgjë kontestuese që presidenti i Serbisë të vizitojë serbët në Kosovë, siç jam edhe unë i mirëpritur në Luginën e Preshevës, Bujanovc dhe Medvegjë”, ka theksuar Thaçi.